KULTURË

Artikull

Lili Ivanova u nderua me “Degën e Artë të Dafinës” të MPJ-së

Mërkurë, 11 Shkurt 2026, 15:49

Lili Ivanova u nderua me “Degën e Artë të Dafinës” të MPJ-së

FOTO: MPJ

Madhësia e shkronjave

Primadona e muzikës pop bullgare, Lili Ivanova, mori shenjën e nderit “Dega e Artë e Dafinмs” të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë. Çmimi iu dorëzua nga ministri Georg Georgiev në një ceremoni solemne në godinën e ministrisë. 

Ai i është akorduar në prag të koncertit të saj të ardhshëm më 24 maj – Dita e Shenjtorëve Kirill dhe Metodij, e alfabetit, arsimit dhe kulturës bullgare dhe e letërsisë sllave – në sallën “Olympia” në Paris, një ngjarje me simbolikë të jashtëzakonshme për diplomacinë kulturore bullgare, thekson MPJ-ja. 

FOTO: MPJ

Në fjalën e tij, ministri Georgiev theksoi se çmimi – më i larti i MPJ-së – është shprehje e mirënjohjes së thellë institucionale dhe njerëzore për kontributin e jashtëzakonshëm të Lili Ivanovës në afirmimin e imazhit pozitiv ndërkombëtar të Bullgarisë përmes diplomacisë kulturore. Ai vuri në dukje se rruga e saj krijuese shumëvjeçare dhe e qëndrueshme, si dhe njohja ndërkombëtare që gëzon, tejkalojnë simbolikën e çdo çmimi.

Sinqerisht e emocionuar, Lili Ivanova e pranoi nderimin dhe shprehu mirënjohjen për respektin e treguar, duke ndarë se një vlerësim i tillë nga një institucion shtetëror bullgar ka rëndësi të veçantë në rrugën e saj profesionale dhe personale. 

Diplomatët patën mundësi të bënin pyetje lidhur me karrierën e saj, ndërsa Lili Ivanova ndau me sinqeritet kujtime për takime, udhëtime dhe koncerte. 

Ajo shpjegoi edhe filozofinë që qëndron pas jetëgjatësisë së saj artistike dhe jetësore – të shikohet vetëm përpara. “Mbrapa nuk ka asgjë, gjithçka është në të ardhmen!”, theksoi ajo, duke mos fshehur se përditshmëria e saj i nënshtrohet një disipline të hekurt. 

“Unë mendoj vetëm për këngët e mia dhe për publikun tim, pjesë e të cilit jeni edhe ju”, iu drejtua ajo diplomatëve. Ajo tregoi edhe për koncertin e saj të ardhshëm në sallën “Olympia” në Paris, si dhe për koncertin bamirës në ndihmë të Fondit të Bashkimit të Artistëve Bullgarë. 

Shenja e nderit “Dega e Artë e Dafinës” është çmimi më i lartë i MPJ-së. Deri tani ai u është dhënë politikanëve, burrështetasve dhe diplomatëve, si edhe qytetarëve bullgarë dhe të huaj që kanë kontribuar në promovimin e shpirtërores, shkencës, kulturës dhe ekonomisë bullgare jashtë vendit. Lili Ivanova është ndër përfaqësueset e para nga fusha e kulturës që nderohet me këtë çmim.

Lexoni më tepër:

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva