Bullgaria do të ndahet në katër rajone nga viti 2027

Ndarja e re do të shërbejë për planifikimin rajonal dhe aplikimin për fondet evropiane për periudhën 2028–2034, pa ndryshuar kufijtë administrativë të qarqeve dhe bashkive

Enjte, 19 Nëntor 2026, 16:43

Bullgaria do të ndahet në katër rajone nga viti 2027

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Bullgaria do të ndahet në katër rajone: Rajoni i Sofjes, Rajoni Verior, Rajoni Lindor dhe Rajoni Jugor. Ky ndryshim do t’i mundësojë vendit të aplikojë për fonde evropiane për periudhën 2028–2034. Ndryshimet në Ligjin për Zhvillimin Rajonal u miratuan në parim, në lexim të parë, me votat e deputetëve të partisë „Bullgaria Progresive“ dhe të një deputeti nga koalicioni „Po e vazhdojmë ndryshimin“, raportoi gazetarja e Radios Kombëtare Bullgare (BNR), Maria Fileva.

Ndarja e re territoriale do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027. Ajo bëhet në kuadër të përditësimit të rregullave për planifikimin rajonal dhe nuk do të sjellë ndryshime në ndarjen administrative të Bullgarisë. Të 28 qarqet dhe bashkitë e vendit do të ruajnë kufijtë e tyre aktualë. Ndryshimi ka të bëjë vetëm me ndarjen statistikore dhe planifikimin rajonal, si dhe me mënyrën se si përcaktohen politikat dhe investimet dhe mblidhen të dhënat për rajonet e ndryshme.

„Nuk po mbyllim qarqe, nuk po ndryshojmë pushtetin vendor dhe nuk po fshijmë identitetin rajonal. Bullgaria ka pabarazi të theksuara mes rajoneve. Vëmendje të veçantë duhet t’i kushtojmë Bullgarisë Veriore dhe zonave që prej dekadash kanë mbetur prapa në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor“, deklaroi Zdravko Ognjanov nga partia „Bullgaria Progresive“.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova