Artikull
Mërkurë 31 Dhjetor 2025 11:00
Mërkurë, 31 Dhjetor 2025, 11:00
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Në minutat e fundit të vitit që po mbyllet, koha sikur ndalet për një çast. Bilancet mbeten pas nesh, ndërsa vështrimi ynë është i drejtuar përpara – drejt fillimit të ri. I themi lamtumirë vitit 2025 – një vit i vështirë dhe i mbushur me ngjarje dramatike për botën, por edhe një vit që na kujtoi sa të çmuara janë besimi, njerëzillëku dhe shpresa.
Në prag të vitit 2026, sipas traditës së vjetër, mblidhemi me të afërm dhe miq për të pritur fillimin e ri me urimin për paqe dhe ditë më të mira. Për çdo bullgar – në atdhe dhe kudo në botë, 31 dhjetori është ditë gëzimi dhe pritjeje për mirëqenie, begati, çaste më të lumtura dhe më të qeta. Këto urime jua drejtojmë edhe ne – me muzikë festive bullgare, emblematike për këtë ditë.
Për dekada të tëra, Vallja e Djathtë Veriore, krijuar nga Diko Iliev në pranverën e vitit 1937, shoqëron natën e Vitit të Ri të bullgarëve. Prandaj e nisim këtë koncert të veçantë me të famshmin "Vallëzimin e Danubit" – simbol muzikor i shpresës, bashkësisë dhe fillimit të ri.
Atmosfera festive dimërore vazhdon me një këngë të mrekullueshme bullgare për fëmijë, e cila ka gjetur vend madje edhe në tekstet shkollore japoneze të muzikës. "Mbi Fushat e Heshtura" është shkruar nga Dimitër Spasov dhe muzikë nga i paharruari Hristo Nedjallkov – krijues dhe dirigjent i Korit të Fëmijëve të Radios për më shumë se gjysmë shekulli. Një këngë që sjell gëzim, tinguj zileje, gjallëri, lojëra dhe slita të shpejta – një përrallë e vërtetë dimërore.
Në prag të 1 janarit, festa e shumë bullgarëve shoqërohet nga programet festive të Vitit të Ri të Televizionit Kombëtar Bullgar. Një prej tyre – transmetuar natën e 31 dhjetorit 1971, mbetet e paharrueshme me pjesëmarrjen e një legjende muzikore. Shfaqja televizive për pritjen e vitit 1972 është xhiruar me pjesëmarrjen aktive të këngëtares jashtëzakonisht të talentuar bullgare, vetëm 25-vjeçares atëherë, Pasha Hristova. Ndoshta interpretimi më emocionues në të është "Kënga e Bardhë", me tekst të poetit Petër Karaangov dhe muzikë të kompozitorit Dimitër Vëllçev, kënga “Një trëndafil bullgar” e të cilit e shndërroi Pasha Hristovën në simbol kombëtar. Ndërsa “Kënga e Bardhë” u shpall Melodia e Vitit për vitin 1972.
Fundi i çdo viti është periudhë reflektimi, dhe gjatë vitit 2025 ekipi i Radio Bullgarisë u përpoq sërish t’ju prezantojë me muzikantë bullgarë të afirmuar, të ndërtuar karriera të lakmueshme në mbarë botën. Ajo që i bashkon është dashuria e thellë për atdheun. Bullgaria për ta mbetet shtëpi, kujtim, frymëzim dhe shpresë për kthim.
“Shtëpi! Kjo është shtëpia ime – gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë”, thotë violisti Boris Tonkov.
Pianisti Ivan Janëkov ndan mendimin: “Pavarësisht se sa ankohen njerëzit, në Bullgari ka shumë parakushte për një jetë të mirë. Thjesht duhet ta ndërtojmë vetë shtëpinë tonë… dhe kështu, gradualisht, të krijojmë një shoqëri më të lumtur.”
Primadona operistike Jordanka Derillova e quan Bullgarinë “shtëpinë e lindjes”, vendin ku janë njerëzit dhe ajri që na përket.
Për pianisten Donka Angaçeva, Bullgaria është një vend me “një histori kulturore të jashtëzakonshme dhe muzikë të mrekullueshme që duhet dëgjuar”.
Violinistja Devorina Gamallova e lidh Bullgarinë me “natyrën e bukur, madhështore dhe njerëzit e përzemërt e të drejtpërdrejtë, të cilët i kemi me bollëk në tokën tonë”.
Dirigjenti Pavell Balev e përkufizon atdheun si “një dashuri e pashuar, e dhimbshme – dhimbja pa të cilën nuk mundem”.
Pianistja Rosica Banova mendon për Bullgarinë me shpresë dhe besim në një të ardhme më të mirë, ndërsa violinisti Svetlin Rusev ndan se aktualisht jeton “mes avionëve”, por do të donte një ditë të kthehej – “kam plane të fshehta për… Bullgarinë!”. Për të, vendi ynë është para së gjithash Atdhe, por edhe “traditë, histori, folklor, art kulinar, natyrë… Shumë gjëra i janë dhënë këtij shteti, pavarësisht se është i vogël dhe me popullsi të pakët, jo me aq shumë burime sa shtete të tjera, por thjesht nuk e kuptojmë sa mirënjohës duhet të jemi çdo ditë…”.
Për violinisten Bllagomira Lipari, Bullgaria është “ngrohtësi”, kulturë dhe emocion, të cilat ajo i derdh me gjithë zemër në muzikë. Kompozitorja Penka Kuneva shton: “Unë vazhdimisht mendoj për Bullgarinë. Është shumë e rëndësishme që kjo vetëdije si bullgare të jetojë në mua, të jetë e fortë”.
Me veprën e saj “Toka” nga albumi “Gruaja astronaut”, dërgojmë një urim për paqe, qetësi dhe begati – për tokën tonë amtare dhe për gjithë planetin.
Siç e do tradita, e përfundojmë koncertin tonë muzikor të Vitit të Ri me një nga këngët më të shenjta ortodokse – “Shumë vjet”.
“Shumë vjet” – pjesë e shërbesës kishtare ortodokse, me të cilën u urohet jetë e gjatë dhe mirëqenie, është më e njohur në Bullgari me muzikën e kompozitorit rus Dmitrij Bortnjanski dhe në interpretimin e basit legjendar bullgar Boris Hristov, së bashku me korin e katedrales “Shën Aleksandër Nevski” në Sofje. E regjistruar në vjeshtën e vitit 1976, kjo këngë tingëllon edhe sot në minutat e para pas ardhjes së çdo viti të ri.
Shumë vjet ju urojmë të gjithëve ju, miq besnikë të Radio Bullgarisë, të cilët edhe gjatë vitit 2026 do të vazhdojmë t’ju tregojmë për gjithçka aktuale në vend, por edhe për kulturën, historinë dhe personalitetet që krijojnë Bullgarinë dhe bullgarin e sotëm!
Teksti: Elena Karkallanova & Cvetana Tonçeva
Përpunimi muzikor: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski