Drejtori i Përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare:

„BNR kryeson për besimin e audiencës, por pagat mbeten pas“

„Faqet e “Radio Bullgarisë” shënojnë rritje mbi 100% gjatë muajit të zgjedhjeve presidenciale“

Premte, 20 Nëntor 2026, 12:42

Milen Mitev

Milen Mitev

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

„Prej 10 vitesh, Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) mbetet media më e besuar në vend.” Këtë e deklaroi drejtori i përgjithshëm i radios, Milen Mitev, gjatë paraqitjes së nevojave të BNR-së para komisionit parlamentar përkatës, ku u diskutua projektbuxheti për vitin 2027.

Sipas një raporti të Institutit Reuters për vitin 2026, radioja renditet ndër mediat me nivelin më të lartë të besimit të audiencës, së bashku me televizionin kombëtar, në një kohë kur besimi te mediat në përgjithësi është në rënie. “Gjatë diskutimit të buxhetit për mediat publike, çështja kryesore nuk është se sa fonde marrin ato, por për çfarë i marrin”, tha Mitev.

Ai theksoi se këtë vit radioja ka bërë një hap përpara në drejtim të digjitalizimit, duke lançuar aplikacionin e saj të parë për telefona celularë. Gjithashtu, media publike ka krijuar një portal që bashkon platformat e saj kryesore. Gjatë gjashtë muajve të fundit, numri i vizitave në faqet e BNR-së është rritur me 60%, duke arritur në mbi 24 milionë, ndërsa numri i përdoruesve aktivë është rritur me mbi 15%, duke arritur në afro 1,2 milionë, tha ai. Faqet e “Radio Bullgarisë” kanë shënuar rritje mbi 100% të numrit të vizitave gjatë muajit të zgjedhjeve presidenciale. Kjo tregon se në momente të tilla audienca u drejtohet mediave publike për të marrë informacion të besueshëm.

“Audienca jonë në internet përbëhet kryesisht nga të rinj, veçanërisht nga të rinj aktivë në jetën shoqërore”, tha Mitev. Sipas tij, tani duhet të gjendet një zgjidhje për gjendjen e përgjithshme të pagave në të gjithë sistemin e radios. Sindikatat kërkojnë që të gjithë punonjësit të marrin një rritje page të ngjashme me atë që u është dhënë formacioneve muzikore të radios. Për këtë nevojiten rreth 3,2 milionë euro. Mitev bëri të ditur se gjatë vitit 2026, përmes kursimeve të brendshme, radioja ka kursyer rreth 600 mijë euro, të cilat do të përdoren për një rritje shtesë të pagave.

Sa i përket efikasitetit, Mitev theksoi se gjatë 26 viteve të fundit, prodhimi i programeve radiofonike të BNR-së është rritur me mbi 30%, ndërsa numri i punonjësve të radios është ulur me mbi 25%, pa ndërprerë asnjë program apo shërbim.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova