Lajm
Presidentja nuk mendon se Rusia po përpiqet ta përfshijë Bullgarinë në luftë
Premte 20 Nëntor 2026 09:57
Premte, 20 Nëntor 2026, 09:57
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Nuk do të ketë mbledhje të re të Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare për shkak të rasteve të fundit të goditjes së anijeve tregtare nga dronët. Këtë e bëri të ditur presidentja Ilijana Jotova, e cila së bashku me kryeministrin Rumen Radev vizitoi një demonstrim në poligonin ushtarak të Slivnicës, ku u prezantuan pajisje për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve.
“Për momentin nuk kam në plan të thërras një mbledhje tjetër të Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare për të njëjtën çështje. Kjo nuk do të thotë se nuk do t'i dëgjoj argumentet e opozitës”, shpjegoi Jotova. “Nuk mendoj se këta dronë kanë pasur si objektiv Bullgarinë, apo se Rusia po përpiqet ta përfshijë Bullgarinë në luftë”, deklaroi Jotova, duke iu përgjigjur pyetjes nëse marrëdhëniet mes dy vendeve do të përkeqësoheshin në rast se vërtetohej se dronët ishin rusë.
Sipas saj, Sofja po punon aktualisht në disa nivele për të mundësuar një takim mes të gjashtë vendeve që kanë dalje në Detin e Zi, njofton Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA).
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova