Në Muzeun Historik Rajonal të Gabrovos është ekspozuar një “copë letër” modeste drejtkëndëshe me përmasa 10 me 15 cm. Kjo është kartëmonedha e parë bullgare – një njësi prej njëzet levash me numër serial 000001. Është shtypur më 1 gusht 1885 në Shën Petersburg, dhe gjatë këtij viti 2025 shënohen 140 vjet nga krijimi i saj.
Njësia monetare prej letre shfaqet në prag të Bashkimit, kur Bullgaria hedh hapat e saj të parë drejt një sistemi modern ekonomik, duke futur standardin e arit dhe një politikë monetare të centralizuar. Sot, ekzemplari nr. 000001 është pjesë e fondit të Muzeut Historik Rajonal në Gabrovo, pasi për shumë vite me radhë është ruajtur nga një tregtar gabrovian dhe trashëgimtarët e tij, mësojmë nga kujdestari i muzeut Ivan Postompirov.
"Arsyeja për shfaqjen e saj është se BNB në janar të vitit 1885 bëhet institucion shtetëror krediti me të drejtën për të emetuar kartëmonedha. Dhe atëherë banka përpiqet të fusë të ashtuquajturin standard të arit, që ekzistonte në Evropë në atë kohë, domethënë kartëmonedha të ketë mbulim në ar dhe të garantohet nga rezerva e arit e shtetit. Siç dihet, monedhat e para bullgare (pas Çlirimit nga sundimi osman) fillojnë të priten dhe të lëshohen në qarkullim që nga viti 1880 (atëherë miratohet Ligji për të drejtën e prerjes së monedhave në Principatën e Bullgarisë dhe krijohet njësia monetare bullgare "lev", një vit më vonë priten monedhat e para prej bakri dhe argjendi). Para kësaj, njerëzit përdornin kryesisht rubla ruse të mbetura nga Lufta Çlirimtare dhe monedha të tjera të huaja, por kjo e vështirësonte shumë aktivitetin ekonomik, sidomos tregtinë."
Garancia në ar e shpallur në vetë kartëmonedhën, në fakt reduktohej në një napoleon francez prej 20 frangash ari – valuta në të cilën Bullgaria merrte huatë e saj të huaja dhe në të cilën përgatiteshin buxhetet e para shtetërore.
"Në të, në anën e përparme, është shënuar vlera e saj nominale – 20 leva. Në këndin e sipërm majtas është stema e Principatës, pasi në atë kohë Bullgaria ishte principatë – rrëfen Ivan Postompirov. – Në pjesën e sipërme lexojmë "Banka Popullore Bullgare" – emetuesi i kartëmonedhës. Është shkruar gjithashtu se në këmbim të kësaj kartëmonedhe Banka Popullore Bullgare paguan paraqitësit 20 leva ari. Kjo do të thotë që ajo kishte një vlerë të barabartë me 20 leva, por meqë deri më 1894 ende nuk kishte monedha bullgare prej ari, ajo barazohej me një napoleon prej 20 frangash. Levi bullgar nuk ishte lidhur saktësisht me frangën, por ai ishte i barazuar me frangën e artë në atë kohë. Është shënuar edhe data e shtypjes “Sofje, 1 gusht 1885” me nënshkrimin e drejtorit dhe numrin.
Paradoksi është se, pavarësisht “mburojës” së artë, bullgarët i shikonin me dyshim paratë prej letre. Vlera nominale prej 20 levash ishte shumë e lartë për përditshmërinë – e barabartë me pagën mujore të një nëpunësi, kështu që kartëmonedhat qarkullonin kryesisht në marrëveshje midis bankave dhe tregtarëve.
I veçantë është edhe fati i kartëmonedhës së parë bullgare:
"Ajo mbijetoi në rrethana të lumtura, pasi seria ishte sekuestruar dhe shkatërruar pas vitit 1907. Kjo kartëmonedhë ka qenë pronë e gabrovianit Vasil Tjuljumbakov, i cili ka qenë tregtar dhe këshilltar bashkiak. Nuk dihet në ç’mënyrë ka rënë në duart e tij, por ajo është ruajtur në gjendje relativisht të mirë, vetëm këndi i saj i sipërm djathtas është i shqyer. Më pas kalon në trashëgimi te djali i tij, Hristo, inxhinier dhe mësues, i cili në vitin 1961 ia shet muzeut tonë historik, mendoj se për 250 leva – në atë kohë kjo ishte shumë e madhe" – përfundon Ivan Postompirov.
Shihni më shumë nga Arkivi i Radio Bullgarisë:
Leva bullgare është ndër pesë valutat më të bukura në botë Monedhat euro bullgare do të “flasin” për historinë dhe shpirtin kombëtarRruga e gjatë e Bullgarisë drejt euros
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: Muzeu Historik Rajonal – Gabrovo