Autor
БНР екип
Artikull
Shembuj të kulturës muzikore bullgare
Maria Nejkovа – “Dy vetë”
Premte 15 Gusht 2025 04:00
Premte, 15 Gusht 2025, 04:00
Madhësia e shkronjave
Maria Nejkovа është ndër personalitetet më të ndritshme dhe origjinale në muzikën bullgare nga vitet ’70 deri në fund të shekullit të kaluar. E frymëzuar, e talentuar, e papërsëritshme me stilin e saj të veçantë, karakteristik, këngëtare dhe autore e mbi 100 këngëve të njohura, muzikës për filma dhe shfaqje teatrore. Ka lindur në fundin e vitit 1945 në Plovdiv. Karriera e saj fillon pikërisht ditën e lindjes së saj – më 21 dhjetor 1968, me debutim në sallën “Bullgaria” në Sofje. Në këtë koncert ajo është në skenë bashkë me Pasha Hristova, Georgi Minçev, Margarita Radinska dhe orkestrën “Sofja” dhe paraqet këngën “Botë e çuditshme”. Regjistrimi i saj i parë për Radio Bullgarinë është “Takime të vonuara” të Petër Stupel, i interpretuar nga dueti Maria Nejkovа – Georgi Minçev. Hiti vlerësohet me çmimin e parë në festivalin “Orfeu i Artë” në vitin 1969, por i kënduar së bashku me Mihaill Bellçev.
Kënga “Pranvera e Javorovit” e Svetozar Rusinovit, e paraqitur nga trioja atraktiv: Pasha Hristova, Mimi Ivanova dhe Maria Nejkovа, fiton çmimin e parë në konkursin prestigjioz radiofonik “Pranvera” në vitin 1970. Në fund të vitit tjetër – 1971, xhirohet muzikali i Vitit të Ri “Shtegu i dhisë”, ku marrin pjesë Pasha Hristova dhe Maria Nejkovа. Së shpejti pas kësaj vjen data 21 dhjetor 1971 – 26-vjetori i lindjes së Marias. Së bashku me një grup të madh muzikantësh, artistësh dhe valltarësh, ajo duhet të udhëtojë për në Algjeri për të marrë pjesë në festimet e kulturës bullgare. Vonë në mbrëmje – sekonda pas ngritjes nga aeroporti i Sofjes, avioni merr flakë. Humb jetën ekuipazhi 6-anëtarësh dhe 24 pasagjerë, mes tyre edhe shoqja e ngushtë e Marias – Pasha Hristova. Dy nga ekuipazhi dhe 19 pasagjerë mbeten gjallë. Shumica e të mbijetuarve mbeten të gjymtuar fizikisht dhe mendërisht për gjithë jetën. Maria Nejkovа është ndër ata me plagët më të rënda, shërimi zgjat muaj. Pas kësaj date ajo kurrë më nuk feston ditëlindjen. Për këtë arsye ne kujtojmë personalitetin e saj të ndritshëm jo në ditën e lindjes, por në Fjetjen e Shën Mërisë, kur festojnë ditën e emrit të gjithë me emrin më të dashur, më të nderuar dhe më të përhapur në botë – emrin e Nënës së Zotit.
Me gjithë tragjedinë, karriera e Marias vazhdon me hov. Në vitin 1972 fiton konkursin kombëtar televiziv “Melodia e vitit” me këngën “Mirëmbrëma, natën e mirë”. Po atë vit krijon dhe interpreton muzikën për filmin hit “Briri i dhisë”, dhe vitin pasardhës shpërblehet me çmimin e dytë në “Orfeu i Artë”, kur çmimi i parë nuk është dhënë, për “Kam tokë”. Në vitin 1975 “Ballkanton” nxjerr pllakatën e saj të parë.
Nga krijimet e saj sot jashtëzakonisht e njohur është balada “Bota është për dy” e vitit 1980, e interpretuar nga Orlin Goranov. Por emblema e padiskutueshme e Maria Nejkovа-s si kompozitore dhe interpretuese është muzika për filmin “Briri i dhisë” dhe hiti i paarritshëm “Dy vetë”, i krijuar sipas traditave të Broduejit dhe Hollivudit – fillimisht melodia, pastaj teksti për të.
Edhe sot “Briri i dhisë” konsiderohet një nga arritjet më të larta të kinemasë bullgare. Disa madje i caktojnë vendin e “filmit më të mirë artistik bullgar të të gjitha kohërave”. Një triumf i minimalizmit, me buxhet modest, montazh virtuoz dhe dialog jashtëzakonisht lakonik, ai është i kuptueshëm dhe i lehtë për t’u perceptuar. Ky është ndoshta filmi i vetëm bullgar që ka bërë përshtypje të madhe në mbarë botën dhe ka nxitur interes për historinë bullgare.
Muzika e Maria Nejkovës është prekëse, dhe kënga “Dy vetë” prej kohësh jeton jetën e vet si shembull hiti.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: Arkiv, Qendra e Kinemasë Bojana, impressio.dir.bg, Facebook/ Filma bullgarë, YouTube