Autor
Veneta Nikollova
Artikull
Dielë 28 Dhjetor 2025 10:05
Dielë, 28 Dhjetor 2025, 10:05
FOTO: Veneta Nikollova
Madhësia e shkronjave
Kepi Shablla cakton pikën më lindore të Bullgarisë – një copë toke e qetë, e rrudhur nga erërat, e shtrirë në Detin e Zi. Këtu ngrihet fari më i vjetër dhe ndoshta më i bukuri përgjatë bregdetit tonë. I pikturuar me rripa të kuqe dhe të bardhë, fari i Shabllës dallohet fuqishëm mbi sfondin e bregut të ashpër shkëmbor,ku shtrihet një fshat i vogël peshkatarësh me emrin e pazakontë Karia. Vendi është i përthithur me aromën e kripës dhe… historisë.
FOTO: Veneta Nikollova
Qysh në mijëvjeçarin e parë para Krishtit, karianët e lashtë nga Azia e Vogël themeluan këtu një port të tyre dhe i dhanë vendit emrin – Porto Karia. Sot ende duken rrënojat e një kalaje antike nga shekujt të V-të dhe të VI-të, me pamje nga deti, ndërsa pranë saj gjejmë një ansambël shtëpish të vjetra dhe më të reja peshkatarësh. Mund të bëni shëtitje në rrugicat e ngushta të fshatit, të shihni rrjetat e shpërndara dhe pajisjet tipike të peshkatarëve, dhe të zbresni shkallët prej guri deri te vetë porti. Këtu peshkatarët kanë vendosur varkat e tyre përballë farit të vjetër, dhe skena duket si një akvarel detar, nxjerrë nga furça e një piktori të njohur.
FOTO: Veneta Nikollova
Karia është në rrugë të bëhet edhe një destinacion turistik. Ju rekomandojmë të qëndroni në një shtëpi pritëse lokale dhe madje të merrni me qira një vilë të tërë peshkatarësh. Më shumë për këtë vend të mrekullueshëm pranë valëve tregon kryetari i Bashkisë Shabla, Marian Zhelev, në një intervistë për Radio Bullgarinë.
“Mund të kaloni disa ditë me familjen, me miqtë etj. sepse ky është një vend i ngrohtë dhe i rehatshëm! Dhe nuk ka si të shmangni zhurmën e varkave në orën 6 të mëngjesit. Këto zhurma janë emblemë – valët e lehta, thirrjet e qyqve dhe motori që rreh ujërat. Do të jetoni me ritmin e banorëve të fshatit. Peshkatarët janë të hapur ndaj vizitorëve për të organizuar peshkim ose një shëtitje me varkë. Pranë Kepit Shablla ka shumë për të parë, veçanërisht në jug, ku fillojnë formacionet shkëmbore që vazhdojnë deri te Kepi Kaliakra, dhe më pas shihen formacione shpellesh e të tjera. Është bukur, ia vlen të shihet.”
FOTO: Veneta Nikollova
Karia fsheh edhe një surprizë tjetër – një burim i vetin me ujë mineral, i cili ka vlera të pakundërshtueshme shëruese. Ky fenomen natyror lidhet me veçantitë gjeologjike të rajonit, i njohur për depozitat e naftës, thotë Marian Zhelev, dhe shton:
“Nafta e parë bullgare u zbulua në fshatin e afërt bregdetar Tjulenovo dhe në rajon ka mjaft puse të tilla, të lidhura jo vetëm me naftën, por përgjithësisht me studimin e thellësive nën tokë. Njëri prej tyre funksionon brenda vetë fshatit Karia; uji i tij mineral ka një rrjedhë të qëndrueshme prej rreth 20 litrash në sekondë. Temperatura është e mirë për larje – 37 gradë. Funksionon gjatë gjithë vitit. Uji mineral ka përqendrim të lartë squfuri dhe rekomandohet për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve të lëkurës, përfshirë edhe psoriazën.”
FOTO: Veneta Nikollova
Por çfarë të themi për tundimet e qiellzës? Në Karia ka dy restorante të vogla për peshk, që ofrojnë kuzhinë autentike detare. Këtu peshku vjen nga rrjetat direkt në pjatë – i freskët, i shijshëm dhe i përgatitur sipas recetave të vjetra të Detit të Zi.
FOTO: Veneta Nikollova
“Emblema, sigurisht, është kalakani. Përkatësisht, ofrohen sardelet, levreku, dhe lloje të tjera peshku. Peshkatarët e Shabllës janë shumë të aftë në kapjen e peshkaqenit të Detit të Zi. Ka mundësi edhe për peshkim nga liqenet përreth, kështu që ndonjëherë ofrohet edhe peshk ujor. Ai gjithashtu është i freskët dhe shumë cilësor, po ashtu si të gjitha produktet e tjera që lidhen me peshkun, si havjari ose midhjet karakteristike për rajonin – çdo vizitor duhet t’i provojë. Dhe sigurisht, të domosdoshme për çdo pjatë me peshk janë të ashtuquajturat salamurika ose erëza pikante” – përfundon kryetari i Shabllës, Marian Zhelev.
FOTO: Veneta Nikollova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova