Festival në Plovdiv prezanton verërat bullgare dhe produkte artizanale ushqimore

Premte, 20 Nëntor 2026, 05:47

Festival në Plovdiv prezanton verërat bullgare dhe produkte artizanale ushqimore

FOTO: visitplovdiv.com

Madhësia e shkronjave

Pesëdhjetë e nëntë kantina vere dhe 12 prodhues të produkteve ushqimore dhe specialiteteve gastronomike do të prezantojnë pasurinë e verërave bullgare dhe traditat kulinare të vendit në edicionin e 18-të të Festivalit “Parakalimi i verës së re” në Plovdiv. Veprimtaria treditore nis më 20 nëntor dhe do të zhvillohet në 18 vende historike në Qytetin e Vjetër, bëjnë të ditur organizatorët.

Shtëpitë historike, muzetë, galeritë dhe oborret e tyre plot hijeshi do t’i presin vizitorët me mbi 500 lloje verërash dhe një larmi shijesh, si djathëra, produkte të përzgjedhura mishi, ushqime artizanale dhe specialitete gastronomike. Të pranishmit do të kenë gjithashtu mundësinë të takojnë prodhuesit e verës, të mësojnë më shumë për verërat dhe historitë e tyre, si dhe të zbulojnë të preferuarat e reja.

Sipas traditës, festivali do të hapet me një paradë kushtuar Dionisit, si dhe me hapjen e fuçisë së parë me verë të re, në një atmosferë festive, mes muzikës dhe valleve.

Organizatorët e veprimtarisë janë shoqata “Këshilli i Turizmit – Plovdiv”, Bashkia e Plovdivit, Instituti Bashkiak “Plovdivi i Vjetër” dhe Universiteti i Teknologjive Ushqimore.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova