MUZIKË

Artikull

“Fyelli po bie” – melodia me famë botërore e kompozitorit Petër Ljondev

Kryevepra të kulturës muzikore bullgare

Premte, 9 Janar 2026, 19:30

Petër Ljondev (1936 – 2018)

Petër Ljondev (1936 – 2018)

FOTO: ubc-bg.com

Madhësia e shkronjave

Një nga veglat muzikore më të lashta në botë – fyelli, ka ruajtur tingullin e mijëvjeçarëve. Në Bullgari ai është simbol i muzikës dhe kulturës popullore dhe është pjesë e pandarë e folklorit tonë, veçanërisht në krahinat Trakia, Ludogorie dhe Dobruxha. Për bullgarët, fyelli nuk është thjesht një instrument, por zëri i atdheut tonë, një simbol i shpirtit tonë. Ai mishëron lidhjen me natyrën dhe traditat dhe përbën një pjesë të rëndësishme të identitetit kombëtar. Dhjetëra janë tekstet popullore që e lartësojnë këtë instrument të jashtëzakonshëm me timbër unik dhe mundësi të mëdha shprehëse. Kënga melankolike “Fyelli po bie”, në përpunim të kompozitorit Hristo Todorov, është një nga këngët më të njohura në repertorin e legjendares Gjurga Pinxhurova.

Kënga vallëzuese “Fyelli po bie”, në versionin e kompozitorit Kosta Kolev, është e dashur për breza të tërë bullgarësh, në interpretimin e këngëtares së famshme Nadka Karaxhova.

Por “Fyelli po bie”, në përpunimin koral të kompozitorit Petër Ljondev, prej disa dekadash tashmë është një hit botëror, i interpretuar dhe i cituar nga dhjetëra muzikantë të stileve të ndryshme, nga pop deri te rap, përfshirë edhe një nga super-yjet më provokuese, më ekscentrike dhe me shumanshmëri të planetit– Lady Gaga, e cila në vitin 2017 përdori një video të kësaj kënge për filmin e saj dokumentar autobiografik Gaga: Five Foot Two.

Teksti i shkurtër dhe i thjeshtë i këngës paraqet një vajzë të re, e cila i tregon nënës së saj se është kureshtare të shohë se kush po luan fyell jo larg fshatit. Nëse muzikanti është i njohur dhe bashkëfshatar, vajza nuk ka gjasa ta dojë, por nëse është një i huaj nga një fshat tjetër dhe vjen nga larg, zemra e saj do t’i përkasë përgjithmonë.

Krijuar në vitin 1979, kënga është përfshirë në diskun e dytë të serisë së suksesshme “Misteri i zërave bullgarë”, e botuar nga producenti zviceran Marcel Selier në vitin 1988. Autori i saj është kompozitori, pedagog, etnomuzikolog dhe veprimtar shoqëror bullgar Petër Ljondev (1936–2018). I diplomuar në Akademinë Muzikore me dy specialitete – folkloristikë dhe kompozicion, për më shumë se tre dekada ai punonte si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Muzikologjisë pranë Akademisë Bullgare të Shkencave dhe regjistroi në terren mbi 40 000 këngë dhe melodi folklorike instrumentale. Publikoi një numër të madh artikujsh dhe punimesh shkencore, pjesa më e madhe e të cilave lidhen me zonën folklorike të Trakisë.

Kompozitori Petër Ljondev me çmimin “Jubile” në sondazhin e Radios Kombëtare Bullgare (BNR) “Muzikanti i Vitit 2016”

FOTO: Ani Petrova

Profesori Petër Ljondev jepte mësime në universitetet e Sofjes, Plovdivit, Veliko Tërnovos, Shumenit dhe Bllagoevgradit, dhe mbajti ligjërata si i ftuar në Universitetin Shtetëror Pedagogjik të Bjellorusisë dhe në Universitetin Kombëtar të Lvovit në Ukrainë. Ai është autor i mbi 700 këngëve për fëmijë – të dashura, të interpretuara dhe shpeshherë të vlerësuara në konkurse dhe festivale. Përpunimet e tij folklorike korale njihen si një klasik në zhanër dhe u interpretuan me sukses nga formacione bullgare dhe të huaja në të gjithë botën. Vetëm një shembull është çmimi i parë në kategorinë “Koret homogjene” në Konkursin Ndërkombëtar të Koreve në Varnë, në vitin 2011, i cili iu dha Korit Akademik Primorski të meshkujve nga Ljubljana (Slloveni), që përfshiu në programin e tij për konkursin këngën e famshme të Ljondevit “Beqar Gjyshi”.

Janë të shumta miniaturat e kompozitorit për kor femrash popullor, të interpretuara me triumf nga këngëtaret e shkëlqyera të “Misteri i zërave bullgarë”, por më të njohurat deri sot mbeten “Beqar Gjyshi” dhe “Fyelli po bie”, të përzgjedhura në albumet me të njëjtin titull të famshmit Marcel Selier.

Sot, “Fyelli po bie” është pjesë e repertorit të mbi 80 ansambleve korale nga e gjithë bota. E këndojnë në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Australi, Zelandën e Re, Francë, Gjermani, Itali, Suedi, Greqi, Turqi, Qipro, Slloveni, Serbi, Kosovë, Kroaci, Japoni, Kinë, Rusi…

Gjatë verës së vitit 2016, në një intervistë për Radio Bullgarinë me rastin e ditëlindjes së tij të 80-të, Petër Ljondev tha: "Jam i lumtur që çdo ditë mësoj për vende të reja ku interpretohen këngët e mia. Tani dua të përkushtohem vetëm tek kompozimet e mia. Kjo është ajo që mund ta bëj më mirë."

Rikujtojmë përpunimin e tij të shkëlqyer të “Fyelli po bie” në interpretimin e Korit të Ansamblit për Këngë dhe Valle Popullore “Trakia”, përfshirë në diskun e dytë të serisë “Misteri i zërave bullgarë” nga viti 1988 – fitues i çmimit më të njohur botëror në regjistrimin muzikor, “Grammy”, për albumin më të mirë të folklorit tradicional.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova