SHOQËRI

Seksion

Mësim për Bullgarinë...

Mësim me Shkollën Bullgare të së Dielës “Rajna Knjaginja” në qytetin Burgos, Spanjë

Dielë, 25 Janar 2026, 09:35

Mësim për Bullgarinë...

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës "Rajna Knjaginja" në Burgos

Madhësia e shkronjave

Në vitin 2026, Radioja Kombëtare Bullgare shënon 90 vjet nga transmetimet e para radiofonike për jashtë vendit, trashëgimtari i së cilës sot është Radio Bullgaria me 11 programe në gjuhën bullgare dhe 10 në gjuhë të huaja. Me këtë rast, ekipi ynë nisi nismën “Mësim për Bullgarinë”, përmes së cilës ndjek hapat dhe emocionet e fëmijëve bullgarë nga diaspora, të cilët kanë udhëtuar në atdhe në kuadër të Programit Kombëtar “Bullgaria – Itinerare Arsimore” të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.


Faqen e parë të këtij mësimi e hapim me Shkollën Bullgare të së Dielës “Rajna Knjaginja” në qytetin Burgos (Spanjë) dhe nxënësit e saj të zgjuar e kureshtarë. Shkolla u themelua në vitin 2013 nga Diljana Bodurova dhe fillimisht funksiononte si degë e një shkolle tjetër të së dielës në vend – “Shën Kirili dhe Metodi” në Valladolid. Dy vjet më vonë, Diljana Bodurova themeloi Shoqatën për Mbështetjen e Emigrantëve “Rilla” në Burgos dhe shkolla “Rajna Knjaginja” nisi historinë e saj të pavarur si projekt arsimor pranë shoqatës dhe si pjesë e shkollave zyrtare bullgare të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.


Gjatë vitit aktual shkollor, ajo tashmë ka edhe degën e saj në qytetin e dytë më të madh të provincës – Miranda de Ebro. Në vitin 2025–2026, ekipi i Diljana Bodurovës edukon 73 fëmijë bullgarë të moshës nga 4 deri në 18 vjeç.

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës "Rajna Knjaginja" në Burgos

Spanja, si një nga vendet më të preferuara prej vitesh për jetë dhe punë nga bullgarët, është një shembull i shkëlqyer i prirjes që breza të rinj bullgarësh të lindin jashtë vendit dhe gjithnjë e më shumë fëmijë “tanët” të rriten në martesa të përziera dhe në një mjedis të një kulture të huaj.

Diljana Bodurova

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës "Rajna Knjaginja" në Burgos

“Kjo është një prirje që nuk është e izoluar për një shkollë apo një rajon të caktuar,” – shpjegon për Radio Bullgarinë drejtuesja e Shkollës Bullgare të së Dielës “Rajna Knjaginja”, Diljana Bodurova.


Pikërisht kjo e bën edhe më të domosdoshëm çdo “Mësim për Bullgarinë”, që shkollat bullgare të së dielës jashtë vendit ua përcjellin brezave të ardhshëm. “Dhe jo vetëm kaq,” – sqaron Diljana Bodurova:

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës "Rajna Knjaginja" në Burgos

“Për mua, këto itinerare arsimore dhe mundësia që na jep Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Bullgarisë janë një shans unik për të forcuar dhe konsoliduar përfytyrimet e fëmijëve për atë se çfarë është identiteti bullgar.”

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës "Rajna Knjaginja" në Burgos

Ka familje që kthehen në atdhe çdo vit dhe fëmijët e tyre i kalojnë verat këtu, por ka edhe të tilla që nuk kanë qenë kurrë në Bullgari, tregon Bodurova: “Për këta fëmijë, Bullgaria është vetëm një tregim, një imazh ose ajo që kanë dëgjuar në shkollë apo nga familja.” Prandaj edhe udhëtimi i parë i nxënësve të saj në kuadër të programit “Itinerare Arsimore” të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, nga 28 shkurti deri më 4 mars 2025, ka qenë një ëndërr e realizuar.


Itinerari “3 Marsi” u përzgjodh në frymën e Festës Kombëtare të vendit dhe përfshinte vizita në qytetet Sofje, Panagjurishte, Strellça, Koprivshtica, Karllovo, Kallofër, Sopot dhe Plovdiv.

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës "Rajna Knjaginja" në Burgos

“Vizituam shumë muze, por mbaj mend më së shumti shtëpinë e Vasil Levskit dhe Muzeun Historik në Panagjurishte,” – thotë Katerina, 15 vjeçe.


Nga përshtypjet që fëmijët ndanë me Radio Bullgarinë u veçua edhe një tjetër emocion që Bullgaria ua dhuroi – takimi me të afërmit, përqafimi personal me gjyshen dhe gjyshin.

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës "Rajna Knjaginja" në Burgos

“Kjo ishte ndoshta një nga gjërat më të bukura, sepse sapo zbritëm në Sofje, që në momentin e parë kishte të afërm – gjyshe dhe gjyshër që vraponin drejt fëmijëve të tyre me lot në sy për t’i përqafuar.”

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës "Rajna Knjaginja" në Burgos

Emocioni nga takimi i drejtpërdrejtë me monumentet kulturore dhe historike bullgare ishte edhe më i fortë për disa fëmijë, për të cilët kjo ishte hera e parë që shkelën në tokë bullgare. “Ka familje që janë në Spanjë tashmë prej tre brezash – gjyshërit, prindërit dhe fëmijët e lindur këtu. Dhe gjithnjë e më shpesh kjo lidhje me Bullgarinë bëhet shumë e brishtë,” – shpjegon Diljana Bodurova dhe rrëfen për këtë takim të parë, të cilin e ka parë me sytë e saj.


“Për mua Bullgaria është shtëpi. Për mua ajo është familje. Pushime. Bukuri. Hijeshi. Atdhe!” – kështu tingëllojnë përgjigjet e shkurtra të fëmijëve ndaj pyetjes “Çfarë është Bullgaria?”

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës "Rajna Knjaginja" në Burgos

Vetë Diljana Bodurova jeton në vendin e Servantesit prej 25 vitesh, por çdo vit kthehet me familjen e saj në atdhe.


“Duke i shoqëruar fëmijët, u ktheva në fëmijërinë time dhe i përjetoja sërish ngjarjet; më vërshonin kujtime nga vizitat në muze apo nga episode të ndryshme që kam pasur në vende të caktuara. Kuptova se sa shumë gjëra kam humbur gjatë këtyre viteve larg Bullgarisë.”
Me një dozë nostalgjie, por edhe me mirënjohje, “Mësimi për Bullgarinë” vazhdon si për të rriturit, ashtu edhe për të vegjlit. Ritmi i tij është i parregullt, ashtu si vallet popullore bullgare. Pikërisht me një valle të hedhur përpara aeroportit “Vasil Levski”, u larguan nga Bullgaria në muajin mars mësuesit dhe nxënësit e shkollës së së dielës “Rajna Knjaginja” në Burgos, Spanjë – me premtimin se do të kthehen sërish.

FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës "Rajna Knjaginja" në Burgos

Të gjitha këto kujtime, emocione dhe shumë fotografi ata i ndanë me Radio Bullgarinë, ndërsa ne i “paketuam” në një video speciale – shikojeni atë.

Video: Krasimir Martinov

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello