Artikull
U zgjatën masat kundër lisë te delet dhe dhitë në rajonin e Plovdivit
Martë 26 Gusht 2025 15:53
Martë, 26 Gusht 2025, 15:53
Madhësia e shkronjave
Në rajonin e Plovdivit, situata epizootike mbetet e komplikuar në lidhje me sëmundjen e lisë tek delet dhe dhitë. Me qëllim kontrollin dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme, Agjencia Bullgare për Sigurinë Ushqimore njoftoi se do të zgjatet zbatimi i masave shtesë për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes, që nga sot, 26 gusht, deri në heqjen e tyre. Masat zbatohen në territorin e rajonit të Plovdivit, ndërsa për respektimin e tyre janë të angazhuar edhe rajonet e qyteteve Stara Zagora, Haskovo, Kërdzhali, Smoljan, Pazardzhik, Sofje-rajoni, Loveç dhe Gabrovo.
Është e ndaluar tregtia dhe lëvizja e kafshëve të imëta si delet dhe dhitë, përfshirë edhe daljen në kullotë, përveç rasteve të kafshëve që do të therën menjëherë ose që kalojnë tranzit. Kontrolli ndaj tregtisë ilegale është intensifikuar, parashikohet marrja e mostrave në rast dyshimi për sëmundjen, si dhe kontroll në pikat kufitare për parandalimin e importit ilegal.
Mbi 17 mijë kafshë janë shkatërruar deri tani për shkak të lisë, ndërsa shteti ende nuk ka marrë vendim për fillimin e vaksinimit, pavarësisht kërkesave të fermerëve. Sipas informacioneve jozyrtare dhe të pakonfirmuara nga sektori, disa fermerë nga Bullgaria Jugore kanë filluar tashmë të furnizohen me vaksina nga Turqia, gjë që është e ndaluar dhe e paligjshme, transmetoi gazetarja Veselina Millanova.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA - arkiv