POLITIKË

Artikull

20 organizata bullgare nga Maqedonia e Veriut në takim në parlamentin e Sofjes

Stojan Tasllakov: Politikat e Maqedonisë së Veriut ndaj bullgarëve atje e largojnë vendin nga anëtarësimi europian

Shtunë, 6 Dhjetor 2025, 09:05

Parlamenti

Parlamenti

FOTO: Ani Petrova

Madhësia e shkronjave

Sulmi ndaj gazetarit Vlladimir Perev, një javë më parë në Shkup, shkaktoi reagime të ashpra nga deputetët bullgarë. Komisioni për Politikë të Jashtme në Kuvendin Kombëtar miratoi një deklaratë që dënon këtë akt dhune të motivuar nga urrejtja ndaj mbrojtësit të të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.


Duke marrë parasysh retorikën shumë negative publike kundër bullgarëve, e artikuluar nga nivelet më të larta politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, deputetët kërkojnë që autoritetet në vendin fqinj të ndalin çdo veprim dhe deklaratë që justifikon dhunën dhe të shprehin mospajtim me mohimin publik dhe minimizimin e ekzistencës së një problemi serioz me të drejtat dhe sigurinë e bullgarëve atje. Bëhet thirrje që Maqedonia e Veriut të garantojë respektimin e të drejtave dhe dinjitetit të të gjithë qytetarëve pa diskriminim, ndërsa autoritetet të marrin masat e nevojshme për të parandaluar gjuhën e urrejtjes dhe dhunën kundër bullgarëve.


“Ky është sinjali se Bullgaria tashmë po reagon dhe asnjë rast i tillë nuk do të lihet pas dore,” komentoi për Radio Bullgarinë deputeti Stojan Tasllakov. Çështja e dhunës ndaj Vllado Perevit ishte në qendër të mbledhjes së Komisionit për Politikat ndaj Bullgarëve jashtë Vendit, i drejtuar prej tij, në të cilën për herë të parë u mblodhën rreth 20 shoqata të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.


“Ata i dënojnë njëzëri sulmet ndaj përfaqësuesve të komunitetit bullgar. Edhe pse jo gjithmonë kanë një qëndrim të unifikuar, raste të tilla i bashkojnë,” theksoi Tasllakov pas mbledhjes së komisionit. Ai shpjegoi: “Shumica e organizatave merren me projekte duke aplikuar në programe të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, merren me organizimin e aktiviteteve të ndryshme, mirëmbajtjen e varrezave dhe monumenteve të ushtarëve bullgarë, përgatitjen dhe ndihmën për kandidat-studentët. Por për herë të parë arritën të takohen në të njëjtin vend, në Sofje. Disa prej tyre as nuk njiheshin me njëri-tjetrin,” tregoi kryetari i Komisionit Parlamentar për Bullgarët jashtë Vendit.

Stojan Tasllakov

FOTO: BGNES

Sipas tij, politika që ndjek Maqedonia e Veriut ndaj qytetarëve bullgarë në territorin e saj e largon atë nga mundësia për t’u bërë anëtare e BE-së.


“Kur i ftova organizatat, doja të tregonim se jemi të shqetësuar për ta, por edhe të njiheshim, sepse rezultoi se shteti bullgar nuk ka kontakte me një pjesë të madhe prej tyre. Për ne ishte mjaft e vështirë t’i gjenim dhe t’i ftonim, por në fund ia dolëm,” përfundoi ai.


Dy nga shoqatat bullgare të pranishme në takim kanë njoftuar përgatitjen e një podcasti pro-bullgar. I ftuari i parë pritet të jetë ambasadori bullgar në Shkup, Zheljazko Radukov. Biseda me të do t’i kushtohet temës së vetëdijes bullgare.


Gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar për bullgarët jashtë vendit, përfaqësuesit e shoqatave bullgare në Maqedoninë e Veriut kanë deklaruar se presin një mbrojtje edhe më të vendosur nga ana e Bullgarisë.


“Hapat tanë të ardhshëm janë të komunikojmë më shpesh me ta, të organizojmë aktivitete kulturore, sepse shembulli i mirë, e mira, gjithmonë mund ta mposhtë urrejtjen, dhe vetëm përmes kulturës dhe shembujve mund të afrohen dy popujt tanë,” tha në përfundim Stojan Tasllakov.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello