LAJME

Lajm

Parashikimi i motit për fundjavën

Java përfundon me ulje të temperaturave dhe vranësira të herëpashershme

Premte, 20 Nëntor 2026, 19:04

Parashikimi i motit për fundjavën

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Të shtunën, temperaturat minimale do të lëvizin nga 5 deri në 10 gradë. Në Sofje pritet të jenë rreth 6 gradë. Gjatë 24 orëve të ardhshme, moti do të jetë me vranësira të herëpashershme. Gjatë ditës priten reshje shiu, kryesisht në zonat malore, perëndimore dhe jugore të vendit. Era do të fryjë mesatare nga perëndimi-veriperëndimi. Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 14 deri në 19 gradë. Në kryeqytet, temperatura do të jetë rreth 15 gradë.

Përgjatë bregdetit të Detit të Zi, vranësirat do të jenë më të dendura në orët e paradites, kur në shumë zona do të ketë reshje shiu. Pasdite do të mbizotërojë moti me diell. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga perëndimi-veriperëndimi. Temperaturat maksimale të ajrit do të jenë rreth 17 gradë. Temperatura e ujit të detit do të jetë 13–15 gradë, ndërsa dallgëzimi do të jetë 2–3 ballë.

Në zonat malore, vranësirat do të jenë më të dendura dhe do të ketë reshje shiu, ndërsa në zonat mbi 1800 metra lartësi mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë dëbore. Era do të fryjë mesatare deri e fortë nga perëndimi-veriperëndimi. Temperatura maksimale në lartësi 1200 metra do të jetë rreth 9 gradë, ndërsa në lartësi 2000 metra, rreth 1 gradë.

Të dielën, vranësirat do të shtohen. Në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës, në prag të së hënës, në disa zona të Bullgarisë Perëndimore dhe Qendrore do të ketë reshje shiu. Era do të jetë e lehtë, me drejtim nga jugu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3 deri në 8 gradë, ndërsa maksimalet nga 12 deri në 17 gradë.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova