Artikull
Shtunë 20 Dhjetor 2025 16:05
Shtunë, 20 Dhjetor 2025, 16:05
FOTO: Radio Bullgaria
Madhësia e shkronjave
Dymbëdhjetë krijues të shquar bullgarë u nderuan me titullin “Ambasadorët Bullgarë të Kulturës – 2024” në një ceremoni solemne në Radion Kombëtare Bullgare (BNR). Çmimet janë pjesë e nismës së medias publike, e cila prej disa vitesh u jep mirënjohje njerëzve të shpirtit, krijimtaria e të cilëve kapërcen kufijtë kombëtarë dhe e afirmon Bullgarinë në hartën kulturore botërore.
Fushata “Ambasadorët Bullgarë të Kulturës” mbledh propozimet e audiencës së radios publike, ndërsa një juri е autoritetshme përzgjedh krijuesit që gjatë vitit 2024 janë dalluar me kontributin e tyre ndërkombëtar. Secili prej të nderuarve mori një pllaketë të punuar posaçërisht, vepër e artistit Stefan Velev.
FOTO: BTA
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare, Milen Mitev, theksoi rëndësinë e kulturës si ura më e qëndrueshme dhe e dallueshme midis Bullgarisë dhe botës.
Në qendër Drejtori i Përgjithshëm i BNR-së Milen Mitev
FOTO: BTA
E para që mori çmimin e saj ishte Milena Selimi – gazetare, përkthyese dhe dramaturge nga Shqipëria me rrënjë bullgare, me një kontribut të jashtëzakonshëm në popullarizimin e letërsisë bashkëkohore bullgare në gjuhën shqipe.
“Dua t’i falënderoj sinqerisht dëgjuesit e Radios
Kombëtare Bullgare! Radioja është dashuria ime e parë – kam punuar në radio kur
fillova punën time si gazetare dhe e dua shumë, shumë sinqerisht. Dhe e di se
çfarë është të folurit, sepse ndonjëherë duhet të jesh shumë i kujdesshëm me të
folurit”, tha Milena Selimi për Radio Bullgarinë pasi mori pllakëtën.
Me përkthimin e saj, veprat e shumë autorëve bashkëkohorë bullgarë – Georgi Gospodinov, Alek Popov, Kalin Terzijski, Milen Ruskov, Zllatimir Kollarov – arrijnë te lexuesit në Shqipëri. Në vitin 2024, Milena Selimi mori çmimin "Përkthyesja më e Mirë" nga Panairi i Librit në Tiranë – për përkthimin në shqip të romanit "Kohëstrehim" , dhe më vonë çmimin "At Gjergj Fishta" – një nga vlerësimet më të rëndësishme për përsosmërinë në përkthim në Shqipëri. Nuk duhet të harrojmë faktin se Milena Selimi është përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin e Pakicave Kombëtare në Shqipëri.
Milena Selimi
FOTO: BTA
Pllaka për "Ambasadorin Bullgar të Kulturës" nuk iu dorëzua rastësisht nga fituesi i Çmimit Booker, Georgi Gospodinov – ai vetë ishte ndër ata që u vlerësuan me titullin e nderit në vitin 2021.
Milena Selimi dhe Georgi Gospodinov
FOTO: BTA
Autori i “Kohëstrehim”
i dorëzoi edhe dy pllaketa të tjera krijuesve që promovojnë kulturën bullgare
në botë – aktorit Samuel Finci, i cili është ndër yjet e kinemasë dhe teatrit në Gjermani, si dhe
muzikantëve të Trio Vlladigerovi –
Aleksandër, Konstantin dhe Ekaterina Vlladigerovi.
Pasardhësit e kompozitorit të madh bullgar Panço Vlladigerov janë diplomuar në Universitetin për Arte Muzikore dhe Skenike në Vjenë dhe prej më shumë se dy dekadash punojnë në kryeqytetin botëror të muzikës, duke prezantuar në një pjesë të madhe të projekteve të tyre traditën muzikore të familjes së tyre të famshme dhe të Bullgarisë.
Një e ftuar speciale në ceremoninë në Radion Kombëtare Bullgare ishte shkrimtarja Zdravka Evtimova, e cila i dorëzoi një pllaketë për "Ambasadorin Bullgar të Kulturës - 2024" Prof. Kliment Najdenovit - Dekan i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Gjeografisë të Universitetit të Sofjes, i cili në vitin 2024 themeloi “Explorers Club Bulgaria”, si pjesë e platformës globale me të njëjtin emër me kryetar nderi Jeff Bezos. Kjo hap dyert për kërkimet dhe udhëtimet e para me një kauzë socio-kulturore në shkallë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e shkrimtarëve, mjekëve, figurave publike, shkencëtarëve etj.
Ivan Llanxhev dhe Zdravka Evtimova
FOTO: BTA
"Jam shumë i kënaqur me shoqërinë në të cilën u gjenda", tha pas ceremonisë poeti dhe eseisti Ivan Llanxhev, i cili u vlerësua me çmimin "Ambasadori Bullgar i Kulturës" - 2024. Skenarist dhe lektor, doktor i letërsisë klasike ruse, një figurë me një trashëgimi të pasur letrare dhe akademike, por edhe filozof dhe shkencëtar kulturor i diplomuar në Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski".
Para Radio Bullgarisë, Ivan Llanxhev nuk e fshehu habinë e tij për çmimin, por edhe mirënjohjen e tij ndaj audiencës së Radios Kombëtare Bullgare për nominimin: “Më pëlqen shumë vetë formulimi. Dhe siç tha Prof. Kapriev, unë isha studenti i tij: “Zoti na dhëntë të jemi ambasadorë të kulturës edhe brenda Bullgarisë!”
Studiuesi i trashëgimisë vizuale bullgare dhe promovuesi i komikseve bullgare – artisti Anton Stajkov – është gjithashtu ndër të përzgjedhurit nga audienca e Radios Kombëtare Bullgare si ambasador i kulturës bullgare. Një tjetër krijues i imazhit të rafinuar është mes emrave të ambasadorëve kulturorë për vitin 2024 – piktori Nikollaj Janakiev, i cili nuk arriti të marrë pjesë personalisht në ceremoninë për shkak të një angazhimi krijues në Paris.
Projekti “Vjena ime” dhe dhjetëra paraqitje të realizuara si solist, dirigjent dhe anëtar jurie në një sërë vendesh evropiane e renditën violinistin Prof. Evgeni Shevkenov ndër “Ambasadorët Bullgarë të Kulturës” për vitin 2024. Pjesën më të madhe të karrierës së tij Prof. Shevkenov e ka zhvilluar në Vjenë – qyteti për të cilin ai thotë se nuk është një nocion gjeografik, por frymë, shpirt dhe muzikë.
Prof. Evgeni Shevkenov
FOTO: BTA
“Kjo është një përgjegjësi e madhe, përveçse një vlerësim. Jam shumë i lumtur që jam këtu, Bullgaria është atdheu im! Unë jetoj në Vjenë prej më shumë se 30 vitesh, por gjatë katër viteve të fundit udhëtoj rregullisht për në Bullgari, sepse jap mësim në Akademinë e Muzikës në Plovdiv. Ndihem jashtëzakonisht i nderuar që jo vetëm Radioja Kombëtare, por pikërisht dëgjuesit janë ata që më kanë nominuar, sepse këta janë bullgarët që interesohen për kulturën dhe votojnë për kulturën,” – tha Prof. Shevkenov për Radio Bullgarinë menjëherë pas ceremonisë.
Pas vdekjes, me titullin “Ambasador i Kulturës Bullgare” u nderua e dashura primadonë e operës Mariana Cvetkova – një artiste e jashtëzakonshme, zëri i së cilës ndriçoi disa nga skenat më të mëdha botërore në Itali, Gjermani, SHBA, Spanjë, Rusi, Korenë e Jugut dhe shumë vende të tjera.
Artisti i radhës që u nderua me titullin ambasador i kulturës ishte Prof. Georgi Kapriev. Një nga emrat më të rëndësishëm të Fakultetit të Filozofisë në universitetin tonë më të vjetër, Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, pedagog me prani të fuqishme në jetën kulturore dhe shoqërore të vendit, studiues i çmuar dhe i respektuar si në Bullgari, ashtu edhe në botë.
Enço Kerezov, akrobati dhe ekuilibristi ynë i cirkut me famë botërore, i pranuar në Galerinë e Legjendave të Shoqërisë Botërore të Akrobatikës, tani është Ambasador i Kulturës Bullgare. Vitet e fundit, ai i është përkushtuar bamirësisë - shfaqja e tij "Nata e Yjeve" ndriçon rrugën përpara për shumë talente bullgare.
Doajeni ndër ambasadorët e kulturës për vitin 2024 është poeti, shkrimtari dhe dramaturgu i dashur, me një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë dhe teatrin bullgar – Stefan Canev.
FOTO: BTA
Interpretimet
muzikore të solistëve nga Orkestra Simfonike e Radios Kombëtare Bullgare
dhe të artistëve të rinj të folklorit
plotësuan atmosferën e mbrëmjes, duke e shndërruar ceremoninë në një festë të
vërtetë të shpirtit bullgar. Prezantues ishin Nina Caneva nga programi “Hristo
Botev” dhe kryeredaktori i Radio Bullgarisë,
Krasimir Martinov.
Krasimir Martinov dhe Nina Caneva
FOTO: BTA
Nisma e radios publike nisi në vitin 2021 me idenë e gazetares Nina Caneva dhe me ambicien për të nderuar shkrimtarët, piktorët, aktorët, këngëtarët, kompozitorët, regjisorët dhe krijuesit bullgarë, vepra e të cilëve zgjeron kufijtë kulturorë të Bullgarisë. Kështu, fushata ndërton një urë midis vendit tonë dhe komuniteteve bullgare jashtë shtetit.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva