Artikull
Mërkurë 24 Dhjetor 2025 07:00
Mërkurë, 24 Dhjetor 2025, 07:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
“Nuk hamë mish dhe atëherë lind Jezu Krishti” – kështu na e përshkroi një zë i vogël fëmijëror Natën e Buzmit – festën që, me bollëkun e simboleve, urimeve dhe bekimeve, i mbledh familjet, që në qetësinë e natës të kujtojnë përulësinë, të strehojnë shpresën dhe të zhyten në atë dashuri e mbështetje që secili e merr nga të afërmit.
FOTO: Dr. Anelija Ovnarska
Me ngrohtësinë e Buzmit që po shkon drejt shuarjes, në pritje të Lindjes, traditat, kultura dhe shpirtërorja kanë fluturuar përmes shekujve për të arritur edhe në shekullin XXI – atë në të cilin hapësirat online shndërrohen në shpresë për mbështetje, inteligjenca artificiale premton t’i bëjë të gjitha në vendin tonë, reklamat e zhurmshme nxisin drejt blerjes pothuajse hipnotike, ndërsa vlerat ndryshojnë parametrat e tyre çdo ditë që kalon. Përballë mundësisë për ta humbur veten në një botë që me vrull po vrapon drejt diçkaje të panjohur, u përpoqëm të shohim përmes syve të brezave të ndryshëm, për të kuptuar se si e përjetojnë sot Natën e Buzmit dhe Krishtlindjen.
Më shumë se një dekadë më parë, gjyshja Zhivka nga fshati Breze pranë Sofjes u kthye në fëmijërinë e saj dhe rrëfeu për BNR-në për traditën e Natës së Buzmit:
FOTO: Radio Vidin
“E sillnin kashtën, e shtronin në tokë, pastaj mbulesën, radhisnim ushqimin dhe të gjithë uleshim përreth në tokë. Kishte kumbulla, fasule, lakër dhe kulaç, i gatuar me para – për të parë kujt do t’i binte monedha. Kur e mblidhnim kashtën, e vendosnim mbi kumbullat – që të japin fryt! Secili ishte me familjen e vet dhe në shtëpi. Si fëmijë që isha, ishte gëzim siç është edhe tani!” – kështu e përshkruan festën një përfaqësues i brezit të Tradicionalistëve, i lindur ndërmjet viteve 1925–1945.
FOTO: BTA
Pothuajse një shekull më vonë, përfaqësuesit e brezit Alfa, të lindur pas vitit 2012, gjithashtu ulen rreth tryezës pa mish në Natën e Buzmit.
“Gatuajmë kulaç, nuk hamë mish dhe atëherë lind Jezu Krishti”… “Bëjmë byrek me fatet dhe një monedhë brenda, dhe më i moshuari duhet ta ndajë kulaçin në dy pjesë”… “Hahen vetëm ushqime pa mish… fasule. Festojmë” – listojnë nxënësit e Shkollës së Mesme të 97-të të Sofjes "Vëllezërit Milladinovi", duke përzier rituale festive dhe simbolikë.
FOTO: Veneta Nikollova
Breza të ndryshëm kanë interpretimin e tyre të simboleve festive dhe shpesh këto perceptime janë krejtësisht të kundërta. Vetëm dy vjet më parë përfaqësues të brezave X, Y dhe Z /të lindur në dekadat ndërmjet 1965 dhe 1996/ “shpërthyen” rrjetet sociale me diskutime për Plakun e Krishtlindjes me mjekër të bardhë dhe “dublikatin socialist”, sipas disava, Plakun Mraz. Një studim i BNT-së atëherë, duke u mbështetur te etnologë dhe historianë, arriti t’i qetësonte pasionet me dëshmi se figura nga fillimi i shekullit XX nuk lidhet me atë të sjellë më vonë nga Bashkimi Sovjetik.
FOTO: Veneta Nikollova
Sot disa përfaqësues të brezit Alfa ndoshta nuk kanë dëgjuar për Plakun Mraz, por emocionohen fort nga tradita që një plak me mjekër të bardhë u sjell dhurata fëmijëve për Krishtlindje dhe nxitojnë të ndajnë dëshirat e tyre – lojëra, konzolë, libër, top futbolli… Me gëzim rendisin edhe gjërat më të dashura për ta gjatë festave:
“Më pëlqejnë më shumë sarmët” – thotë një nga fëmijët në shkollën “Vëllezërit Milladinovi”, ndërsa të tjerë shtojnë: – “Edhe mua, që i kalon festat me familjen!”… “Që mund të bëj ski”… “Më pëlqen që fle në orën 11 të mbrëmjes dhe mund të bëj pothuajse çfarë të dua – ‘pothuajse’, sepse për shkak të mamit nuk mund të luaj në PlayStation, nëse më parë nuk lexoj ose nuk i shkruaj detyrat…”
FOTO: Vanja Mineva
Nga ana tjetër, në platformat online, përdorues nga brezat Y dhe Z ndajnë se e festojnë Natën e Buzmit dhe Krishtlindjen me të afërmit e tyre më të moshuar. Jo rrallë, festat janë kohë për pak dembelizëm të shëndetshëm pas përditshmërisë së lodhshme të ditëve të javës. Nuk mungon as nostalgjia për të kaluarën, kur Krishtlindja në trevat tona ishte sinonim i një shtrese të trashë bore, oxhaqeve që nxirrnin tym, pistave për rrëshqitje dhe gëzimit. Prandaj nuk duhet të na befasojnë komentet në rrjetet sociale: “Që kur ndryshoi klima, iku edhe humori im i Krishtlindjes. Mbaj mend sa magjikisht ndihesha, duke parë borën që shndritte mbrëmjen e Krishtlindjes, rrobat e ngrohta, rehatinë në shtëpi, ndërsa ne fëmijët bënim vargje dhe fenerë nga letrat me ngjyra. Nuk ka më drithërima, nuk ka më atë ndjesi nën lugë…”
Edhe fëmijët e sotëm të brezit Alfa nuk i pëlqejnë disa aspekte të festave:
“Kjo që mësuesja do të na japë shumë detyra”… “Nuk më pëlqen që ka fëmijë që nuk marrin dhurata!”… “Nuk e dua vallen”… “Edhe mua nuk më pëlqen që nuk hamë mish”… “Nuk më pëlqen Krishtlindja, sepse kur të gjithë flasin, mua nuk më kushtohet vëmendje!”
Dhe nëse breza të ndryshëm kanë këndvështrime të ndryshme ndaj traditave festive dhe vendit të tyre në jetën e sotme, atëherë shpresa për një të ardhme më të mirë është ajo që i lidh. Këtë e kuptojmë nga urimet për Natën e Buzmit dhe Krishtlindjen, të cilat sikur mbeten të pandryshuara ndër shekuj. Edhe vogëlushët nga shkolla e 97-të i dërgojnë me entuziazëm drejt bashkëmoshatarëve të tyre në mbarë botën:
FOTO: BTA
“Të jenë shumë të mirë dhe të lumtur dhe të kenë shumë momente të bukura në jetë!”… “Të marrin shumë dhurata dhe ta kalojnë bukur me prindërit e tyre!”… “Të jenë gjallë e shëndoshë dhe Zoti t’i ruajë!”… “Të mos kenë detyra dhe, mbi të gjitha, të mos bien e të mos thyejnë këmbë e duar!”… “Të jenë fisnikë!”… “T’i kalojnë festat shumë bukur!”
Në pritje të Lindjes, nuk do të gabojmë nëse vërejmë se tradita e festës është ende “e gjallë”, ndërsa urimet gjithmonë mbajnë shkëndijën e magjisë së Krishtlindjes, e cila premton t’i bëjë realitet. Kështu qoftë!
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski