Lajm
Projektbuxheti 2027: Pozitive, por shfaqet frika nga reformat e thella
Enjte 19 Nëntor 2026 16:15
Enjte, 19 Nëntor 2026, 16:15
FOTO: E gjeneruar me inteligjencë artificiale (IA)
Madhësia e shkronjave
Vonesa në miratimin e buxhetit të shtetit tashmë po kthehet në një problem kronik për Bullgarinë. Në katër nga pesë vitet e fundit, parlamenti e ka miratuar kornizën financiare të shtetit vetëm pasi kishte filluar viti buxhetor. Megjithatë, këtë herë ekziston mundësia që shteti të hyjë në vitin 2027 me një buxhet të miratuar, pasi propozimi i shumicës qeverisëse „Bullgaria Progresive“ tashmë ndodhet në Kuvendin Popullor dhe është diskutuar në Komisionin e Buxhetit.
Kryeministri Rumen Radev
FOTO: BTA
Kryeministri Rumen Radev është kategorik se projektbuxheti për vitin e ardhshëm përfaqëson një ekuilibër të vështirë ndërmjet objektivave që bien ndesh me njëri-tjetrin – frenimit të prirjes së rritjes së vrullshme të shpenzimeve, të cilat shtojnë deficitin, por njëkohësisht edhe rritjes së të ardhurave dhe mbështetjes sociale: „Buxheti përcakton vizionin për zhvillimin e shtetit. Ai përcakton objektivat, prioritetet dhe politikat. Qëllimi ynë është një dhe është i qartë – bullgarët të jetojnë më mirë dhe më të sigurt. Për ta arritur këtë qëllim në Buxhetin 2027, duhet të zgjidhim ekuacione të ndërlikuara dhe të arrijmë ekuilibra të vështirë ndërmjet uljes së deficitit të tepruar dhe shkurtimit të shpenzimeve, duke mos humbur në të njëjtën kohë të ardhurat dhe mbështetjen sociale. Duhet të ulim dhe të shlyejmë detyrimet e mëdha financiare, por njëkohësisht të jemi në gjendje të investojmë në ato fusha nga të cilat zhvillimi ekonomik i shtetit mund të vijë më shpejt. Përveç shifrave, për ne është jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe drejtimi. Drejtimi – nga nisim, ku ndodhemi dhe ku duam të shkojmë, si dhe në çfarë mënyre duam ta bëjmë këtë“, deklaroi kryeministri gjatë prezantimit të projektligjit për Buxhetin e Shtetit për vitin 2027, pak ditë më parë, në Universitetin e Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore.
FOTO: BTA
Parametrat e përgjithshëm të projektbuxhetit të shtetit, të paraqitur për shqyrtim në komisionet parlamentare:
Parashikohet që ekonomia të rritet me 2,5% në vitin 2027 dhe me 2,4% në vitet 2028 dhe 2029. Inflacioni pritet të jetë 4,0% në vitin 2027 dhe të ngadalësohet në 2,6% në vitin 2028 dhe 2,4% në vitin 2029. Gjatë periudhës 2027–2029 parashikohet rritje e borxhit shtetëror – deri në 44,3 miliardë euro (31,4% e PBB-së) në vitin 2027, 50,7 miliardë euro (33,6% e PBB-së) në vitin 2028 dhe 56,7 miliardë euro (35,5% e PBB-së) në vitin 2029.
Gjatë dy viteve të ardhshme, politika tatimore do të nxisë rritjen ekonomike, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe do të vazhdojë luftën kundër abuzimeve tatimore. Prioritetet lidhen me përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave, parandalimin e mundësive për fshehjen dhe mospagimin e taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, si dhe uljen e barrës administrative dhe të kostove për bizneset dhe qytetarët. Propozohet që baza minimale e të ardhurave mbi të cilën paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore për personat e vetëpunësuar të rritet nga 1 janari 2027 në 660 euro, në vitin 2028 në 680 euro dhe në vitin 2029 në 710 euro.
Simeon Djankov
FOTO: BTA
Procedura buxhetore është në zhvillim e sipër, ashtu si edhe kritikat
Sipas ekonomistit dhe ish-ministrit të Financave, Simeon Djankov, projektbuxheti për vitin 2027 është i pari pas një kohe të gjatë që është i ndershëm, por ai vazhdon prirjen e mungesës së reformave në pjesën e shpenzimeve, duke u mbështetur në të ardhura të njëhershme, siç janë taksat mbi fitimet e jashtëzakonshme të bankave dhe zinxhirëve tregtarë. Kjo për shkak se, në mungesë të politikave afatgjata, periudha e zbatimit të këtyre masave do të duhet të zgjatet. Djankov thekson gjithashtu nevojën për shkurtimin e administratës qendrore. Si hapa në drejtimin e duhur, ekonomisti vlerësoi përpjekjen për të vënë nën kontroll shpenzimet në sektorin e shëndetësisë, detyrimin që punonjësit shtetërorë jashtë Ministrisë së Punëve të Brendshme t'i paguajnë vetë kontributet e tyre të sigurimeve shoqërore, si dhe skemat më të balancuara të kompensimit të bizneseve për çmimin e lartë të energjisë elektrike, të cilat nuk përfshijnë subvencione për gjigantët që realizojnë fitime. Gjithashtu, është e rëndësishme që shteti të ketë një buxhet të rregullt përpara fundit të vitit 2026, gjë që do t'u mundësojë institucioneve dhe subjekteve përgjegjëse për administrimin e fondeve të kenë parashikueshmëri për shpenzimet e tyre gjatë vitit.
Megjithatë, projektbuxheti për vitin 2027 nuk mungon as në kritika nga ana e qytetarëve. Të parat që shprehën pakënaqësinë e tyre ishin nënat e fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilat dolën në protestë kundër ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Asistencën Personale. Shqetësimet e tyre se shteti do t'u kufizonte të drejtat në fushën e punësimit dhe të mbrojtjes sociale, si dhe do ta bënte financimin e asistencës personale më të pasigurt, u dëgjuan nga qeveritarët, të cilët u tërhoqën një hap pas dhe hoqën dorë nga propozimet e tyre, me argumentin se ato kërkonin një diskutim të gjerë publik.
Më pas pasoi edhe protesta e punonjësve të sektorit të kulturës, nën moton „Demokracia është dialog“. Pjesëmarrësit në protestë shprehën mospajtimin e tyre me masën e subvencionit shtetëror të parashikuar për qendrat kulturore popullore (çitalishta) në buxhetin e vitit 2027. Ata e cilësuan financimin e sektorit, me pak më shumë se 307 milionë euro, si të pamjaftueshëm, ndonëse ministri i Kulturës, Evtim Milloshev, e cilësoi atë si „më të madhin në historinë e ministrisë“.
Diana Andreeva
FOTO: BNR
„Arsyeja për këtë është se PBB-ja po rritet“, shpjegoi për Radion Kombëtare Bullgare Diana Andreeva nga „Observatori i Ekonomisë së Kulturës“. Ajo tërhoqi vëmendjen te buxhetet e deleguara për bashkitë, të destinuara për veprimtaritë kulturore në nivel vendor, të cilat përsëri nuk financohen mjaftueshëm:
„Bashkitë nuk marrin buxhetin që u takon dhe as indeksimin e nevojshëm, madje as brenda kufijve të rritjes prej pesë për qind, e cila është parashikuar për sektorin publik. Duhet të theksojmë se në nivelin e bashkive ndodhen institucionet kulturore më të rëndësishme dhe më të përhapura – qendrat kulturore popullore, muzetë, galeritë dhe bibliotekat. Ato vuajnë nga financimi kronikisht i pamjaftueshëm, jo vetëm gjatë këtij viti, por veçanërisht këtë vit, sepse fondet e tyre bien nën standardet e kërkuara për sa i përket numrit të pozicioneve të punës në institucionet përkatëse.“
Sipas përllogaritjeve të projektbuxhetit për vitin 2027, një pjesë e transfertave kryesore financiare për bashkitë bullgare po ulen ose mbeten të ngrira në një kohë kur shpenzimet për pagat dhe energjinë janë në rritje.
FOTO: Arkiv
I cilësuar nga qeveritarët si buxheti më social në historinë e vendit, ndërsa nga opozita si më i keqi që nga qeverisja e Zhan Videnovit në vitin 1997, e cila mbeti e njohur për dimrin më të rëndë në historinë e demokracisë bullgare, Buxheti 2027 i propozuar nuk është as njëri dhe as tjetri. Këtë deklaroi politologu Milen Zhelev për Radion Kombëtare Bullgare, duke sqaruar:
Milen Zhelev
FOTO: Silvija Velikova
„Qeveritarët e „Bullgarisë Progresive“ janë një parti e majtë që po zbaton masa ekonomike të djathta, por ato nuk janë edhe aq të djathta. Nëse shikohen tabelat në Excel të përgatitura nga zyrtarë të caktuar, ndoshta janë rritur disa fonde për kulturën ose veprimtaritë sociale, por kjo nuk do të thotë se ky buxhet është kaq i majtë. Nuk kemi asnjë ndryshim në sistemin tatimor. Mungojnë reformat. Nëse realizohen vërtet këto synime për shkurtimin e administratës shtetërore dhe, në veçanti, të strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk e kam fjalën vetëm për punonjësit që kanë dalë në pension, por në përgjithësi për një zvogëlim të administratës shtetërore në Bullgari, ky do të ishte një hap i mirë. Kjo është një masë që, para së gjithash, është propozuar si e përshtatshme nga opozita e djathtë në Bullgari.“
Qytetarët bullgarë janë lodhur nga zgjedhjet dhe po tregojnë një shkallë më të lartë tolerance dhe besimi ndaj qeverisë. Këtë besim qeveritarët, të cilët kanë shumicë të plotë parlamentare, mund ta shfrytëzojnë për të ndërmarrë reforma më serioze në sektorë të ndryshëm.
Gjatë prezantimit të buxhetit, kryeministri Rumen Radev deklaroi se pritet të tërhiqen investime të mëdha të huaja, të cilat do ta transformojnë ekonominë e vendit tonë. Megjithatë, ish-zëvendësministri i Financave, Georgi Kadiev, tërhoqi vëmendjen te imazhi që vendi ynë ka përpara investitorëve të huaj dhe theksoi se aktualisht mbështetemi vetëm te taksat tona të ulëta dhe fakti që jemi pjesë e eurozonës, por kjo nuk mjafton:
Georgi Kadiev
FOTO: BTA
„Është mirë që shteti është marrë me zinxhirët e mëdhenj tregtarë, sepse ekzistojnë praktika të papranueshme, siç janë të gjitha llojet e presioneve dhe shantazheve ndaj prodhuesve“, theksoi ai në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare, duke iu referuar gjobave të rënda që Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës vendosi ndaj njërit prej zinxhirëve tregtarë, dhe shtoi: „Por kjo nuk mjafton. Çfarë ndryshon fakti që „Kaufland“ gjobitet?! A do të ulen çmimet? Jo, nuk do të ulen. Duhet të vijnë investitorë që do ta ringjallin prodhimin. Nëse arrijmë të tërheqim investitorë të tillë, ata do të sjellin rritje ekonomike, dhe jo zinxhirët tregtarë.“
Projektbuxheti për vitin 2027 është kritikuar nga të gjitha partitë opozitare dhe deri më tani vetëm nga ana e GERB-it janë deklaruar synime për të propozuar ndryshime ndërmjet dy leximeve në seancën plenare. Ndër propozimet e tyre janë: – Heqja e tatimit mbi „fitimet e jashtëzakonshme“, pasi nuk ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do ta justifikonin atë. – Heqja e rritjes së vlerësimeve tatimore të pronave të paluajtshme. – Heqja e detyrimit që çdo person fizik, i cili shet një pronë të re të paluajtshme ose transferon të drejtën e ndërtimit mbi një truall të rregulluar urbanistikisht, të regjistrohet sipas dispozitave të Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). – Heqja e tatimit prej 7% mbi kuponët e ushqimit.
Se cilat propozime të tjera për ndryshime do të paraqiten dhe si do të duket korniza financiare e shtetit për vitin 2027, mbetet për t'u parë.
Tekst: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski