POLITIKË

Artikull

Dorëheqja e qeverisë hyri në parlament. Cilat janë reagimet?

Enjte, 11 Dhjetor 2025, 17:50

Dorëheqja e qeverisë hyri në parlament. Cilat janë reagimet?

FOTO: BNR

Madhësia e shkronjave

Pas një serie protestash masive në Bullgari, të provokuara nga buxheti për vitin 2026 i paraqitur nga qeveria, në administratën e Kuvendit Popullor kryeministri Rosen Zheljazkov depozitoi dorëheqjen e Këshillit të Ministrave që ai drejton. Pritet që votimi për dorëheqjen në parlament të zhvillohet nesër, më 12 dhjetor. Nëse ajo miratohet, sipas dispozitave të Kushtetutës, presidenti do të dorëzojë mandatet hulumtuese për formimin e një qeverie të re brenda përbërjes së parlamentit të 51-të. Në rast dështimi, do të caktohen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe do të emërohet një qeveri e përkohshme.    


FOTO: BTA

“Dorëheqja është hapi i parë që Bullgaria të bëhet një shtet normal evropian”, deklaroi në një konferencë për shtyp pas dorëheqjes kryetari i Partisë “PP” Asen Vasilev, pjesë e koalicionit opozitar PP-DB, i cili nisi protestat kundër qeverisë.

“Ne nuk do të marrim pjesë në asnjë shumicë tjetër, as në ndonjë ristrukturim të këtij Kuvendi Popullor, sepse pjesa më e madhe e parlamentit kontrollohet nga Deljan Peevski. Nga tani e tutje Bullgaria duhet të shkojë në zgjedhje. Presidenti duhet të zgjedhë një kryeministër të përkohshëm që të mos jetë i varur nga Peevski”, deklaroi për BNR bashkëkryetari i “Po, Bullgaria” Ivajllo Mirçev.

Kujtojmë se sipas ndryshimeve të fundit në Kushtetutë, të propozuara nga PP-DB, GERB dhe DPS, presidenti mund të zgjedhë kryeministrin e përkohshëm nga: kryetari i Kuvendit Popullor, guvernatori ose zv.guvernatori i Bankës Kombëtare Bullgare, kryetari ose zëvendës-kryetari i Dhomës së Thesarit dhe avokati i popullit ose zëvendësi i tij. 


FOTO: BTA

Nuk do të ketë asnjë ristrukturim. Pas këtyre manovrave prej tarikati, ata nuk do të ngjiten më mbi shpinën time. Asnjë buxhet nuk do të shqyrtohet nga ne”, deklaroi lideri i GERB, Bojko Borisov.

FOTO: BTA

“Fituesi është dikush tjetër dhe le të vijë që sot.” Ky ishte komenti i liderit të “DPS – Fillimi i Ri”, me të cilin iu drejtua PP-DB pak minuta pasi kryeministri Rosen Zheljazkov shpalli dorëheqjen e qeverisë. “Bullgaria duhet të jetë një shtet social dhe duhet të ndihmojë njerëzit. Për këtë arsye, përgjegjësia e plotë tani bie mbi koalicionin “Soros” – PP-DB, dua të them”, shtoi ai.

FOTO: BNR

“Pranoj se jam i befasuar nga dorëheqja e qeverisë, dhe në mënyrë të këndshme. Rrallë ndodh një gjë e tillë në politikën bullgare”, tha lideri i “Vëzrazhdane”, Kostadin Kostadinov, për BNR.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

 

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova