HISTORI

Analizë

Historia e levës bullgare pas zëvendësimit të saj me euro

Monedhat në tokat bullgare nga shekulli i XVI-të deri në shekullin e XXI-të

Hënë, 26 Janar 2026, 07:30

Historia e levës bullgare pas zëvendësimit të saj me euro

FOTO: dreamstime.com

Madhësia e shkronjave

145 vjet pas vënies së saj në shfrytëzim, leva doli nga qarkullimi për t’u zëvendësuar si mjet pagese në Bullgari nga monedha e përbashkët evropiane.
Përdorimi zyrtar i levës filloi më 4 qershor 1881. Në të njëjtën datë, në vitin 2025, Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane, në raportet e tyre të jashtëzakonshme të konvergjencës, shpallën se Bullgaria është gati të anëtarësohet në eurozonë duke filluar nga 1 janari 2026.




Kartëmonedha e parë bullgare – ana e përparme

FOTO: Muzeu Rajonal Historik - Gabrovo

Cila është historia e levës bullgare?

Një nga gjërat e para që shteti i ri bullgar fitoi pas Çlirimit në vitin 1878, dhe që forcoi jashtëzakonisht shumë sovranitetin e tij, ishte e drejta për të pasur paranë e vet. Në vitin 1880, Kuvendi Popullor miratoi “Ligjin për të drejtën e prerjes së monedhave në Principatën e Bullgarisë”, me të cilin u krijua njësia monetare kombëtare bullgare – leva. Që nga viti 1885, Banka Kombëtare Bullgare fitoi të drejtën të emetonte edhe kartëmonedha, me detyrimin që ato të kishin mbulim me ar, ndërsa nga viti 1891 – edhe me argjend. Paratë kombëtare bullgare u shtypën në shtypshkronja prestigjioze në Mbretërinë e Bashkuar, Rusi, Gjermani dhe Francë.


FOTO: bnb.bg

Kartëmonedha e parë me numër 000001 u shtyp më 1 gusht 1885 në Shën Petersburg, Rusi. Nominali i saj ishte 20 leva, ndërsa përmasat ishin 150 × 97 milimetra; në këndin e majtë të kartëmonedhës ishte vendosur edhe një shenjë uji e Bankës Kombëtare Bullgare. Origjinali i kartëmonedhës së parë bullgare ruhet në Muzeun Historik të Gabrovos.

Si një prototip i mundshëm i levës bullgare u përmendën talerët holandezë “leuwen”, të cilët u shfaqën në trojet bullgare gjatë shekullit të XVII-të.

Hristijan Atanasov

FOTO: Arkiv Personal

“Taleri “leuwen” pa dyshim ishte i njohur për osmanët dhe përdorej në Perandorinë Osmane gjatë shekujve të XV-të dhe të XVII- të. Osmanët ishin pjesë e të ashtuquajturës “botë e argjendit”, ku përfshiheshin edhe India dhe Kina, në të cilat përdoreshin kryesisht njësi monetare prej argjendi – thekson në një intervistë për Radio Bullgarinë pedagogu i katedrës “Ekonomi politike” në Universitetin e Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore, Hristijan Atanasov. -
Gjatë shekujve të XVI-të dhe të XVII-të, osmanët përdornin kryesisht akçen si monedhë, por ajo zhvlerësohej shpejt dhe filloi të përdorej kryesisht si njësi llogaritëse. Gradualisht, në treg hynin masivisht talerë holandezë, gjermanë dhe çekë, të cilët pëlqeheshin shumë nga popullsia vendase e Ballkanit. Me shumë gjasë, pikërisht për shkak se ishin monedha të mëdha me një kokë luani të paraqitur mbi to, këto mund të konsideroheshin si prototipi i levës bullgare. Ato vazhduan të qarkullonin në tregjet osmane dhe veçanërisht në trojet bullgare deri në Çlirim.”

Taler luani

FOTO: wikipedia.org

Përveç tyre, brenda perandorisë u përdor një sasi shumë e madhe monedhash nga shtete të ndryshme, si edhe monedha osmane vendase – kurushi (groshi).

“Ajo ishte prej argjendi dhe më e madhe, duke u ndarë në grosh, para dhe akçe. Në vitin 1844 u pranua edhe standardi ar-argjend, duke filluar prerja e lirave të arta, të cilat kishin një kurs të rreptë në raport me groshët e argjendtë. Këtë standard ata e ruajtën deri në fund të perandorisë pas Luftës së Parë Botërore. Gjatë dhe pas luftërave të ndryshme – asaj të Krimesë, Ruso-Turke dhe Luftës së Parë Botërore – ata shtypën edhe para letre, të quajtura kajme, me të cilat financuan deficitet buxhetore. Pra, kur lindi leva bullgare, tashmë ekzistonte përvojë si me standardin ar-argjend, ashtu edhe me paratë e letrës, dhe kjo përvojë u bart pas Çlirimit, kur në vitin 1880 u miratua Ligji për Prerjen e Levës Bullgare dhe ajo u lidh me frangun francez. Filluan të shtypeshin edhe para letre, të cilat, mbi bazën e përvojës historike, u pranuan me shumë mosbesim nga popullsia, sepse ajo e mbante mend çfarë kishte ndodhur me kajmen osmane dhe zhvlerësimin e saj të shpejtë.”

Monedhat e para argjendi pas Çlirimit

FOTO: reddit.com

Në vitin 1894 u shfaqën levat e para të arta bullgare, por ato qëndruan në qarkullim për një periudhë shumë të shkurtër — vetëm deri në Luftën e Parë Botërore.

“Ministria e atëhershme e Financave preferonte të prerë levat prej argjendi, pasi përmes sënjorazhit (fitimi i krijuar nga diferenca midis shpenzimeve për prodhimin e monedhës dhe vlerës nominale të parave të emetuara) mund të siguroheshin të ardhura shtesë për thesarin, kështu që standardi i arit në vendin tonë nuk u pranua për një kohë më të gjatë.”

Që nga Çlirimi në vitin 1878 deri në 1952, të gjitha monedhat bullgare u prenë jashtë vendit. Sidoqoftë, megjithëse Bullgaria fitoi të drejtën të prerë monedhat e veta me krijimin e Oborrit Monetar, kjo nuk përbënte një simbol të veçantë të pavarësisë.Ai e argumentoi këtë me faktin se në periudha të ndryshme të historisë së saj leva bullgare gjithmonë ishte “e lidhur” me një valutë të huaj – frangu francez, rubla ruse dhe marka gjermane, dhe që nga viti 2002, edhe me euron. I vetmi periudhë në të cilën leva nuk ishte e lidhur me një valutë të huaj ishte koha e hiperinflacionit në fund të shekullit të XX-të, që çoi në vendosjen e Bordit Valutor.

FOTO: BGNES

Që nga 1 janari 2026, Bullgaria është pjesë e eurozonës. Gjatë muajit të parë në vend përdoren dy valutat paralelisht, dhe mëpas leva do të kalojë në histori. “Me siguri do të ketë një vlerë emocionale dhe do të bëhet objekt i koleksionistëve. Leva do të vazhdojë të këmbehet me kursin aktual të fiksuar ndaj euros (1 euro = 1.95583 leva), pra edhe pas përfundimit të periudhës së ndërrimit të monedhave dhe kartëmonedhave me euro, për një kohë të gjatë do të mund të këmbehen levat që i kemi harruar ose ruajtur për ndonjë arsye”, shpjegon Hristijan Atanasov dhe jep një këshillë për ata që ndihen të shqetësuar nga zëvendësimi i levës me euro:

“E di që çdo ndryshim pranohet me vështirësi, por mendoj se njerëzit duhet të kenë më shumë besim tek institucionet, edhe pse e di sa e lehtë është të thuhet kjo dhe sa e vështirë të realizohet. Sipas mendimit tim, procesi do të kalojë pa probleme, dhe u këshilloj që të ruajnë levat e tyre si një kujtim, por gjithsesi duhet të shohim përpara, dhe mendoj se euroja është një hap drejt një të ardhmeje më të mirë për vendin.”


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova