Autor
Cvetana Tonçeva
Seksion
Shtunë 29 Nëntor 2025 10:20
Shtunë, 29 Nëntor 2025, 10:20
“André Chénier” në Stara Zagora – triumfi i një trupe njëqindvjeçare
FOTO: Facebook/StateOperaStaraZagora
Madhësia e shkronjave
Më 21 dhe 22 nëntor, trupa e teatrit të parë operistik jashtë kryeqytetit në Bullgari, për herë të parë në historinë e saj 100-vjeçare, prezantoi “André Chénier” të Umberto Giordanos. Sipas traditës, premiera e organizatorëve hapi Festivalin e vetëm dhe unik të Artit Operistik dhe Baletit, jo vetëm në vend, por edhe në Ballkan. Dy net radhazi – duartrokitje, ovacione të pafundme, thirrje entuziaste në sallën e mbushur plot. Rrallë jemi dëshmitarë të një entuziazmi të tillë në teatrin muzikor bullgar.
FOTO: Facebook/StateOperaStaraZagora
“André Chénier” – një partiturë sfiduese dhe e vështirë, e interpretuar me frymëzim, mjeshtëri, precizion, shije të hollë, të denja për një spektakël botëror. Merita i takon ekipit realizues, i kryesuar nga regjisori Ognjan Draganov, i cili gjatë dhjetë viteve të fundit e ka transformuar Operën e Stara Zagorës në një teatër me përmasa evropiane. Kasti i njohur i premierës – Dario Di Vietri (Chénier), Tanja Ivanova (Madalena) dhe Kirill Manollov (Gérard), e shndërroi shfaqjen e parë në një mbrëmje të shkëlqimit vokal, që arriti kulmin me arien e Gérard nga akti i tretë. Shfaqja e dytë – një mbrëmje e mjeshtërisë aktoriale, frymëzimit në skenë dhe entuziazmit në sallë. Një Chénier emocional dhe me zë të fuqishëm nga Boris Taskov, një Gérard i vërtetë dhe i interpretuar shkëlqyeshëm nga i ftuari nga Koreja e Jugut, Gangsoon Kim, dhe një Madalenë drithëruese e prekëse nga Tamara Kalinkina – solistja e Operës Kombëtare të Ukrainës, e cila prej tre vitesh është një primadonë e padiskutueshme, një nga stolitë e Operës së Stara Zagorës.
FOTO: BTA
Regjisori ndan posaçërisht për Radio Bullgarinë:
“Mendoj se këtë mbrëmje u krijua një festë e madhe në Stara Zagora dhe jam i lumtur që isha pjesë e saj. Munda të shihja në sallë – fytyrat e buzëqeshura, duartrokitjet e pafundme, për të cilat jam mirënjohës, sepse Opera në fakt është e gjallë, Opera ecën përpara dhe mund të ecë përpara.”
Për artistin e talentuar Denis Ivanov, “André Chénier” është titulli i 30-të në rrugëtimin e tij krijues dhe i 15-ti në Operën e Stara Zagorës.
“Edhe pse është gjoja një inskenim klasik, në të ka shumë elemente moderne të ndërthurura me delikatesë. Sepse në kostume, sidomos në aktin e parë, megjithëse me atë zbukurim të nevojshëm për stilin rokoko, shohim një linjë bashkëkohore. Me këto fustane mund të dilet fare qetë në një koncert festiv – një këngëtare mund t’i veshë. Paruket janë shumë të pasura, shumë të bukura. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua. Në çdo inskenim – nëse nisem nga aspekti “à la” klasik, gjithmonë kujdesem që të mos ‘mbajë erë të vjetër’ dhe të mos duket si e nxjerrë nga 30 vite më parë. Kjo është e vështirë për t’u arritur dhe bëhet pikërisht me ekuilibër dhe elegancë. Kërkon shumë përvojë në punë që të mos bëhet kitch, të mos jetë e varfër, të mos i mungojë asgjë, por as të mos jetë e tepruar, sepse… nuk është bukur dhe publiku e ndien gjithçka në mënyrë intuitive dhe mërzitet shumë nga këto çekuilibra.”
FOTO: Facebook/StateOperaStaraZagora
Në spektakle binte në sy lidhja e jashtëzakonshme mes orkestrës dhe skenës. “Mund të them se të gjithë ishin shumë entuziastë dhe reagonin shkëlqyeshëm” – thotë dirigjenti Pavell Balev, i cili gëzohet që ka pasur mundësinë që në sezonin jubilar të realizojë pikërisht këtë titull mbresëlënës.
Qyteti dhe Opera e tij zotërojnë një frymë të papërsëritshme, një energji të admirueshme dhe kanë histori të ngjashme. Të djegura dhe të shkatërruara, me kohën ato ringrihen si feniksi nga hiri. Sot Opera e Stara Zagorës është një teatër i jashtëzakonshëm, i krahasueshëm me ato evropiane. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave, Stara Zagora dhe rajoni janë në vend të dytë në Bullgari për nivelin e zhvillimit ekonomik. Qyteti i blinjve dhe poetëve dhe Opera e tij presin mysafirë në Festivalin unik të artit operistik dhe baletit çdo vit – në fund të nëntorit dhe fillimin e dhjetorit.
FOTO: Facebook/StateOperaStaraZagora
Lexoni më tepër:
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello