POLITIKË

Artikull

Në ton parazgjedhor, partitë skicuan prioritetet e tyre të fundit parlamentare

Mërkurë, 14 Janar 2026, 13:16

Në ton parazgjedhor, partitë skicuan prioritetet e tyre të fundit parlamentare

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Në fillim të sesionit të ri të Legjislaturës së 51‑të të Kuvendit Popullor, që pritet të jetë i fundit para zgjedhjeve të parakohshme të pranverës, partitë paraqitën prioritetet e tyre në deklaratat parlamentare.

Në emër të GERB‑SDS, Toma Bikov bëri thirrje të mos përdoret gjuha e urrejtjes dhe të zhvillohet një fushatë parazgjedhore tolerante. “Formula e vetme për kapërcimin e krizës politike do të jetë një qeverisje koalicioni”, theksoi deputeti dhe kujtoi kontributin e qeverisë së fundit të koalicionit për futjen e euros.

Në emër të “ Po e Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike” (PP-DB), Nikollaj Denkov kërkoi zgjedhje të ndershme “me ndryshime në Kodin Zgjedhor, 100% votim me makina dhe largimin e menjëhershëm të Kryeprokurorit të paligjshëm”.

Në emër të “Vëzrazhdane”, deputeti dhe kryetari i partisë Kostadin Kostadinov u deklarua për kushtetutë të re dhe “riformatimin e shtetit”. Sipas tij, “është i nevojshëm një rishikim i të gjitha aleancave ku Bullgaria është anëtare dhe i të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare ku ajo është palë”.

“Në muajt e fundit, Partia Socialiste Bullgare (BSP) ka qenë pjesë e shumicës qeverisëse dhe ka kontribuar në stabilitetin e shtetit dhe paqen e qytetarëve bullgarë.” Kjo u tha në emër të BSP-së nga Dragomir Stojnev. Ai shprehu keqardhje që Bullgaria është vendi i parë që hyn në eurozonë pa një qeveri dhe buxhet të rregullt, në prag të zgjedhjeve.

Le ta përfundojmë punën tonë me respekt për njerëzit që na dërguan këtu, tha Iskra Mihajllova nga “DPS – Fillimi i Ri”. “Tani nuk është koha për të paraqitur programet zgjedhore të partive”, vuri në dukje Mihajllova.

“Për të përfunduar të gjitha reformat, duhet të ketë një parlament dhe kabinet funksional”, tha Pavella Mitova në emër të “Ka një popull të tillë” (ITN). Pasi renditi meritat e partisë së saj, ajo arriti në përfundimin se ata janë “të bindur se populli i mençur bullgar e mban mend dhe do ta ndajë të vërtetën nga gënjeshtra”.

Hajri Sadëkov në emër të “Aleancës për të Drejta dhe Liri” (APS) kërkoi futjen e votimit efektiv me makina, numërimit elektronik dhe raportimit të centralizuar të rezultateve, të cilat do të përjashtonin presionin dhe zëvendësimin e votave.

Lideri i “Veliçie”, deputeti Ivelin Mihajllov, doli në podium me kushtetutën në dorë, tha se e pëlqen dhe kritikoi etikën në sjelljen e deputetëve nga grupet endryshme.

Partia MEÇ refuzoi të bënte një deklaratë.

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva