Lajm
“Në Popovo për byrek” – festë e recetave bullgare dhe traditave familjare
Shtunë 21 Nëntor 2026 08:10
Shtunë, 21 Nëntor 2026, 08:10
FOTO: Pexels
Madhësia e shkronjave
Byreku (banica) – një nga gatimet më të njohura të kuzhinës bullgare – bashkon mjeshtra dhe dashamirës të gatimit shtëpiak në Popovo (Bullgari Verilindore). Më 21 nëntor, kur të krishterët ortodoksë kremtojnë Hyrjen e Hyjlindëses në Tempull – Ditën e Familjes së Krishterë, Shtëpia e Kulturës “Dimo Kollarov” organizon edicionin e parë të festës kulinare “Në Popovo për byrek”.
Aktiviteti do të nisë në orën 10:00. Në konkursin kulinar mund të marrin pjesë individë, qendra kulturore, shkolla, klube pensionistësh dhe institucione kulturore nga vendbanime të ndryshme. Ata do të prezantojnë byrekët e përgatitur me petë të hapura me okllai, të tërhequra me dorë, të mbështjella në formë spiraleje ose të shtruara në shtresa, me mbushje të ëmbla apo të kripura – nga ato tradicionale me djathë dhe kungull, deri te recetat me presh, lakër dhe mish.
FOTO: tasteatlas.com
Përveç shijes, juria do të vlerësojë edhe pamjen e jashtme. Prandaj, një nga kushtet e konkursit është që byrekët të paraqiten të plotë dhe jo të prera në copa. Programi kulinar do të shoqërohet edhe me interpretime folklorike.
Kjo nismë synon të ruajë recetat familjare dhe të prezantojë pasurinë e traditës kulinare bullgare, në të cilën byreku zë një vend të veçantë, si në tryezën e përditshme, ashtu edhe në atë festive.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello