SHOQËRI

Artikull

Mësim për Bullgarinë: dija si forcë për fëmijët bullgarë në Shkup

Fëmijët nga Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej” në Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut, panë kryeqytetet e vjetra bullgare

Mërkurë, 25 Shkurt 2026, 20:00

Mësim për Bullgarinë: dija si forcë për fëmijët bullgarë në Shkup

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej” në Shkup

Madhësia e shkronjave

Një nga gjërat e para që bullgarët i themi njëri-tjetrit kur takohemi është “Zdravej!”. Joformale, e thjeshtë, por e sinqertë, ndërsa si do të vazhdojë komunikimi më pas është çështje rrethanash dhe qëllimesh. Në gjuhën maqedonase shprehja është “Zdravo!”. E ngjashme, por jo krejtësisht. Gjuhë të afërta, popuj të afërt, një kufi shtetëror largësi, por një humnerë e tërë njerëzore, nëse gjykojmë sipas ngjarjeve dhe “incidenteve” të viteve të fundit. Por sot i shtrijmë dorën njëri-tjetrit dhe themi “Zdravej!” me një “Mësim për Bullgarinë” të veçantë dhe emocional, që na e paraqitën nxënësit nga Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej” – Akademia për Arsim Inovativ në Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut, dhe drejtoresha e saj Ilijana Atanasova.

E vetmja qendër arsimore bullgare funksionale sot në fqinjën tonë jugperëndimore është krijuar në vitin 2017, por veprimtaria e saj fillon disa vite më herët, ndërsa arsyeja është shumë personale – dëshira e fortë e disa nënave bullgare që t’i mësojnë fëmijët e tyre të thonë “Zdravej!” Bullgarisë – t’i shndërrojnë rrënjët e tyre në forcë, e jo në thembër të Akilit. Njëra nga këto nëna është edhe Ilijana Atanasova, e cila e merr si mision të sajin krijimin e një shkolle bullgare në zemër të Maqedonisë së Veriut plot 75 vjet pas mbylljes së të fundit të tillë.

FOTO: Facebook /Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej”

Motivi personal dhe dëshira e madhe që fëmijët tanë të ‘shkrimohen’, të arsimohen në gjuhën amtare, qëndron në themel të krijimit të shkollës së së dielës në Shkup” – thotë Atanasova me atë lehtësi vendimtare të një njeriu të bindur në vendimin e tij.

E lehtë nuk ka qenë aspak. Lidhja e bashkatdhetares sonë me fqinjën tonë perëndimore është “romantike dhe personale”, siç e pranon vetë ajo. Fillimi është para 25 vjetësh në Universitetin Jugperëndimor “Neofit Rillski” në Bllagoevgrad dhe një dashuri – “ashtu, për pak” – që e ndau jetën e saj në “atje” dhe “këtu”. Vetë Ilijana është me arsim ekonomiste, për shumë vite punon në sektorin privat, ndërsa dy dekadat e fundit ajo dhe familja e saj jetojnë në Shkup.

FOTO: Facebook /Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej”

“Sipas meje, për ta dashur Bullgarinë dhe për t’i njohur traditat e saj nuk të duhet arsim i posaçëm. Kjo është e vendosur në gjenin tonë, në gjakun tonë. Po, është e vështirë si jo-specialiste të fillosh një ndërmarrje të tillë, nuk i njeh shumë veçori, por nuk ka gjëra të pamundura – nëse njeriu dëshiron diçka, do ta arrijë.”

Sot në Shkollën Bullgare të së Dielës “Zdravej” mësojnë fëmijë nga klasa I deri në XII, ndërsa gjatë këtij viti shkollor kanë edhe një grup parashkollor për fëmijë nga 4 deri në 6 vjeç, për të cilët i gjithë ekipi i shkollës është shumë krenar. Akademia për Arsim Inovativ është jashtëzakonisht e dobishme edhe për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në universitete bullgare, me kurs të posaçëm përgatitor – mbi 100 fëmijë në vit kalojnë nëpër të në rrugën drejt diplomës së ëndërruar. Interesi është i madh, sepse shumë prindër këtu janë të vetëdijshëm për cilësinë e arsimit në Bullgari. Tradicionalisht interesimi më i madh është për mjekësi, stomatologji, farmaci, teknologji IT dhe lloje të ndryshme të arteve, përfshirë pranimin në Akademinë Kombëtare të Muzikës “Prof. Panço Vlladigerov” dhe në Akademinë Kombëtare për Art Teatri dhe Filmi “Krastjo Sarafov”. Suksesi në provimet pranuese çdo vit është mbi 80%.

FOTO: Facebook /Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej”

Në bisedë përfshijmë edhe hijen e një sërë ngjarjesh të viteve të fundit, me sulme ndaj bashkatdhetarëve tanë në Maqedoninë e Veriut dhe përdhosjen e qendrave kulturore bullgare, me qëndrimin dhe gjuhën e vendasve dhe të pushtetit ndaj bullgarëve. Ilijana Atanasova pranon se edhe pas pranimit të propozimit francez për fillimin e negociatave për anëtarësimin e shtetit në BE është vërejtur një rënie, kryesisht e atyre që dëshirojnë të studiojnë në Bullgari. Si mësohet bullgarizmi në një mjedis të tillë?

FOTO: Facebook /Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej”

“Nuk është e lehtë, nuk ka si t’ju gënjej. Çdo ditë përballemi me gjuhën e urrejtjes. Vërtet nuk është e këndshme! Kemi një rënie të vogël nga maqedonasit bullgarë të regjistruar, pasi kishim fëmijë të tillë, mjaft njerëz ishin interesuar për shkollën tonë dhe i kishin regjistruar fëmijët e tyre. Ende kemi të tillë, por më pak. Këtu është shumë më ndryshe nëse mëson gjuhën bullgare se nga çdo vend tjetër në Evropë. Unë këtë e shpjegoj me mosdije. Ndoshta edhe fakti që këtu ka, dhe e them me përgjegjësinë më të madhe, një errësim informativ – nuk arrijnë fakte, por informacione të shkëputura, dhe për këtë arsye arrihet në këtë gjuhë të urrejtjes dhe në këto sulme fizike.”

Arsimi, njohja e tjetrit, mendimi kritik ndaj informacionit të paraqitur dhe mjedisi familjar janë parakushte jashtëzakonisht të rëndësishme për ndërtimin e evropianëve të plotë dhe të vërtetë – në këtë beson Ilijana Atanasova dhe me mirënjohje të madhe ndaj Misionit tonë Diplomatik në Shkup dhe Ministrisë bullgare të Arsimit dhe Shkencës ajo pranon se Programi Kombëtar “Bullgaria – Itinerare Arsimore” është jashtëzakonisht i vlefshëm në punën e saj si edukatore e bullgarëve. Pas shumë mendimesh dhe disa hezitimesh, në vitin 2025 ajo vendos të kandidojë në program dhe Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej” zgjidhet për të realizuar itinerarin “Kryeqytetet e Vjetra të Bullgarisë”. Grupi përfshiu të gjithë fëmijët që kishin dëshirë dhe mundësi, nga klasa I deri në XII, ose thënë ndryshe 40 nxënës të vegjël dhe më të rritur. Ata me dëshirë të madhe ndanë përshtypjet e tyre me Radio Bullgarinë, duke përgatitur posaçërisht një video për nismën tonë “Mësim për Bullgarinë”, në të cilën treguan për shkollën e tyre, për përjetimet gjatë udhëtimit pesëditor nëpër vend – një mësim i vërtetë atdhedashurie. Shikojeni:

“Në periudhën nga 17 deri më 21 qershor 2025 u zhvillua itinerari arsimor ‘Kryeqytetet e vjetra bullgare’, i cili na çoi në gjurmët e historisë, kulturës dhe shpirtërisë bullgare. Nga Sofja përmes Plliskës dhe Veliko Tërnovos dhe Etera. Udhëtimi ishte një zhytje e vërtetë në të kaluarën. Një takim me madhështinë e kryeqyteteve të para bullgare me kujtimin për mbretërit shkrimtarë dhe ndërtues të shpirtit” – e nis rrëfimin nxënësi i klasës së pestë Viktor Vasilevski, ndërsa drejtoresha e shkollës shton:

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej” në Shkup

“Është shumë e rëndësishme që fëmijët ta ndiejnë Bullgarinë. Ajo të mos jetë një nocion abstrakt, të mos jetë vetëm shtëpia, oborri apo apartamenti i gjyshes dhe gjyshit, por fëmijët të shohin gjithçka që mësojnë dhe ta ndiejnë. Prandaj mendoj se ky program është shumë i rëndësishëm. Fëmijët e përjetuan Bullgarinë!"

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej” në Shkup

Ilijana Atanasova është kategorike – fëmijët jo vetëm që kanë fituar shumë dhe njohuri të qëndrueshme për Bullgarinë, por kanë arritur edhe të njihen mes tyre, gjë që doli të ishte jo më pak e vlefshme për ta. Në shkollën e së dielës, ku takohen një herë në javë për disa orë, vështirë se mund të ndërtojnë një lidhje të tillë mes tyre, thotë ajo. Dhe megjithëse shumica e fëmijëve e kishin vizituar vendin tonë edhe më parë, vendet që panë me shokët e klasës ishin krejtësisht të panjohura për ta.

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej” në Shkup

“Një nga vendet e mia të preferuara nga ekskursioni ishte kalaja ‘Carevec’ në Veliko Tërnovo. Aty kanë jetuar mbretërit dhe mbretëreshat e Mbretërisë së Dytë Bullgare. Aty gjithashtu ka një kishë me afreske shumë interesante. Tërnovo pushon së qeni kryeqytet i Bullgarisë kur vendi pushtohet nga Perandoria Osmane. Atëherë përfundon Mbretëria e Dytë Bullgare. Mua më pëlqeu shumë Careveci dhe në përgjithësi Veliko Tërnovo” – ndan Viktor Vasilev.

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej” në Shkup

“Madhështi, dije dhe frymëzim – këto janë tri fjalët që përshkruajnë më saktë itinerarin tonë arsimor” – shton shoqja e tij e klasës, Samira Sadiki.

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej” në Shkup

Edhe në vitin 2026 Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej” do të udhëtojë sipas “Itinerareve Arsimore” të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Këtë herë grupi do të numërojë 15 fëmijë, të cilët do të zhyten në Bullgarinë e Rilindjes Kombëtare dhe në fillim të muajit qershor do të marrin pjesë në korrjen e trëndafilave në Luginën e Trëndafilave. Ekskursioni i ardhshëm është shndërruar në motivim për sukses më të mirë, pjesëmarrje në konkurse dhe detyra të shkruara me kohë. Sepse të gjithë e dinë se ky është kusht për ta vizituar sërish Bullgarinë, dhe jo me mamin dhe babin, por me shokët e tyre.

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej” në Shkup

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Zdravej” në Shkup

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski