Artikull
Presidenti pret propozime për ambasadorë në kryeqytete kyçe
Hënë 25 Gusht 2025 13:56
Hënë, 25 Gusht 2025, 13:56
Madhësia e shkronjave
Tendenca për të emëruar përkohësisht drejtues të ambasadave të Bullgarisë nëpër botë nuk duhet të kthehet në normë, gjë për të cilën aktualisht ka tregues. Presidenti Rumen Radev e bëri këtë thirrje ndaj qeverisë përmes mediave, gjatë një vizite në Institutin Kombëtar Arkeologjik me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, ku pa ekspozitën e përkohshme me statujën e dytë të zbuluar në qytetin antik Heraklea Sintika. “Ambasadorët u miratuan javën e kaluar më në fund si paketë, ashtu siç duhet të jetë. Por edhe me kompromise nga ana ime”, theksoi ai, duke shtuar se ende pret propozimet e qeverisë për kryeqytete kyçe si Uashingtoni.
Deri së fundmi ambasador në SHBA ishte ish-ministri i përkohshëm i mbrojtjes, Georgi Panajotov. Në prill, ai dha dorëheqjen në mënyrë të papritur, më shumë se një vit para përfundimit të mandatit të tij katërvjeçar dhe u kthye në Bullgari. Ende nuk janë bërë publike arsyet zyrtare për vendimin e Panajotovit, as nuk dihet se kush do ta pasojë atë në këtë pozicion kyç për marrëdhëniet bullgaro-amerikane, shkruan gazeta “Sega”. Aktualisht, misioni diplomatik është nën drejtimin e një të ngarkuari me punë.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Facebook / Rumen Radev
Publikoi / Publikuan: БНР екип