Premte 20 Nëntor 2026 17:25
Premte, 20 Nëntor 2026, 17:25
FOTO: Hrvatske Ceste
Madhësia e shkronjave
Kroacia kërkon reagim brenda 2 orëve në rast rreziqesh në rrugë
Kompania shtetërore kroate „Rrugët Kroate” (Hrvatske ceste) ka shpallur një tender publik në vlerë prej 434.6 milionë eurosh për mirëmbajtjen e rrugëve shtetërore gjatë katër viteve të ardhshme, njofton agjencia HINA, cituar nga Index.hr. Vendi është ndarë në 6 rajone, me operatorë të veçantë për secilin prej tyre. Kontratat parashikojnë pastrimin e borës dhe akullit, kontrolle të rregullta dhe riparime emergjente. Në rast aksidenti, rrëshqitjeje dheu apo ndonjë rreziku tjetër, operatorët do të duhet të dalin urgjentisht në terren për të siguruar zonën dhe për të vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore. Masat për sigurimin e zonës ose riparimi i rrugës duhet të fillojnë jo më vonë se dy orë pas marrjes së njoftimit. Operatori duhet të ketë në dispozicion një numër të mjaftueshëm punonjësish dhe punëtorësh, të cilët duhet të kontrollojnë çdo ditë rrugët dhe të raportojnë për dëmet e konstatuara. Edhe në rast të ndërprerjes së kontratës, aktivitetet emergjente nuk mund të pezullohen deri në marrjen përsipër të tyre nga operatori i ri. Buxheti më i madh, prej 95.6 milionë eurosh, është parashikuar për rajonin e Zagrebit. Ofertat mund të dorëzohen deri më 21 dhjetor 2026.
Aleksandar Baucali
FOTO: peersolvers.f.bg.ac.rs
„Lista Studentore” në Serbi planifikon referendum për anëtarësimin në BE
„Lista Studentore”, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi, planifikon mbajtjen e një referendumi për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, deklaruan përfaqësues të lëvizjes për median Rapporteur, njofton BNR „Horizont”. Aleksandar Baucali nga „Lista” shprehu shpresën se referendumi do të mbahet që gjatë mandatit të parë të pushtetit të ri, pasi të realizohen reformat kryesore institucionale. Gjatë një forumi të Komisionit Evropian në Bruksel, kushtuar zgjerimit të BE-së, ai theksoi se lëvizja do të angazhohet për reforma në sistemin gjyqësor dhe për forcimin e sundimit të ligjit, të cilat përbëjnë ndër kërkesat kryesore për anëtarësimin në BE.
Megjithatë, në politikën e jashtme vazhdojnë të ekzistojnë dallime me Brukselin. BE-ja pret që Serbia t'u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa „Lista Studentore” për momentin nuk planifikon një hap të tillë, duke iu referuar varësisë së vendit nga gazi rus.
Serbia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe mori statusin e vendit kandidat në vitin 2012, por gjatë mandatit të Vuçiqit negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE praktikisht kanë mbetur në vendnumëro.
FOTO: Ford
Industria automobilistike në Rumani nën presion: qeveria përgatit mbështetje
Qeveria rumune po përgatit masa për mbështetjen e industrisë automobilistike. Këto masa do të përfshijnë fabrikat e Dacia-s dhe Ford Otosan-it, të cilat janë ndër eksportuesit dhe punëdhënësit më të mëdhenj në Rumani, si dhe prodhuesit e pjesëve të automjeteve, njofton Economica.net. Arsyeja janë rritja e kostove të energjisë dhe të prodhimit, si dhe dobësimi i kërkesës globale për automjete. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, prodhimi në këtë sektor në Rumani ka shënuar një rënie prej 12.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndër masat që po shqyrtohen janë kompensimet për kostot e larta të energjisë.
Sektori automobilistik është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë rumune. Së bashku me furnizuesit e komponentëve dhe shërbimeve, ai siguron mbi 200 000 vende pune, ka një qarkullim vjetor prej më shumë se 30 miliardë eurosh dhe kontribuon me mbi 13% në PBB-në e vendit.
FOTO: BGNES
Problemet e Alta Bank në Serbi me pasoja edhe në Maqedoninë e Veriut
Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shitjen e 95.336% të aksioneve të Alta Bank në Manastir, njofton televizioni Telma. Shitja vjen pas revokimit të licencës së Alta Bank në Serbi, e cila zotëronte pjesën kontrolluese të aksioneve në bankën në Manastir, për shkak të problemeve financiare. Më pas, ndaj saj nisi procedura e falimentimit. Në këtë situatë, u shfaqën dyshime për transferimin e shumave të mëdha të parave përmes bankës në Manastir drejt Serbisë dhe Rusisë. Megjithatë, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut deklaroi se nuk ka konstatuar transferta të tilla. Banka në Manastir vazhdon të funksionojë nën mbikëqyrjen e bankës qendrore të Maqedonisë së Veriut.
Çmimi fillestar për një aksion është 3 777 denarë, ose rreth 61 euro. Qëllimi është që banka të ketë një pronar të ri, i cili do të garantojë funksionimin e saj të qëndrueshëm.
Xhelal Sveçla
FOTO: koha.net
Të huajt në Kosovë tashmë mund të aplikojnë online për leje qëndrimi
Kosova ka mundësuar që shtetasit e huaj të aplikojnë online për lejen e parë të qëndrimit përmes platformës shtetërore e-Kosova, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, cituar nga KOHA.
Kjo masë është pjesë e procesit të digjitalizimit të administratës publike dhe synon të lehtësojë procedurat administrative dhe të shkurtojë kohën e shqyrtimit të aplikimeve. Shërbimi online është i disponueshëm për shtetasit e huaj që tashmë ndodhen në territorin e Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Autoritetet e paraqesin këtë ndryshim si një hap drejt ofrimit të shërbimeve administrative më të shpejta dhe më të qasshme.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski