Autor
Diljana Traçeva
Martë 27 Janar 2026 15:50
Martë, 27 Janar 2026, 15:50
Maria Ilieva
FOTO: facebook.com/mariailievaofficial
Madhësia e shkronjave
Maria Ilieva është një krijuese shumëfaqëshe, që eksploron zhanre të ndryshme muzikore. Pas këngës vallëzuese “DIVA x2” (lexohet “Diva Diva”), të prezantuar në fund të vitit 2025 së bashku me Preja, këngëtarja ofron edhe një këngë shumë të ndryshme – “Drita”. Ajo tregon një tjetër anë të krijimtarisë së saj, që lidhet me vetë-reflektimin dhe emocionet e sinqerta.
Përveçse interpretuese, Maria Ilieva është autore e muzikës dhe tekstit, ndërsa për aranzhimin kërkoi ndihmën e pianistit të njohur xhaz, Zhivko Petrov, me të cilin e lidh një miqësi e gjatë dhe e bukur gjatë viteve. Ata punojnë shpesh së bashku, përfshirë këngët “Vetëm” dhe “Dashuri”.
Për Maria Ilieva, “Drita” është njëkohësisht lutje dhe mirënjohje.
“Drita” është nevoja ime e brendshme për të thënë “Faleminderit” – për gjithçka që kam. Për momentet e bukura, sigurisht, por edhe për ato që më kanë bërë më të fortë dhe më kanë dhënë një mësim. Për këtë jetë të bukur, për faktin që mund të jem e shëndetshme dhe ta jetoj në mënyrë të plotë. Për fëmijët e mi të mrekullueshëm, për dashurinë që kam gjetur… Për të gjitha këto gjëra që më bëjnë kaq të plotë dhe të realizuar. Natyrisht, përmes muzikës mund ta shpreh më bindshëm. Dhe në të vërtetë, këtë këngë e krijova e frymëzuar dhe e motivuar nga e gjithë kjo, në momentin e duhur.”
“Drita” na çon drejt albumit të ardhshëm të këngëtares, i cili pritet në pranverë.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova