POLITIKË

Artikull

Daniel Xhenev nga Çikagoja: Nuk ka logjikë në kufizimet e reja zgjedhore

Bullgarët jashtë vendit nuk i nënshtrohen manipulimeve, ata votojnë për të gjitha partitë, thotë vullnetari zgjedhor nga SHBA

Enjte, 19 Shkurt 2026, 07:20

Daniel Xhenev nga Çikagoja: Nuk ka logjikë në kufizimet e reja zgjedhore

FOTO: Rojters (arkiv)

Madhësia e shkronjave

Pas një seance shumëorëshe, Kuvendi Popullor miratoi përfundimisht ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me të cilat numri i seksioneve jashtë përfaqësive tona diplomatike në vendet jashtë BE‑së kufizohet në 20. Propozimi i grupit parlamentar të “Vëzrazhdane” u miratua me 117 vota “pro”, 82 “kundër” dhe 10 “abstenim”. Kundër propozimit u deklaruan PP‑DB, DPS – Fillim i Ri, MEÇ, “Veliçie” dhe APS.


FOTO: BTA

Sipas këtij vendimi, në vende si Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe SHBA, ekzistenca e vetëm 20 seksioneve zgjedhore do të ketë ndikim negativ – pjesëmarrja zgjedhore e bashkatdhetarëve tanë në këto shtete është tradicionalisht e lartë, ndërsa numri më i vogël i seksioneve do të çojë në grumbullim të madh njerëzish. Është i mundur edhe heqja dorë nga ushtrimi i së drejtës së votës për shkak të nevojës për të përshkuar distanca të mëdha deri te vendet e votimit.


Rumen Radev

FOTO: BGNES

Një nga reagimet e para mbi këtë temë erdhi nga Rumen Radev – deri së fundmi president, tani një nga politikanët që do të marrin pjesë në garën politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Me një postim në Facebook ai komentoi se vendimi i parlamentit është një hap i radhës në përpjekjet e status quo‑së politike për të ruajtur pushtetin e vet duke kufizuar të drejtat demokratike të bullgarëve jashtë vendit.

Shtetet e Bashkuara janë një nga vendet që bien në zonën e kufizimit të ri të miratuar dhe, krahasuar me votimin e tetorit 2024, numri i seksioneve do të ulet me gati 50%. Çfarë vështirësish do të shkaktojë kjo?


 

Konsullata e Përgjithshme në Çikago

FOTO: mfa.bg

“Ne jemi të ndarë në katër konsullata – Uashington, Nju Jork, Los Anxhelos dhe Çikago, dhe, thënë përafërsisht, secila prej tyre mbulon rreth 10–12–15 shtete. Në ditët e fundit zgjedhore kishim 55 seksione për gjithë Amerikën, që do të thotë rreth 10–15 për konsullatë. Në Çikago, ku jemi ne, për qytetin kishte 8 seksione dhe 6 në gjashtë shtetet fqinje. Pra, nëse e mendojmë drejt – 4 rajone me 4 konsullata, 15 shtete – duhet të kenë vetëm nga pesë seksione jashtë konsullatave. Kjo do të thotë se, shumë gjasa, do të mbeten 2, 3 ose 4 seksione në Çikago dhe të gjitha të tjerat në shtetet përreth do të mbyllen. Thënë troç, njerëzit duhet të vendosin: të vijnë të votojnë në Çikago dhe të humbasin gjithë ditën, ose të mos votojnë fare” – shpjegoi për Radio Bullgarinë vullnetari zgjedhor nga Çikagoja, Daniell Xhenev.

Daniell Xhenev jeton në Çikago që nga viti 2005 dhe punon si kontabilist në një bankë në qendër të qytetit. Ai thotë se ka ndjekur të gjitha debatet që lidhen me hipotezën për kufizimin e seksioneve, pasi prej vitesh është pjesë e komisioneve në ditën e zgjedhjeve.

Daniell Xhenev

FOTO: arkiv personal

“Tek ne nuk ka gjëra të tilla si zgjedhje të zhvilluara në mënyrë të pandershme. I kemi organizuar me votim vetëm me letër, plotësisht me makina – ku protokolli printohej menjëherë pas përfundimit të ditës së votimit dhe askush nuk llogariste asgjë – me makina dhe me letër, si edhe me makina që shërbenin si printerë. Tek ne vullnetarët në një komision janë gjithmonë përfaqësues të komunitetit dhe të diasporës në qytet dhe janë këtu që të mund të zhvillohen zgjedhjet në mënyrë të ndershme dhe qytetarët bullgarë të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e votës. Në Amerikë ka emigrantë të çdo moshe – të rinj dhe të moshuar – por të gjithë e dinë se një ditë, kur të dalim në pension, do të kthehemi t’i shpenzojmë pensionet tona në Bullgari, ndaj na intereson drejtpërdrejt se çfarë po ndodh atje.”

FOTO: BGNES

Daniel Xhenev është kategorik se bashkatdhetarët tanë jashtë vendit nuk i nënshtrohen manipulimeve që lidhen me të drejtën e tyre për zgjedhje të lirë:

“Bullgarëve jashtë vendit është shumë e vështirë t’u thuash për kë të votojnë. Ata lexojnë lajme, informohen dhe vendosin vetë kë të mbështesin. Bullgarët jashtë votojnë për të gjitha partitë, ndaj askush nuk mund të thotë: ‘nuk duam të ketë seksione jashtë vendit, sepse atje votohet për një parti të caktuar’. Për të gjitha partitë votohet dhe nuk ka asnjë argument logjik për këtë ndryshim tani.”

“Çdo kufizim i të drejtave të qytetarëve është një shenjë shumë e keqe” – komentoi në një intervistë për BNR analisti politik Jurij Asllanov.

Jurij Asllanov

FOTO: BGNES

“E kuptoj pse bëhet dhe pse disa parti të përfaqësuara në parlament e propozojnë, por mund të them, pasi kam ndjekur me kujdes të gjitha ndryshimet në ligjet zgjedhore të Bullgarisë nga viti 1990 e deri më sot, se rezultati i zgjedhjeve ka qenë gjithmonë në raport të zhdrejtë me synimin e ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor.”

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva