SHOQËRI

Artikull

Presidentja kërkoi bekim për Forumin Ndërkombëtar kushtuar Alfabetit Cirilik

Enjte, 12 Shkurt 2026, 18:23

Presidentja kërkoi bekim për Forumin Ndërkombëtar kushtuar Alfabetit Cirilik

FOTO: Qendra e Shtypit e Presidencës

Madhësia e shkronjave

Me ftesë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Bullgare, presidentja Ilijana Jotova u takua me Shenjtërinë e Tij Daniill – Patriark i Bullgarisë dhe Mitropolit i Sofjes. Kreu i shtetit theksoi rolin historik të Kishës Ortodokse Bullgare në luftërat për çlirim kombëtar, në Çlirimin dhe në lindjen e Shtetit të Tretë Bullgar, si edhe në kohët e sotme të vështira. “Besimi na bashkon dhe na edukon me vlera që na duhen në botën e sotme të rrezikshme”, theksoi Jotova.

Nga ana e tij, Shenjtëria e Tij Daniill i uroi Ilijana Jotovës të vazhdojë përmbushjen e misionit kryesor të kreut të shtetit – bashkimin e kombit.


FOTO: Qendra e Shtypit e Presidencës

Presidentja kërkoi bekimin e Sinodit të Shenjtë për Forumin e tretë Ndërkombëtar kushtuar Alfabetit Cirilik, që do të mbahet në mars. Dy edicionet e mëparshme të forumit u zhvilluan me mbështetjen dhe pjesëmarrjen e Sinodit të Shenjtë. Një nga theksat e konferencës së sivjetshme do të lidhet me jetën dhe veprën e Shën Joan Rilskit, me rastin e dy përvjetorëve përkujtimorë – 1150 vjet nga lindja e tij dhe 1080 vjet nga fjetja e tij në Zotin.

Shenjtëria e Tij Daniill i dhuroi kreut të shtetit një ikonë të Shën Joan Rilskit me rastin e 1080-vjetorit të fjetjes së shenjtit.

FOTO: Qendra e Shtypit e Presidencës

Me urimet që të udhëheqë të krishterët ortodoksë në rrugën e shpëtimit, presidentja Jotova i dhuroi patriarkut Daniil një kryq altari, si edhe dy përmbledhje me kumtesa shkencore nga forumet ndërkombëtare për alfabetin cirilik.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova