LAJME

Artikull

Presidentja i dorëzoi mandatin Andrej Gjurov për formimin e një qeverie teknike

Enjte, 12 Shkurt 2026, 12:04

Presidentja i dorëzoi mandatin Andrej Gjurov për formimin e një qeverie teknike

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Presidentja Ilijana Jotova i ngarkoi nënkryetarin e Bankës Kombëtare Bullgare, Andrej Gjurov, detyrën për të formuar një qeveri teknike. Kryeministri i ardhshëm teknik duhet t’i propozojë brenda një jave kreut të shtetit emrat e ministrave që ajo të miratojë. 

“Ju dorëzoj këtë mandat për formimin e një qeverie teknike, pritshmëritë ndaj jush janë jashtëzakonisht të mëdha. Duam zgjedhje të ndershme, transparente dhe mirë të përgatitura e të zhvilluara për Kuvendin Popullor”, tha Ilijana Jotova. Ajo shtoi se pritet të mbrohet çdo votë dhe zgjedhjet të zhvillohen sipas rregullave dhe Kushtetutës, për të garantuar një shtet të fortë, ligjor dhe të qëndrueshëm. “Nga përgjegjësia e përbashkët mes pushteteve do të varet zgjidhja urgjente dhe adekuate e të gjitha këtyre problemeve”, përfundoi presidentja.  

“Situata nuk është normale. Askush nuk i beson askujt, ju po më jepni besimin tuaj. Do të veproj me përgjegjësi”, u përgjigj Andrej Gjurov. Ai premtoi të mbledhë një ekip njerëzish “që nuk do të prezantohen me pozicionet e tyre politike, por me imazh, ekspertizë dhe dinjitet”.  

Qeveria e përkohshme emërohet me dekret të presidentes. Prej kësaj varet edhe data e mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin Popullor të 52‑të. Nëse përbërja e kabinetit paraqitet brenda afatit të kërkuar, dekreti për formimin e tij do të lëshohet më 19 shkurt, në mënyrë që zgjedhjet e parakohshme të mund të zhvillohen më 19 prill, njoftoi kreu i shtetit.  

Më vonë, në një konferencë për shtyp, Ilijana Jotova deklaroi se ka të drejtën t’ia kthejë listën e kabinetit teknik nëse në të sheh një figurë që do të punonte kundër interesave të qytetarëve bullgarë. “Jam thellësisht e bindur se nuk do të arrijmë deri aty”, shtoi ajo.  

Presidentja i rekomandoi qeverisë teknike të zbatojë “masa të menjëhershme për kontrollin e çmimeve, stabilizimin e financave të shtetit në euro, rregullimin e çmimeve të energjisë elektrike, masa të shpejta për më të cenueshmit, zgjidhjen e rastit ‘Petrohan’, përmbushjen e angazhimeve ndaj partnerëve tanë”. Ilijana Jotova theksoi gjithashtu se ajo nuk do të mbajë përgjegjësi për kabinetin, por do të jetë korrektues i tij, si dhe se do të hapë dyert e institucionit presidencial për sinjale për parregullsi gjatë përgatitjes së zgjedhjeve, në ditën e votimit dhe për gjithçka që lidhet me veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva