MUZIKË

Artikull

Shembuj të kulturës muzikore bullgare: Filip Kutev – "Todora është shtrirë"

Premte, 29 Gusht 2025, 03:00

Shembuj të kulturës muzikore bullgare: Filip Kutev – "Todora është shtrirë"

Madhësia e shkronjave

Muzikanti i madh bullgar Filip Kutev (1903 – 1982) është krijues i shquar dhe i veçantë, përfaqësues i të ashtuquajturës "brezi i dytë" i kompozitorëve bullgarë. Në vitin 1951, së bashku me bashkëshorten e tij Maria Kuteva (filologe dhe folkloriste), ai themelon Ansamblin Shtetëror për këngë dhe valle popullore, i cili vë fillimin e lëvizjes "Koret dhe ansamblet popullore" tek ne. 
Deri në vdekjen e tij, Filip Kutev është drejtori kryesor artistik i Ansamblit. Ai e afirmon nivelin e tij të lartë profesional dhe popullaritetin botëror. Përsëri ai bën përpunimet e para të këngëve popullore origjinale njëzëshe për kor shumëzërësh, duke ruajtur melodinë autentike. Krijimtaria e tij autoriale mbi bazën popullore kthehet në klasikë dhe shembull për krijuesit e tjerë bullgarë në zhanrin e përpunimit folklorik. Dhjetëra kryevepra të tij autoriale sot konsiderohen folklor origjinal dhe janë emblemë muzikore e Bullgarisë për botën. Por një nga këngët sikur është e papërballueshme në popullaritet.
Historia e "Todora është shtrirë"  është e njohur, por më së miri e tregon bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e krijuesit të madh bullgar, nëna shpirtërore e Ansamblit "Filip Kutev" – Maria Kuteva: "Ndihmëset e Filip Kutevit në punën e tij me korin ishin dy motrat Pavlina dhe Parashkeva Popovi nga fshati Kalugerovo, Pazarxhik. Të dyja të edukuara, modeste dhe punëtore – ato me ndërgjegje të jashtëzakonshme përpunonin pjesët e veçanta, aq më shumë që në fillim gjithçka mësohej vetëm me dëgjim... Pas disa vitesh Pavlina Popova (Bedrova) u bë edhe me detyrë "dirigjente e korit", ndërsa Parashkeva – ndihmëse e saj…"
"Ishte në vitin 1953. Në pranverë kishim shkuar për herë të parë jashtë shtetit. Ansambli mori pjesë në festimet muzikore "Pranvera e Pragës", Çekosllovaki. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. /…/ Dhe shumë pak pas kthimit tonë morëm pjesë në Festivalin e katërt botëror rinor në Bukuresht... Ktheheshim, udhëtonim me autobusë. Dhe buzë Danubit ndaluam për pushim. Ishte mbrëmje, njerëzit u ulën në grupe drejt e në tokë. Edhe këngëtaret bënë rrethin e tyre dhe filluan të këndojnë ashtu, thjesht për kënaqësi personale. Atëherë Pasha (Parashkeva) Popova këndoi një këngë të saj gjoja të thjeshtë – "Todora është shtrirë". E mori Pavlina, e morën të gjitha. Ose shpirtrat e çliruar nga tensioni të vajzave, ose gjendja e gëzueshme e të gjithëve, ose mbrëmja e freskët dhe e këndshme buzë Danubit me dritat e fundit të diellit që perëndonte, ose gëzimi që po ktheheshim në shtëpi – sigurisht gjithçka së bashku bëri ndikimin e jashtëzakonshëm.
Këtë këngë prej 2 + 2 taktësh, me kuplet, edhe herë tjetër e kishim dëgjuar. Por tani na magjepsi... Pushimi i vogël pas kthimit tonë ishte tërësisht i përkushtuar tek "Todora është shtrirë". Filipi e përpunoi për kor antifonal – melodinë e harmonizuar dhe kuartetin vokal. Kuartetin e shkroi tërësisht Filipi – ashtu siç ndjeu një vazhdim natyral të melodisë ndryshe të thjeshtë. Kur në vjeshtën e vitit 1953 përsëri filluam punën, kënga ishte gati në pamjen e saj përfundimtare... Të gjithë aq u dashuruan me këtë këngë, saqë jo vetëm atëherë, por edhe deri më sot ëndrra e shumë këngëtareve është të përfshihen në kuartet…".
"Todora është shtrirë" – një nga himnet jozyrtarë bullgarë, sot është simbol i Ansamblit Kombëtar Folklorik "Filip Kutev". Për një vit të tërë kënga ka qenë emblemë e njërit prej emisioneve më të njohura radiofonike në Japoni me dëshirë të dëgjuesve. Gjashtë dekada pas krijimit të saj ajo tingëllon në fillim të filmit kinematografik të suksesshëm “The Banshees of Inisherin”, që mori në vitin 2023 tetë nominime për Oskar, katër çmime BAFTA dhe dy – Globe të Artë. 
Ja interpretimi madhështor i këngëtarеve nga Ansambli “Filip Kutev” me solistet Verka Siderova, Janka Taneva, Roza Cvetkova dhe Sidera Nikollova.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: philipkoutev.com, clubabagar.com, Facebook /The Banshees Of Inisherin