Artikull
Hënë 19 Janar 2026 21:30
Hënë, 19 Janar 2026, 21:30
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Vendimi i presidentit Rumen Radev për t’u tërhequr nga posti i kreut të shtetit disa muaj përpara përfundimit të mandatit të tij të dytë presidencial shkaktoi reagime dhe komente të menjëhershme politike.
Nadezhda Jordanova
FOTO: Facebook /Nadezhda Jordanova
“Që nga nesër, 20 janar, Rumen Radev bëhet pjesëmarrës në arenën partiake, prandaj garat politike mes nesh do të fillojnë dhe do të shohim se si do të përfundojnë”, tha Nadezhda Jordanova nga “Po e vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike” (PP-DB), cituar nga BTA.
Sllavi Trifonov
FOTO: BТА
“E përshëndes zotin Rumen Radev me një “mirë se erdhe” në arenën politike të Bullgarisë.” Kështu shkroi në Facebook lideri i “Ka një popull të tillë” (ITN), Sllavi Trifonov, disa minuta pasi presidenti Rumen Radev njoftoi se largohet nga posti i kreut të shtetit. “Unë do të vazhdoj të mbroj vlerat tradicionale bullgare, do të vazhdoj të mbroj bullgarët në Maqedoninë e Veriut dhe do të vazhdoj të mendoj se emigrantët ilegalë nuk kanë vend në vendin tonë”, shkroi gjithashtu Trifonov.
Boris Bonev
FOTO: BGNES
“Ajo që të gjithë e prisnin prej të paktën një viti ndodhi – Radev do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Po, Radev ka potencialin ta trazojë moçalin e ndenjur politik”, tha lideri i “Shpëto Sofjen”, Boris Bonev, pak minuta pasi Rumen Radev njoftoi se po jep dorëheqjen si president.
Dalja e Rumen Radevit në arenën politike komentohet prej kohësh si i vetmi variant për ndryshimin e status quo-së pas një serie zgjedhjesh të parakohshme në vitet e fundit.
Bojko Borisov
FOTO: BGNES
Pak përpara fjalimit të jashtëzakonshëm të kreut të shtetit, lideri i GERB-it, Bojko Borisov, deklaroi për gazetën “Kapital” se Rumen Radev sillet si një lider partie me atributet e pushtetit shtetëror. Megjithatë, ai tha se ka “më shumë besim te Radevi sesa te PP-DB”, ndonëse është kategorik se presidenti është pjesë e bashkimit që rrëzoi qeverinë e tij. Bojko Borisov as nuk e përjashtoi, as nuk u angazhua me mundësinë për të bashkëpunuar në një shumicë me Radevin në parlamentin e ardhshëm për çështje kyçe, si reforma në drejtësi.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova