SHOQËRI

Artikull

Georgi Bogdanov: Kaos në politikat për fëmijët!

Premte, 20 Nëntor 2026, 08:15

Georgi Bogdanov

Georgi Bogdanov

FOTO: Ani Petrova

Madhësia e shkronjave

Çfarë po ndodh me politikat për fëmijët në Bullgari në një kohë kur po diskutohet buxheti i shtetit për vitin 2027? A ekziston një vizion i qëndrueshëm shtetëror për fëmijërinë, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe mbështetjen sociale të familjeve? Sipas Georgi Bogdanovit, drejtor ekzekutiv i Rrjetit Kombëtar për Fëmijët, në këto fusha mbizotëron kaosi, ndërsa mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe tërheqja nga rezultatet e arritura më parë shkaktojnë shqetësim të madh.

„Shohim një kaos sa i përket politikave për fëmijët – si në arsim, ashtu edhe në shëndetësi dhe në fushën sociale. Njerëzit janë të shqetësuar, sepse, përveç faktit që në disa politika po bëhen hapa prapa, rezulton se profesionistët që duhet të ndihmojnë familjet, prindërit dhe fëmijët, në një masë të madhe kanë hequr dorë nga përgjegjësitë e tyre ose vetëm shtiren sikur po bëjnë punën e tyre. Sigurisht, ka edhe njerëz që e kryejnë detyrën me ndërgjegje. A e dini se çfarë po ndodh në vendin tonë? Ne nuk kemi një vizion për fëmijën, nuk kemi strategjinë e nevojshme që do t'i orientonte institucionet shtetërore dhe ministritë të punonin në të njëjtin drejtim“, shpjegoi ai, duke shtuar se „hapat prapa nuk lidhen vetëm me të drejtat e fëmijëve, por me demokracinë në tërësi“.

Georgi Bogdanov: Kaos në politikat për fëmijët!

FOTO: BTA

Ky vlerësim tingëllon edhe më shqetësues në sfondin e historisë 150-vjeçare të nismave shoqërore në mbështetje të fëmijëve në Bullgari. Një histori në të cilën bamirësia, vullnetarizmi dhe angazhimi aktiv qytetar kanë zënë një vend të rëndësishëm. Pikërisht kësaj historie i kushtohet ekspozita shëtitëse „150 vjet organizata për fëmijët në Bullgari – histori, mësime dhe e ardhmja“, e cila, pas një turi në më shumë se 30 qytete bullgare, është kthyer në Sofje dhe aktualisht është ekspozuar në Kuvendin Popullor. 21 panele rrëfejnë historinë e brezave të aktivistëve dhe organizatave që kanë ndryshuar jetën e fëmijëve në Bullgari.

Georgi Bogdanov: Kaos në politikat për fëmijët!

FOTO: BTA

„Edhe para Çlirimit (1878), në vendin tonë ndodhnin gjëra të jashtëzakonshme. U krijuan lëvizjet e para bamirëse dhe njerëzit, nga ajo periudhë deri në vitin 1944, dhuronin shtëpitë, hotelet dhe tokat e tyre për ndërtimin e kampeve verore, strehimoreve, shtëpive të fëmijëve dhe jetimoreve. Madje ndërtoheshin edhe institucione për ndihmën obstetrike dhe maternitetet. Këta njerëz nuk dhuronin vetëm energjinë dhe forcën e tyre, por edhe paratë, në mënyrë që të bënin gjithçka të nevojshme për fëmijët e Bullgarisë në kohë shumë të vështira – gjatë Luftës së Çlirimit, Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Ata përballeshin me shumë probleme, por u vinin në ndihmë refugjatëve dhe fëmijëve që jetonin në varfëri dhe mjerim të skajshëm“, tregon Georgi Bogdanov në një intervistë për programin „Horizont“ të Radios Kombëtare Bullgare.

Georgi Bogdanov: Kaos në politikat për fëmijët!

FOTO: BTA

Organizata më e madhe që ka ekzistuar në Bullgarinë pas Çlirimit, me mbështetjen e shtetit, ishte Bashkimi për Mbrojtjen e Fëmijëve në Bullgari, ku kanë punuar njerëz të jashtëzakonshëm.

„Kryetari i parë i tij ishte prof. Stefan Vatev, i cili arriti të çrrënjoste kolerën në vendin tonë, por njëkohësisht ishte edhe themeluesi i pediatrisë bullgare. Ndërsa kryetarja që qëndroi më gjatë në këtë detyrë ishte Konstanca Llapçeva, bashkëshortja e kryeministrit Andrej Lljapçev. Ajo vetë ishte jashtëzakonisht e pasur dhe ia la të gjithë pasurinë e saj këtij bashkimi. Megjithëse ajo dhe zoti Lljapçev nuk kishin fëmijë, njerëzit e quanin „nëna e të gjithë fëmijëve të Bullgarisë“, rikujton Georgi Bogdanov. Çfarë ndryshoi pas vitit 1944, kur vendi ynë kaloi nën ndikimin politik të Rusisë?

Georgi Bogdanov: Kaos në politikat për fëmijët!

FOTO: daritelite.bg

„Bashkimi për Mbrojtjen e Fëmijëve kishte më shumë se 1 130 degë në të gjithë vendin, 46 qendra ditore, shumë kampe verore dhe mensa ku ushqeheshin fëmijët. Kishte gjithashtu më shumë se 200 shoqata bamirëse në të gjithë vendin, të cilat funksiononin nën ombrellën e tij, ashtu siç funksionon sot Rrjeti Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve. Ekzistonin qindra mijëra fonde donacionesh. Nga viti 1944 deri në vitin 1949, kur ky Bashkim për Mbrojtjen e Fëmijëve u mbyll nga pushteti komunist i asaj kohe, gjithçka u shtetëzua. Në atë kohë ishin lënë pasuri me vlerë mbi 120 milionë euro, të llogaritura me vlerën e sotme të parasë – një shumë jashtëzakonisht e madhe, përveç të gjitha shtëpive dhe pronave që ndodheshin në qytete të ndryshme të Bullgarisë. Natyrisht, pas vitit 1944 ekzistonte vetëm një organizatë, dhe ajo ishte Organizata Pioniere Dimitroviane, e cila filloi të kujdesej për fëmijët nën mbrojtjen dhe drejtimin e shtetit. Në atë kohë, krahas të gjitha gjërave të mira që bëheshin për fëmijët gjatë periudhës së Bullgarisë totalitare, ata i nënshtroheshin edhe edukimit ideologjik: duhej të bëheshin shokë të mirë, besnikë ndaj udhëheqësve, partisë, shtetit, rendit socialist dhe komunizmit. Në atë kohë nuk mund të flitej për organizata të pavarura të fëmijëve. Megjithatë, kishte njerëz të jashtëzakonshëm që bënin gjëra të mrekullueshme për Bullgarinë“, shpjegon ai.

Ekspozita, e cila deri më tani është vizituar nga rreth 2 000 persona në të gjithë vendin, shoqërohet edhe me një enciklopedi të organizatave për fëmijët. Në të, Georgi Bogdanov ka ndjekur zhvillimin e politikave për fëmijët nga viti 1989 deri në ditët e sotme, duke e ndarë këtë periudhë në tri faza kryesore.

Georgi Bogdanov: Kaos në politikat për fëmijët!

FOTO: BTA

„Faza e parë lidhet me stanjacionin e politikave për fëmijët. Këto janë vitet e vështira të tranzicionit, gjatë të cilave në Bullgari po rikthehej shoqëria civile e pavarur dhe po krijoheshin sërish organizatat për fëmijët. Në atë kohë pati shumë kriza ekonomike. Periudha pasuese ishte ajo e rritjes së vrullshme, nga viti 2000 deri në vitin 2020. Gjatë kësaj kohe u krijuan shumë organizata qytetare dhe ne u bëmë nxitës të ndryshimeve të rëndësishme në mbrojtjen e fëmijëve. Pikërisht atëherë u miratua Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, u krijua Agjencia Shtetërore dhe më pas u mbyllën institucionet e mëdha rezidenciale për fëmijët, duke u hapur shërbime të reja sociale. Fazën e fundit, për fat të keq, e kam quajtur „Hapa prapa“ – nga viti 2020 deri në ditët e sotme. Kjo është një periudhë e karakterizuar nga rritja e mosbesimit, dezinformimit dhe sulmeve kundër organizatave qytetare dhe mbrojtësve të të drejtave të fëmijëve. Ajo që po ndodh sot lidhur me ligjet për agjentët e huaj, fakti që për të shtatin vit radhazi nuk kemi një Strategji Kombëtare për Fëmijët, e cila do t'i detyronte institucionet të punonin së bashku përmes një politike të përbashkët në interes të fëmijëve, si dhe fakti që këtë vit, për herë të parë, fjala „fëmijë“ u hoq nga emërtimi i komisioneve për fëmijët në Kuvendin Popullor, përbëjnë një problem jashtëzakonisht të madh. Kjo tregon se po bëjmë hapa prapa në lidhje me fëmijët tanë. Kemi një ligj të vjetruar, më shumë se 70-vjeçar, i cili nuk është më i përshtatshëm për realitetin e sotëm. Pyetja më e rëndësishme që duhet t'i bëjmë vetes sot është kjo: nëse i nderojmë ata bamirës që kanë bërë gjithçka për fëmijët gjatë këtyre viteve, vullnetarët dhe organizatat qytetare të 150 viteve më parë, përse sot i shohim me dyshim pasardhësit e tyre? Bëhet fjalë për njerëz që edhe sot i kushtojnë energji të jashtëzakonshme punës për të siguruar që fëmijët të jetojnë të lumtur, të jenë aktivë dhe të kenë një fëmijëri të lumtur në Bullgari. Në enciklopedi kam përshkruar më shumë se 170 organizata që veprojnë aktualisht në Bullgari, duke treguar se çfarë bëjnë dhe sa fonde kanë investuar. Dhe a e dini çfarë? Hapat prapa nuk lidhen vetëm me të drejtat e fëmijëve, por edhe me demokracinë në tërësi. Ne, si qytetarë të këtij shteti, duhet ta kuptojmë se etiketime të tilla si „sorosoidë“, „agjentë të huaj“ apo çfarëdo emërtimi tjetër janë, në të vërtetë, sulme kundër së drejtës sonë themelore për t'u organizuar dhe për të mbrojtur të drejtat tona qytetare. Madje, bëhet fjalë edhe për të drejtën tonë për të mbrojtur demokracinë dhe për të qenë qytetarë të lirë në vendin tonë“, përfundon Georgi Bogdanov.


Intervista: Irina Nedeva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski