Artikull
Martë 13 Janar 2026 16:15
Martë, 13 Janar 2026, 16:15
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Natën e 13-14 janarit, zjarret rituale do të ndriçojnë fshatrat në rajonin e qytetit të Pernikut, pranë Sofjes. Survakarët me maska të frikshme do të kërcejnë rreth tyre, duke kënduar për shëndet dhe pjellori. Kjo është Surova (ose Surva) - zakoni folklorik bullgar, i cili është i përfshirë në Listën Përfaqësuese të UNESCO-s të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit dhe po vazhdon edhe më 14 janar.
FOTO: surva.org
Festa e Pernikut Surova daton që nga kohërat e lashta dhe është festa më e pritur dhe më e dashur në rajonin në perëndim të kryeqytetit bullgar. Duke mbijetuar nëpër shekuj, e ruajtur me zell dhe e transmetuar nga babai te djali, sot tradita e maskaradës është më e gjallë se kurrë – thotë korrespondentja e Radios Kombëtare Bullgare në rajon, Elena Tamakjarska:
FOTO: BGNES
“Në grupet e survakarëve ka zilembajtës, një nuse e një dhëndër, vjehërr e vjehrrë, prift, mbajtës arinjsh dhe ari. Çdo vit maskat dhe kostumet rinovohen. Kambanat bëhen gjithnjë e më të rënda dhe zhurma e tyre gjithnjë e më e fortë. Të rinj e të vjetër, burra e gra, janë të maskuar – të gjithë të ushqyer nga Surva.”
FOTO: BGNES
Në natën më magjike të vitit, nuk është rastësi që njerëzit që janë shpërngulur në pjesë të tjera të vendit kthehen në vendlindjet e tyre, për të ndier emocionin e lojës me maska dhe për të përjetuar bashkë atë forcë ngarkuese dhe pastruese që u jep Surva.
FOTO: Facebook /Surva
Festa kremtohet në pothuajse të gjitha fshatrat e rajonit. Pas vallëzimit pranë zjarrit, grupet e survakarëve, të udhëhequra nga vojvoda – i quajtur edhe bolju bashia – shkojnë shtëpi më shtëpi për të dëbuar të keqen dhe për t’i bekuar të zotët e shtëpisë për një jetë më të mirë.
FOTO: BGNES
Tradita e Surovës qëndron në themel të festivalit më të madh të lojërave me maska në vendin tonë dhe në gjithë Ballkanin – “Surva”, i cili zhvillohet çdo vit në janar në Pernik. Mijëra survakarë, kukerë, babugjerë, xhamallarë, stançinarë, kavakli, rogaçi dhe shumë ruajtës të tjerë të traditës nga e gjithë Bullgaria dhe nga jashtë vendit do të bëhen pjesë e defileve të maskaradës këtë vit, të cilat do të mbahen në dy fundjava: më 17–18 janar dhe më 24–25 janar 2026.
FOTO: surva.org
Reportazhi nga Perniku: Elena Tamakjarska
Redaktoi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva