Artikull
Shtunë 3 Janar 2026 08:45
Shtunë, 3 Janar 2026, 08:45
FOTO: abgschool.org
Madhësia e shkronjave
Me rastin e Krishtlindjes dhe ardhjes së Vitit të Ri, redaksitë e Radio Bullgarisë në 11 gjuhë morën shumë letra, kartolina dhe përshëndetje nga dëgjues, partnerë dhe institucione nga mbarë bota. Nga Pakistani dhe India, përmes Gjermanisë, Austrisë dhe Spanjës, deri në Shqipëri,Kosovë, Turqi, Itali dhe komunitetet bullgare jashtë vendit – fjalët që na arritën shprehin mirënjohje dhe falënderim. Ato janë shenjë e besimit në informacionin e saktë dhe marrëdhënien e ngrohtë njerëzore që ekipi i medias publike ruan me audiencën e vet përtej kufijve të Bullgarisë.
Urimet e Krishtlindjes nga Shqipëria ishin të mbushura me mesazhe të fuqishme shpirtërore:
“Qielli e Toka fort gëzohen
këndojnë engjëjt pa pushim,
Një zë fëmije po dëgjohet
lindi Zoti Jezus Krisht
Lavdi qoftë Perëndisë!
Paqe njerëzve përmbi dhe!
Thërrasin engjëjt papushim
drita e Krishtit ndrin ndër ne...” - lexojmë në dedikimin poetik të Lek Bushpepës nga Lezha, si edhe urimin:
Gëzuar Krishtlindjet! Paqe dhe bekimet e Krishtit në zemrat tuaja dhe në familjet tuaja, amen!
Pali Ndoja nga Shkodrae falënderon “Zotin Jezu Krisht për çdo të mirë që na jep çdo ditë. Faleminderit që ke lind për ne nga Virgjëresha Mari.”
Gjithashtu, një sërë miqsh të redaksisë na dërguan urime të shkurtra përmes rrjetit social Facebook. Ju falënderojmë Mentar Kodra, Osman Murati, Artlir Shllaku, Shpëtim Kuniqi, Bina Meca, Nadire Lica Bicaku, Arif Pupuleku, Pajtim Hoxha, Vini Muca, Agim Kasa, Ilo Budini, Abib Kormaku Stebleva, Subi Jashari, Vjola Vjola, Qemal Rada, Nadire Hoxha etj., ju kërkojmë falje se nuk mund të përmendim të gjithë!
Falënderime të veçanta për miqtë tanë besnikë Erlin Ago, Selvi Pupuleku Canga, Fadil Osmani, Muhamet Shala, Sokol Demaku, Elvi Sidheri, Adriatik Kadriu, Xan Haxhiu, Petrak Marku, Arnold Gordani..., na falni nëse nuk e keni lexuar emrin tuaj...
E falënderojmë edhe Kalab Abbasin, i cili na shkroi që nga Faisalabadi i Pakistanit duke na uruar për Krishtlindjet.
Dhe jo në vend të fundit deshëm të shprehim respektin dhe dashurinë tonë të
madhe ndaj dëgjuesit tonë të shtrenjtë dhe shumëvjeçar Fadil Ribari nga Kosova, i cili nuk harron të na përshëndesë madje
nga Dubai. Ju falënderojmë, Fadil, për video dhe audio-mesazhet tuaja të
ngrohta dhe të sinqerta, që na dërgoni, ju falënderojmë për kujtimet e bukura
që ndani me ne për vizitat tuaja të shumta në Bullgari! Pranoni përshëndetjet
tona më të përzemërta! Pikërisht besimi dhe dashura e audiencës sonë na
motivon në punën tonë të përditshme!
FOTO: Arkivi i Radio Bullgarisë
Ja dhe disa nga përshëndetjet që morën edhe redaksitë e tjera të Radio Bullgarisë – programi i Radios Kombëtare Bullgare për audiencën tonë jashtë shtetit:
Muhammad Aqeel Bashir, në emër të të gjithë anëtarëve të Klubit të Dëgjuesve Pakistanezë, Qyteti Jhang, Pakistan i shkruan Redaksisë së Gjuhës Ruse:
“Dëshirojmë sinqerisht t’i falënderojmë secilit prej jush për përkushtimin, punën e palodhur dhe angazhimin tuaj. Përpjekjet tuaja, puna në ekip dhe profesionalizmi janë forca e vërtetë e radios, dhe të gjithë ju vlerësoheni thellësisht” – lexojmë në letrën e Muhammad Aqeel Bashir, në të cilën ka edhe një urim që Viti i Ri 2026 të sjellë “sukses, shëndet të mirë, lumturi dhe mundësi të reja” për ekipin e Radio Bullgarisë.
Një letër tjetër mbërriti nga Pakistani i largët, por këtë herë drejtuar ekipit të Redaksisë sonë Angleze. Malik Allah Baçaja Hokar nga Klubi i Dëgjuesve të Radios “Sungat” (Radio Sungat Listeners Club) shpreh mirënjohjen e tij:
"Po ju shkruaj për të shprehur mirënjohjen time të sinqertë për programet në anglisht, të cilat i dëgjoj rregullisht nga Pakistani. Emisionet tuaja janë jashtëzakonisht informuese, interesante dhe të prodhuara mirë, duke ofruar informacion të vlefshëm për kulturën, historinë, shoqërinë, muzikën dhe ngjarjet aktuale në Bullgari. Përmes programeve në anglisht, dëgjues si unë mund ta kuptojnë më mirë Bullgarinë dhe të ndihen të lidhur ngushtë me vendin tuaj, pavarësisht distancës gjeografike.Paraqitja e qartë, pasqyrimi i balancuar dhe pasuria kulturore e programeve tuaja i bëjnë ato njëkohësisht edukative dhe të këndshme. /…/ Ju lutem pranoni mirënjohjen time të sinqertë për përpjekjet tuaja të pandërprera në fushën e radiotransmetimit ndërkombëtar. I uroj Radios Kombëtare Bullgare shumë sukses, një audiencë të gjerë dhe edhe shumë vite të tjera shërbim të shkëlqyer për komunitetin global të radios. Uroj që Viti i Ri 2026 t’i sjellë arritje të reja, krijimtari dhe lumturi gjithë familjes së BNR-së."
FOTO: Pixabay
Nga India, Xhanta Çakrabarti komenton posaçërisht programin “Bullgaria Sot” dhe shkruan: “Ishte kënaqësi të dëgjoja emisionin tuaj të datës 12 dhjetor 2025 për lajmet dhe ngjarjet e fundit në vendin e bukur Bullgari. Cilësia e marrjes së radios në internet ishte e shkëlqyer. Prezantimi nga moderatorët me zëra të këndshëm e bëri dëgjimin edhe më të këndshëm. "
Nga Austria dhe Gjermania mbërritën disa mesazhe të ngrohta për ekipin e Redaksisë sonë Gjermane.
“Radioja juaj do të thotë shumë për mua, ashtu si edhe Bullgaria”– na shkroi Kirsten nga Dyseldorfi."
"Ju uroj juve dhe kolegëve tuaj një Krishtlindje të gëzuar me shumë takime pozitive dhe të ngrohta në familje dhe në punë, si dhe një Vit të Ri 2026 të qetë, plot shpresë, hir, shëndet dhe bekime! Me urimet dhe përshëndetjet më të mira, Brunhild Fuhs nga Vjena.
Hans-Martin Winner nga Tyringia vëren: “Ju dhe ekipi juaj demonstroni lidhjen tuaj me lexuesit – përfshirë edhe ata jashtë vendit. Ju lutem, vazhdoni të na ofroni lajmet më të fundit nga Bullgaria. Mendoj se dizajni i ri i faqes së internetit është bërë shumë mirë.’"
Veçanërisht i fuqishëm është edhe mesazhi i Helmut Matt, i cili thekson rëndësinë e Radio Bullgarisë si burim informacioni: “Në Bullgari me të vërtetë kanë ndodhur shumë gjëra gjatë ditëve të fundit dhe unë i kam ndjekur ngjarjet me shumë emocion përmes Radio Bullgarisë. Sa mirë që ekzistojnë emisionet tuaja dhe njeriu merr informacion të drejtpërdrejtë. Këtu, tek ne, në mediat tona, ndoshta do të njoftojnë nëse diku në Kinë ka rënë një thes me oriz. Por për ngjarjet në Bullgari nuk raportohet – ndoshta sepse nuk përputhen me narrativën e qeverisësve tanë. Kush e di!”
Helmut Matt
FOTO: Arkiv personal
Francisco Calvo García nga Navas de Estena (Spanjë), dëgjues prej shumë vitesh i Radio Bullgarisë në gjuhën spanjolle që nga viti 1983, ndan: “BNR ka qenë gjithmonë një nga stacionet e mia të preferuara me valë të shkurtra në spanjisht dhe tani lexoj edhe faqen tuaj. Ju uroj gjithçka më të mirë për këto festa të Krishtlindjes, një botë pa luftëra, të qetë, dhe ju uroj një vit 2026 të lumtur! "
Nga SHBA-ja, Jairo Castillo, i cili ka dëgjuar Radio Bullgarinë që nga viti 1982, kur jetonte në Venezuelë, shkruan: “Do të doja që një ditë të vizitoja këtë vend të mrekullueshëm – Bullgarinë, dhe t’ju takoja personalisht. Ju uroj një Krishtlindje të lumtur dhe suksese në vitin 2026!’"
"Qoftë që në studion tuaj dhe në shtëpinë tuaj të mbretërojnë dashuria, ngrohtësia, butësia, qetësia dhe rehati!’ – është urimi i dëgjueses shumëvjeçare të programeve në gjuhën turke, Shasine Alieva nga Popovo(Bullgaria Verilindore). Në fakt, programi në gjuhën turke është i vetmi program i huaj i radios publike që mund të dëgjohet në mënyrën tradicionale – përmes valëve radiofonike – në territorin e Bullgarisë."
Mësuesja Ajshe Sylejman nga fshati Zërnevo(Bullgaria Verilindore) uroi Vitin e Ri të gjithë punonjësve në Radion Kombëtare Bullgare: "Të gjithëve para mikrofonit dhe të gjithë dëgjuesve! Ju uroj një Vit të Ri shumë të lumtur! Qoftë i shëndetshëm, na sjellë lumturi dhe, mbi të gjitha, të jetë i qetë!"
Këngëtari dhe muzikanti popullor Mehmed Davut nga Xhebeli (Bullgaria Jugore) dërgon urime për "bekime dhe paqe".
Përshëndetje mbërritën edhe nga një sërë institucionesh dhe organizatash. Shoqata kulturore “Virtu” dhe Shkolla Bullgare e së Dielës “Abagar” në Itali urojnë ‘projekte të përbashkëta dhe bashkëpunim të frytshëm’.
FOTO: Facebook/scuolaabagar
Shoqata e Shkollave Bullgare jashtë Vendit (ABUÇ) thekson: “Vlerësojmë mbështetjen tuaj për misionin e ruajtjes së gjuhës dhe shpirtit bullgar jashtë atdheut”.
FOTO: abgschool.org
Ndër urimet zyrtare është edhe ai i Andrea Vavrikova, konsulle në Ambasadën e Sllovakisë në Sofje, si edhe mesazhe nga shoqatat kulturore dhe arsimore bullgare në Athinë dhe Këln.
FOTO: Ambasada e Sllovakisë në Sofje
"Do të dëshironim t’ju shprehnim urimet tona më të përzemërta për shëndet, paqe dhe mirëqenie. Qoftë që Krishtlindja të sjellë dritë dhe ngrohtësi në shtëpitë tuaja, ndërsa Viti i Ri 2026 të jetë i suksesshëm, i qetë dhe i mbushur me vlera të përbashkëta njerëzore." – Shoqata Kulturore-Arsimore “Buditeli”, Athinë.
FOTO: Shoqata Kulturore-Arsimore “Buditeli”, Athinë
“Mësuesit dhe drejtuesit e Shkollës Bullgare të së Dielës ‘Az Buki Vedi’ në Këln urojnë dritë, ngrohtësi dhe dashuri, si edhe shëndet, lumturi dhe maja të përbashkëta të arritura gjatë Vitit të Ri 2026! Urojmë dritë edhe për veprën tonë të përbashkët – gjuhën dhe kulturën bullgare jashtë atdheut!” – na shkruajnë nga “Az Buku Vedi” në Këln.
FOTO: Az Buku Vedi”, Këln
Të gjitha këto fjalë – të sinqerta, personale, të mbushura me shpresë – na kujtojnë pse e bëjmë Radio Bullgarinë. Ato na japin forcë dhe përgjegjësi të vazhdojmë të jemi një urë midis Bullgarisë dhe botës, një burim informacioni të besueshëm, kujtese kulturore dhe afërsie njerëzore.
Gjatë vitit 2026 Radio Bullgaria do të vazhdojë të tregojë ditën e sotme, traditat, historinë dhe kulturën e Bullgarisë në 11 gjuhë, të kërkojë dialog dhe të mbrojë besimin e dëgjuesve të saj në mbarë botën. Falënderojmë për çdo letër, për çdo fjalë dhe për çdo shpresë të ndarë. Ato janë dhurata jonë më e çmuar festive dhe nxitja më e fortë për të ecur përpara – së bashku.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva