SHOQËRI

Artikull

Bullgarët demonstruan jotolerancë ndaj modelit të qeverisjes së shtetit

Enjte, 11 Dhjetor 2025, 13:55

Bullgarët demonstruan jotolerancë ndaj modelit të qeverisjes së shtetit

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

“Duam ndryshim! Protestojmë për një të tashme më të mirë! Dorëheqje! … Mijëra bullgarë mbushën sheshet e Sofies dhe të qyteteve më të mëdha të vendit dhe kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe largimin e Deljan Peevskit dhe Bojko Borisovit nga pushteti. Vala protestuese doli jashtë kufirit të shtetit – pankarta kundër korrupsionit dhe modelit të qeverisjes në atdheun e tyre ngritën edhe bashkatdhetarë në shumë qytete të Evropës, duke dëshmuar se pakënaqësia nuk është lokale, por pjesë e një impulsi më të gjerë qytetar ndër bullgarët, kudo që të ndodhen.

“36 vjet bullgarët kërkojnë demokraci dhe ndryshim, por ndodh zëvendësim. Mjaft!” – Gjenerata Z doli në sheshe dhe dha sinjal për jotolerancë:

FOTO: BTA

“Jemi në protestë, sepse duam ndryshim dhe reforma në Bullgari, në mënyrë që të ndalojmë së qeni shteti më i varfër në Evropë. Protestojmë kundër lëkurëtrashësisë së politikanëve tanë. Tani ndjehet një energji më e ndryshme, shumë më shumë njerëz vijnë dhe unë personalisht kam disa shpresa. Në çdo rast do të votoj nëse ka zgjedhje të parakohshme. Unë gjithmonë votoj, por tani jam i inkurajuar që ka një mobilizim mes votuesve dhe se kjo ka potencial të sjellë ndryshime pozitive në Bullgari” – tha për Radio Bullgarinë Dejan Cvjatkov, një nga turmat shumë-mijëshe në qendrën e Sofies. Për dorëheqjen e qeverisë aktuale bëri thirrje edhe Lili Cenova:

FOTO: BTA

“Duhet të ndodhë ndryshim radikal dhe më në fund këta njerëz të kuptojnë se nuk janë të dëshiruar, se duhet të largohen dhe t’u jepet zë të rinjve. Përmes mediave moderne të sotme nuk mund të abuzohet më me këtë lëvizje shoqërore, sepse nuk mund të fshihet dhe secili e sheh.”

Të pushtetshmit kanë shteruar kredinë morale të besimit të qytetarëve bullgarë dhe tani ata kërkojnë zgjedhje të parakohshme, me pjesëmarrje të lartë, të cilat të nxjerrin shumicë legjitime – parlamenti aktual është përbërë pasi në kutitë e votimit në tetor të vitit 2024 shkuan vetëm 38% e votuesve.

FOTO: BTA

“Nuk e aprovoj qeverisjen e tanishme në parlament dhe persona të caktuar, të gjithë i dimë. Për këto vite unë nuk kam parë zhvillim në Bullgari, punoj në fushën e kulturës, aty mund të themi me zhargon se jemi ‘vrima e fundit e kavallit’. Mendoj se i gjithë modeli politik duhet të ndryshojë – kjo elitë të zhduket. Nëse bie kjo qeveri, pres zgjedhje të reja adekuate, votimi me makineri të kontrollohet dhe njerëzit të kenë dëshirë të kontribuojnë për zgjedhje të ndershme” – shpjegon motivet e tij për pjesëmarrje në protestë Volen Vlladov nga Sofia.

I organizuar nga koalicioni opozitar “Po e Vazhdojmë Ndryshimin” si reagim ndaj buxhetit të përgatitur për 2026, protesta u shndërrua në antiqeveritare dhe mbi-partiake. Pakënaqësia kombëtare masive bashkoi njerëz nga breza të ndryshme. Dolën me fytyra të ndritura, të disponuar pozitivisht të shprehnin vullnetin e tyre dhe e bënë këtë kategorikisht, shumëngjyrësh – me muzikë, performanca dhe paqësisht.

FOTO: BTA

“Jemi në protestë të gjithë me foshnjën 5-muajshe dhe vajzën 4-vjeçare, thjesht sepse edhe gjyshërit janë këtu dhe s’ka kush t’i shikojë – na thotë Johana Trajanova. – Jemi këtu sepse me të vërtetë na pëlqen në Bullgari, duam të qëndrojmë në Bullgari. Dhe si prindër mbajmë përgjegjësi shumë serioze – të ketë të ardhme në vendin tonë. Por me këtë model të qeverisjes, i cili është prej shumë vitesh, unë gjithnjë e më pak shoh të ardhme për fëmijët e mi. Dhe jam këtu sepse dua që kjo të ndryshojë – të kemi një shtet normal europian, i cili të sigurojë arsim të mirë për fëmijët, infrastrukturë të mirë, strukturë të mirë rrugore dhe shëndetësore... Por të gjitha ‘strukturat’ për momentin janë nën çdo kritikë. Dhe e di që kjo mund të ndryshojë, sepse shumë të rinj duan të qëndrojnë këtu, duan ta shohin dhe ta realizojnë këtë ndryshim!”

FOTO: Veneta Nikollova

“Ndenjat që vëzhgojmë janë shumë të dobishme. Në moment po shohim refuzim të pajtimit” – thotë politologia Darija-Llora Daçeva për BNR, dhe akad. Ivan Illçev sqaron: “Kjo nuk është një protestë banale për 50 ose 100 leva më shumë në pagë. Kjo është protestë kundër moralit të politikanëve bullgarë. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për para, por për vlera. Njerëzit tashmë nuk pranojnë të mashtrohen në mënyrë arrogante dhe pa u ndëshkuar. Është grumbulluar një ndjesi për mungesë të plotë kufijsh.”

Përmasat e pakënaqësisë shoqërore shkurtojnë horizontin politik të të pushtetshmëve, komentojnë më tej analistët. A do të bjerë pushteti nën presionin e protestuesve – mbetet të kuptojmë. Partitë që përbëjnë qeverinë – GERB, BSP dhe ITN, të mbështetura nga DPS – Fillimi i ri, janë kategorike se nuk do të lejojnë destabilizimin e shtetit “metra para vijës së fundit” për pranimin e euros: “Hyrja në eurozonë është detyrë gjeostrategjike. Nuk do të lejoj që ajo të kompromentohet për shkak të përplasjeve të brendshme politike”, deklaroi Bojko Borisov para gazetarëve në Kuvendin Popullor. Ai theksoi se i dëgjon të gjitha sinjalet nga rruga dhe dha sinjal se është gati të vendosë temën për dorëheqje dhe zgjedhje të reja pas 1 janarit: “Shpresoj që çdo bullgar të mund të tërheqë qetësisht euro nga bankomati – ky është qëllimi i madh, që askush nuk ka të drejtë ta sabotojë”, vuri në dukje lideri i partisë mandatore GERB.

Vienë

FOTO: BTA

Durimi megjithatë nuk është i natyrshëm për rininë. Mbi 150 bullgarë dolën në sheshin para operës në Vjenë, të organizuar nga dy studentë – 18-vjeçari David Radosllavov dhe kolegu i tij Cvetomir Patarinski.

Këta të rinj, të cilët janë në universitetet evropiane, bullgarët në botë, nuk kanë çfarë të presin, sepse ata prej kohësh janë në eurozonë dhe nuk i kënaq deklarata e Bojko Borisovit, “të hyjmë në eurozonë dhe pastaj do të flasim për dorëheqje” – është kategorike Marijana De Meo nga Vjena, duke ndarë para BNR përshtypjet e saj nga protesta në kryeqytetin austriak:

FOTO: BGNES

“Të gjithë këta njerëz, me flamuj dhe pankarta, donin të shprehnin neverinë e tyre ndaj vulgaritetit, nga mafia që shëtit në Bullgari. Unë jam person, i cili në vitin 2020 organizonte protestat me miqtë e mi këtu në Vjenë dhe mund të them qetësisht se ndryshimi tani është te brezi që u mblodh. Këta ishin njerëz jashtëzakonisht të rinj, i kanë bërë pankartat e tyre dhe në mënyrën më të pastër dhe më të bukur shprehën neverinë e tyre nga realiteti në Bullgari, dëshirën e tyre të madhe për të studiuar dhe për të punuar në Bullgari. Tani mbaj shpresë që të gjitha partitë e djathta dhe skajshmërisht të djathta, të cilat degradojnë dhe flasin atë që fëmijët duan të dëgjojnë, të mos ua shpërlajnë trurin. Kjo është detyra jonë – t’i mbrojmë nga kjo!”

Bullgarë protestuan gjithashtu në Berlin, Londër, Barcelonë, Bruksel, Hagë, Cyrih, Stokholm dhe të tjerë.

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski

Foto: Veneta Nikollova