Artikull
Hënë 9 Shkurt 2026 17:46
Hënë, 9 Shkurt 2026, 17:46
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të prokurorisë dhanë një konferencë për shtyp lidhur me të ashtuquajturin rast “Petrohan”, i cili bëri shumë bujë këto ditë. Në këtë rast, tetë ditë më parë u gjetën të vdekur tre persona me plagë nga armë zjarri pranë një kasolle të djegur, në afërsi të qafës malore Petrohan, ndërsa dje u gjetën edhe tre persona të tjerë të vdekur, banorë të së njëjtës kasolle, përfshirë një djalë 15-vjeçar, në një fushor në zonën e majës Okollçica. Ata ishin pjesë e një organizate që paraqitej si rangerë, e quajtur “Agjencia Kombëtare për Kontrollin e Territoreve të Mbrojtura” – një OJQ e regjistruar në vitin 2022.
Aktualisht po kryhen autopsitë e kufomave dhe po vazhdojnë marrjet në pyetje të dëshmitarëve, mes të cilëve ka edhe të mitur dhe persona nën moshë madhore, të afërm të viktimave. Në kufomat nuk ka shenja përleshjeje apo dëmtime të tjera, përveç plagëve të shkaktuara nga të shtëna nga afër me lloje të ndryshme armësh, të cilat posedoheshin ligjërisht. Po hetohen versionet e vrasjes së ndjekur nga vetëvrasja ose vetëm vetëvrasjes. Nga vendngjarja u sekuestrua literaturë fetare, si edhe pamje video që tregojnë se zjarri është ndezur qëllimisht brenda kasolles nga tre personat e gjetur të vdekur të parët. Dëgjohet se ata i thonë lamtumirë njëri-tjetrit me fjalët: “Për mua ishte nder.” Sipas dëshmitarëve, kohët e fundit anëtarë të shoqatës shprehnin dëshpërim nga realiteti dhe ndanin mendimin se vdekja është një zgjidhje.
Në shkurt 2025, në Prokurorinë Rajonale të Sofjes është marrë një sinjal për sulm ndaj një personi të mitur nga një individ që banonte në kasolle. Më pas, të afërmit e personit të mitur refuzuan të bashkëpunojnë.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova