SHOQËRI

Artikull

90 vjet zë drejt botës – Radio Bullgaria mes kujtesës dhe së ardhmes

Intervistë me Krasimir Martinov – kryeredaktor i Radio Bullgarisë

Hënë, 16 Shkurt 2026, 07:00

Krasimir Martinov

Krasimir Martinov

FOTO: Arkiv personal

Madhësia e shkronjave

Më 16 shkurt 2026, Radio Bullgaria shënon 90 vjet nga themelimi i saj – nëntë dekada gjatë të cilave media ka qenë dritarja e Bullgarisë drejt botës. Nga transmetimet e para në valë të shkurtra deri te platformat e sotme digjitale, Radio Bullgaria mbetet një lidhje e qëndrueshme me bullgarët jashtë vendit dhe me të gjithë ata që kërkojnë informacion të besueshëm për vendin tonë. Ajo transmeton në bullgarisht dhe në 10 gjuhë të tjera – anglisht, rusisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, turqisht, serbisht, greqisht, shqip dhe rumanisht. Me rastin e përvjetorit bisedojmë me kryeredaktorin e Radio Bullgarisë, Krasimir Martinov – për rrugën e tij profesionale, për misionin historik të medias dhe për të ardhmen e saj.

Rruga e Krasimir Martinovit në Radio Bullgaria fillon në vitin 1998, kur si student i filologjisë bullgare ai nis të bashkëpunojë me redaksinë. Fillimisht punon mbi tema rinore, por që në fillim të mijëvjeçarit të ri, pas një konkursi, bëhet gazetar me kohë të plotë dhe merr përsipër një nga fushat më të përgjegjshme – politikën e brendshme dhe të jashtme.

“Atëherë Bullgaria ende nuk kishte hyrë në NATO, negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian sapo kishin filluar, konfliktet në ish-Jugosllavi vazhdonin, po zhvillohej procesi kundër mjekëve bullgarë dhe mjekut palestinez në Libi, ndërsa në vitin 2003 erdhi edhe lufta në Irak… Të gjitha këto tema ishin në fushëvështrimin tim si gazetar i ri”, tregoi Martinov.

Sipas fjalëve të tij, kjo periudhë është një shkollë e vërtetë gazetarie – kohë kërkesash të larta profesionale, reagimesh të shpejta dhe përgjegjësie serioze ndaj audiencës jashtë vendit. Rol të rëndësishëm për zhvillimin e tij kanë edhe njerëzit me të cilët punon – redaktorë dhe drejtorë, që kanë lënë gjurmë të qëndrueshme në historinë e Radio Bullgarisë.

FOTO: Arkiv personal

Ndër projektet e rëndësishme në karrierën e tij, Martinovi veçon gjithashtu edhe punën e tij në programin rajonal Radio Sofja, ku puna e tij merr një dimension të fortë social dhe shpesh çon në ndryshime reale në mjedisin urban dhe në jetën e njerëzve.

Sot Radio Bullgaria ekziston në një mjedis krejtësisht të ndryshëm. Bota është digjitale, informacioni përhapet menjëherë, ndërsa audienca ka zakone dhe pritshmëri të reja. Sipas kryeredaktorit, kalimi drejt formateve të reja nuk është çështje zgjedhjeje, por domosdoshmëri.

FOTO: Pexels, BNR


“Nuk kemi zgjedhje – duhet të ndjekim formatet digjitale. Ato arrijnë tek shumë njerëz në një kohë shumë të shkurtër, lejojnë përmbajtja të analizohet dhe të dëgjohet përsëri e përsëri, ndërsa reagimi nga audienca është shumë më i shpejtë”, ndau Martinov.

Radio Bullgaria midis bullgarëve në Shqipëri

FOTO: Krasimir Martinov

Pavarësisht ndryshimeve, audiencat kryesore të synuara të Radio Bullgarisë mbeten të njëjtat. Në radhë të parë këta janë bullgarët në botë – si komunitetet historike, ashtu edhe valët e reja emigratore. Një pjesë shumë thelbësore e audiencës janë edhe qytetarët e huaj, të cilët informohen për Bullgarinë në gjuhën e tyre përmes 10 redaksive në gjuhë të huaj të medias; mes tyre janë edhe qytetarët bullgarë me gjuhë amtare turqishten, për të cilët përgatitet një program i përditshëm në transmetim të drejtpërdrejtë.

Krasimir Martinov dhe shkrimtarja, përkthyesja dhe figura publike shqiptare Milena Selimi

FOTO: Arkiv personal

Ndërtimi i lidhjeve me bullgarët jashtë vendit bazohet në besim dhe partneritete shumëvjeçare – me shkolla, qendra kulturore, bashkësi kishtare dhe institucione. Radio Bullgaria gjithnjë e më shpesh afirmohet si partner mediatik i forumeve dhe nismave ndërkombëtare.

“Pavarësisht kufizimeve buxhetore, arrijmë të jemi fleksibël dhe të mbështesim bashkatdhetarët tanë në botë, duke ndërtuar ura – mes tyre dhe mes tyre dhe Bullgarisë”, theksoi Martinov.

Historia e Radio Bullgarisë është e mbushur me shembuj mbresëlënës të ndikimit të saj – nga radioamatorë në Indi, që kanë mësuar për vendin tonë përmes redaksisë në gjuhën angleze, deri te emra të njohur botërisht si Teodor Ushev dhe Xhoko Rosiç, rruga e të cilëve është e lidhur ngushtë me median.

Nëntëdhjetë vjet pas sinjalit të saj të parë drejt botës, Radio Bullgaria vazhdon të përmbushë misionin e saj – të paraqesë vendin tonë ndershmërisht, profesionalisht dhe në një gjuhë të kuptueshme. Siç përmbledh Krasimir Martinov – kjo është historia e Bullgarisë, e treguar përtej kufijve të saj, nga breza gazetarësh që besojnë në fuqinë e fjalës dhe të besimit.


Shihni më shumë nga Arkivi i Radio Bullgarisë: 


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski