Prima e operës dhe producentja Sonja Jonçeva me edicionin e dytë të ndritshëm të "Gala në Sofje"
Enjte
28 Gusht 2025
03:50
Enjte, 28 Gusht 2025, 03:50
Madhësia e shkronjave
Më 28 dhe 29 gusht, sheshi "Shën Aleksandër Nevski" do të bëhet përsëri një sallë koncertesh në ajër të hapur. Ylli bullgar i operës Sonja Jonçeva synon që festivali dy-ditor "Gala në Sofje" të bëhet një traditë vjetore - një urë lidhëse midis brezave, kulturave dhe zhanreve. Pas edicionit të parë të suksesshëm në vitin 2021, këtë vit eventi kthehet me dy mbrëmje, duke premtuar një festë të vërtetë për adhuruesit e operës, operetës, zarzuelës spanjolle, muzikës popullore bashkëkohore dhe muzikës filmike.
Në koncertin e parë, të titulluar "Mbrëmja italiane", tenori me famë botërore Vittorio Grigolo do të debutojë në Bullgari. Së bashku me Sonja Jonçevën, ai do të prezantojë një program interesant me arie dhe duete nga operat e Verdit dhe Puçinit, si dhe kanconeta të njohura italiane dhe melodi të preferuara nga filmat më të shikuara.
Mbrëmja e dytë (29 gusht) do të bashkojë për herë të parë në një skenë në Bullgari legjendat Plácido Domingo dhe José Carreras së bashku me Sonja Jonçevën. Ata do të interpretojnë arie dhe duete të preferuara nga operat e Verdit, Puçinit, Giordanos, Cilea-s, Bizet dhe Dvořák, hite nga operetat e Lehár, fragmente nga muzikalet e Leonard Bernstein dhe Mitch Lee, këngë të njohura dhe romancën e preferuar "Kjo thjesht nuk mund të jetë" ("No puede ser") nga zarzuela "Zonja e portit" nga Pablo Sorozábal, e shndërruar në një hit nga Plácido Domingo, i cili gjithmonë e interpreton atë në koncertet legjendare të "Tre Tenorëve".
Në fakt, "Gala në Sofje 2025" zhvillohet në vitin e 35-vjetorit të krijimit të kësaj marke globale, trios më të famshme të operës të të gjitha kohërave. Më 12 tetor, bota do të festojë edhe 90-vjetorin e lindjes së të paharrueshmit Luciano Pavarotti. Me këtë rast tenorët yje që do të vizitojnë vendin tonë - Domingo, Carreras dhe Grigolo, do të marrin pjesë gjithashtu në një koncert të madh në kujtim të Pavarotti në Arena di Verona vetëm një muaj pas koncerteve në Sofje.
Një shans unik për dashamirësit e muzikës bullgare është t’i shohin të tre në skenën bullgare së bashku me këngëtaren opersitike bullgare me famë botërore Sonja Jonçeva. Ky aktivitet e rendit Bullgarinë midis qendrave botërore të kulturës që tregojnë një respekt të madh ndaj traditës së operës, por i qasen asaj në mënyrë inovative, duke e kombinuar atë me zhanre të njohura muzikore dhe skenike. Orkestra në dy mbrëmjet e festivalit është tashmë partneri tradicional i Sonja Jonçevës për projektet e saj në Bullgari - Orkestra e Filarmonisë së Sofjes, nën udhëheqjen e dirigjentit të saj kryesor Najden Todorov. Një audiencë prej rreth 8000 njerëzish nga vendi dhe jashtë vendit pritet në sheshin “Shën Aleksandër Nevski”, ku më 28 dhe 29 gusht në orën 8 të mbrëmjes yjet do të këndojnë nën yjet e Sofjes.
Lexoni më shumë:
Sonja Jonçeva: Kultura nuk është vetëm e ardhmja jonë, por është çelës për një shoqëri më të mirëPërpiloi: Cvetana Tonçeva