"Kush nuk i njeh 'Vallëzimet Trake'? Kush nuk ka dëgjuar për to?" – do të thërriste klasiku, po të kishte mundësi të dëgjonte vetëm disa takte nga suita emblematike. Në të vërtetë, edhe bashkatdhetarët tanë plotësisht të painformuar për muzikën klasike e kanë dëgjuar të paktën një herë fillimin e "Rëçenicës" së famshme.
"Vallëzime Trake" është partitura e parë, e krijuar nga kompozitori i madh bullgar Petko Stajnov, pasi përfundoi Konservatorin në Dresden dhe në vitin 1924 u kthye në qytetin e tij të lindjes, Kazanllëk. Fillimisht titulli ishte "Vallëzime Bullgare", dhe pjesët ishin tri: "Pajdushko", "Valle" dhe "Rëçenica". Në vitin 1926 suita u përpunua dhe u plotësua me "Vallëzimin e arushës". Që në ekzekutimin e parë në Sofje në janar të vitit 1927 nga Orkestra Filarmonike Popullore nën dirigjimin e Todor Haxhiev, ajo ngjalli entuziazëm.
Veprat e shquara të Stajnovit: "Legjendë", "Përrallë", "Ballkan", "Trakia", "Skerco Simfonik" skicojnë karakteristika thelbësore të simfonizmit bullgar nga vitet ’20 deri në vitet ’40 të shekullit të kaluar. Por "Vallëzime Trake" ka një vend të veçantë jo vetëm në rrugën personale të autorit, por edhe në praktikën krijuese dhe interpretative bullgare në përgjithësi. Pas ekzekutimit triumfal premierë në kryeqytet, doajeni i kompozitorëve bullgarë – Dobri Hristov, e përshëndeti Stajnovin me fjalët: "Ti realizove një ideal që ne nuk arritëm ta realizojmë. Më vonë do ta kuptosh çfarë ke shkruar. Muzika kombëtare bullgare që nga tani fillon ekzistencën e vet".
Duke e pranuar si mision idenë për krijimin e një stili kombëtar muzikor bullgar, Petko Stajnov hyn në historinë e kulturës sonë vendase edhe me baladat e tij korale. Shembuj të tillë si "Sekreti i Strumës", "Urviç", "Kalorësit", "Kumbari Gjerman" formojnë drejtimin e ri zhanror në muzikën bullgare. Ndërsa dhjetëra këngë korale a cappella të kompozuara dhe të aranzhuara prej tij janë ndër krijimet më të dashura dhe më shpesh të interpretuara në Bullgari. Kontributi i tij si studiues dhe si veprimtar shoqëror është gjithashtu mbresëlënës. Në vitin 1948 ai themeloi Institutin e Muzikës pranë Akademisë së Shkencave të Bullgarisë, të cilin e drejtoi deri në fund të jetës së tij. Nën drejtimin e tij u mblodhën dhe u regjistruan mbi 100 mijë këngë popullore. Ai arriti të kapërcente një mangësi të rëndë fizike – mungesën e shikimit, me lehtësi të dukshme. Por diçka e tillë është e mundur vetëm për një personalitet tepër inteligjent dhe jashtëzakonisht të talentuar. Një ndërtues i kulturës muzikore bashkëkohore bullgare me intuitë dhe largpamësi të habitshme.
Gjithçka e krijuar nga Petko Stajnov në mesin e shekullit XX në fushën e simfonisë, operës, korit dhe muzikologjisë, edhe sot është në themel të jetës sonë muzikore. Stajnov vendos një fillim të ri për muzikën tonë kombëtare jo vetëm si krijimtari profesionale, por edhe si etalon artistik dhe si emanacion i shpirtërores bullgare. "Rëçenica" e tij e famshme e ofrojmë në interpretimin më të bukur, më të sinqertë dhe më të vërtetë – të Orkestrës Simfonike të Radios Kombëtare Bullgare dhe dirigjentit legjendar Vasil Stefanov.
Shihni më tepër nga Arkivi i Radio Bullgarisë:
Petko Stajnov – një krijues i dhuruar me intuitë dhe largpamësi profesionale
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski