Seksion
Polemika për donacionet përpara inaugurimit të monumentit bullgar në SHBA
Bullgarët në Los Anxhelos përpara ngjarjeve të rëndësishme - inaugurohet monumenti i shumëpritur i alfabetit bullgar, ndërsa BgFACE ndan çmimet vjetore për kontributin në kulturën, shkencën dhe artin bullgar
Shtunë 21 Nëntor 2026 17:00
Shtunë, 21 Nëntor 2026, 17:00
FOTO: Konsullata e Përgjithshme e Bullgarisë në Los Anxhelos
Madhësia e shkronjave
Më 22 nëntor 2026, bullgarët në Bregun Perëndimor të SHBA-së do të shënojnë dy ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme. Përpara ndërtesës së Shoqatës Bullgaro-Amerikane për Kulturë dhe Arsim (BACES) në Los Anxhelos, në orën 11:00 sipas orës lokale, do të inaugurohet solemnisht monumenti kushtuar alfabetit bullgar, vepër e skulptorit Bronisllav Likomanov. Monumenti është një ngjarje e shumëpritur për bashkatdhetarët tanë përtej Oqeanit, fryt i përpjekjeve shumëvjeçare të autorit, Fondacionit BgFACE, Konsullatës së Përgjithshme të Bullgarisë në Los Anxhelos dhe dhjetëra donatorëve. Po në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 13:00, do të ndahen edhe çmimet tashmë tradicionale vjetore të Fondacionit BgFACE për artin, kulturën, arsimin dhe shkencën, të cilat vlerësojnë figurat bashkëkohore bullgare që promovojnë dhe ruajnë kulturën, dijen dhe identitetin kombëtar bullgar në Bregun Perëndimor.
FOTO: arkiva personale
Megjithatë, këto ngjarje të gëzueshme paraprihen nga një përçarje dhe tension i veçantë brenda komunitetit bullgar, lidhur me atë se kush ka dhënë kontributin kryesor financiar dhe organizativ për realizimin e monumentit. Shkak për polemikën u bënë disa publikime mediatike, të cilat vunë në plan të parë rolin e individëve të caktuar.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat bullgare (përfshirë një artikull të Agjencisë Telegrafike Bullgare – BTA, të datës 18 nëntor 2026, bazuar në deklaratat e Elisaveta Evtimovës, donatores së parë dhe organizatores së fushatës në momentin e nisjes së saj), mbështetja kryesore financiare për realizimin e monumentit është siguruar nga familja Ellka dhe Jordan Ruskovi, ndërsa fondet janë plotësuar përmes një fushate donacionesh dhe mbështetjes nga kompania „Microsoft”.
Në përgjigje, Fondacioni BgFACE dhe Konsullata e Përgjithshme shpërndanë për mediat një qëndrim zyrtar, të mbështetur nga konsulli i përgjithshëm Bojko Hristov dhe autori i monumentit, Bronisllav Likomanov. Në këtë dokument kundërshtohet kategorikisht pretendimi se familja Ruskovi ka pasur një rol vendimtar në financimin e monumentit. Sipas të dhënave të publikuara në GoFundMe, Ellka Ruskova ka dhuruar 250 dollarë, ndërsa donatori më i madh është presidenti i BgFACE, Ognjan Gavrillov, me një kontribut prej 5 000 dollarësh. Gjithashtu, shteti bullgar ka kontribuar me 10 000 leva përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa autori, Likomanov, ka punuar pa asnjë shpërblim. Organizatorët theksojnë se monumenti është një vepër e përbashkët dhe simbol i bashkimit, e jo një rast për vetëpromovim personal.
Simbol i bashkimit dhe i pranisë shpirtërore bullgare përtej Oqeanit
Për komunitetin bullgar në Los Anxhelos, i cili numëron mbi 35 000 persona, ngritja e Monumentit të Alfabetit Bullgar përpara ndërtesës së Shoqatës Bullgaro-Amerikane për Kulturë dhe Arsim (BACES) përbën një ngjarje me rëndësi historike. Monumenti përforcon në mënyrë të qëndrueshme praninë dhe dukshmërinë e kulturës sonë kombëtare në këtë metropol, një proces që gjatë viteve të fundit është mbështetur edhe nga një sërë vlerësimesh dhe njohjesh zyrtare nga këshillat bashkiakë të Los Anxhelosit, Beverly Hills dhe Las Vegasit.
Koncepti artistik i skulptorit Bronisllav Likomanov mbart një simbolikë të thellë: një dorë e stilizuar mban një libër, i cili shndërrohet në një krah zogu që fluturon, ndërsa shkronjat e ndriçuara gjatë natës A, B, V dhe G simbolizojnë dritën e dijes dhe të arsimit. Përtej mosmarrëveshjeve financiare, si autori, ashtu edhe organizatorët theksojnë se monumenti është një arritje e përbashkët dhe një dëshmi e qëndrueshme e dashurisë për atdheun të bullgarëve në SHBA. Misioni i tij më i rëndësishëm është të mos bëhet shkak për përçarje, por të shërbejë si simbol i bashkimit, krenarisë kombëtare dhe vazhdimësisë ndërmjet brezave përtej Oqeanit.
Përpiloi: Elena Karkalanova
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello