Artikull
Protestë e radhës kundër Prokurorit të Përgjithshëm
Protesta e radhës kërkoi shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë me mandat të skaduar
Enjte 26 Shkurt 2026 09:50
Enjte, 26 Shkurt 2026, 09:50
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Një protestë e madhe para Pallatit të Drejtësisë në kryeqytet, e organizuar nga iniciativa “Drejtësi për secilin”, mbrëmë kërkoi zëvendësimin e ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm Borisllav Sarafov. Edhe pse mbledhja e pleniumit të Këshillit të Lartë Gjyqësor është caktuar për sot, 26 shkurt, me një pikë të vetme – emërimin e një prokurori të ri të përkohshëm të shtetit me iniciativë të Ministrit të përkohshëm të Drejtësisë Andrej Jankullov, ndër protestuesit u përhap mendimi se ajo mund të dështojë, njofton BGNES.
Sipas protestuesve, Borisllav Sarafov ka uzurpuar pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe është në shkelje të ligjit që nga korriku i vitit të kaluar, kur skadoi afati gjashtëmujor në të cilin ai mund ta mbante këtë post.
“Derisa Sarafov të mos e lirojë zyrën në katin e katërt, protestat do të vazhdojnë dhe do t’i sinjalizojmë Prokurorisë Evropiane për shkeljen e sundimit të ligjit. Nesër (sot – shën. red.) është mundësia e fundit për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) për një provim korrigjues”, deklaroi avokati Velisllav Veliçkov nga organizata joqeveritare.
“Drejtësi për secilin” e akuzon Prokurorin e Përgjithshëm me mandat të skaduar edhe për varësi politike dhe ndërhyrje në çështje kyçe si rasti “Petrohan” dhe “Tetë xhuxhët”.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva