TURIZËM

Artikull

Ku ta zhytni shpirtin tuaj – banjat minerale të gjalla të Bullgarisë

Dielë, 22 Mars 2026, 08:10

Ku ta zhytni shpirtin tuaj – banjat minerale të gjalla të Bullgarisë

FOTO: thermalassociation.bg

Madhësia e shkronjave

Bullgaria spikat shkëlqyeshëm në hartën termike të Evropës me mbi 225 burimet e saj minerale. Rreth tyre gjatë shekujve kanë lindur qytete, banja publike dhe një kult i tërë i ujit shërues. Megjithatë, deri më sot nuk ka një regjistër shtetëror që do të tregonte se ku ndodhen këto objekte, cilat prej tyre funksionojnë dhe në çfarë gjendjeje janë. Për të mbushur këtë boshllëk, Shoqata Bullgare për Trashëgiminë Termike (SHBTT) krijoi një hartë interaktive, e cila do të drejtonte interesin e njerëzve drejt banjave minerale në vend. Megjithatë, prej saj bëhet e qartë se pamja nuk është aspak rozë – nga 125 banjat e regjistruara, vetëm rreth 50 funksionojnë, por shumë prej tyre janë në gjendje të keqe. Ka vetëm 20-25 banja minerale që në të vërtetë funksionojnë mirë, mësojmë nga ark. Ivajllo Zahariev nga SHBTT: 

FOTO: mineralnibani.bg

"Banja minerale është tradicionale për Bullgarinë. Këto banja kanë një seksion për meshkuj dhe një për femra, domethënë nuk hyni në to me rroba banje, por e keni këtë relaksim në përvojën me ujin mineral, ku jeni vetëm me ujin. Dhe fakti që jeni me gjininë tuaj është edhe më relaksues, sepse nuk shqetësoheni se si dukeni. Njeriu është vërtet në kontakt me natyrën, sepse këtu fokusi kryesor është tek uji mineral dhe balneologjia – zakonisht ujërat burojnë nën banjë, të cilat rinovohen vazhdimisht në pishinë." Ka vetëm 20-25 banja minerale në funksionim, mësojmë nga ark. Ivajllo Zahariev nga SHBTT:

Ndërsa në qendrën spa uji mbahet me kimikate, sepse njerëzit hyjnë me rroba banje, banja tradicionale është “e gjallë”, me një rrjedhë të vazhdueshme që buron nga toka poshtë saj. Kjo e bën atë jo vetëm një vend për pushim, por edhe për prevencë dhe procedura shëndetësore. Ark. Zahariev ndalet edhe te konteksti historik i kësaj pasurie.

Banjat Romake të Dioklecianopolit

FOTO: thermalassociation.bg

“Banjat janë një fenomen shumë i vjetër në trojet tona. Romakët ishin të parët që ndërtuan banja. Në Bullgari ka disa ndërtesa të ruajtura, mjaft të mëdha. Termat më të mëdha u zbuluan së fundmi në “Raciaria”, pranë fshatit Arçar në Vidin(Bullgaria Veriperëndimore). Kjo është banja e tretë romake më e madhe e gjetur deri tani në botë. Ndërsa e katërta janë termat romake në Varna, të shndërruara në muze. Më vonë Perandoria Osmane i trashëgoi këto banja dhe tashmë në fillim të shekullit XX, kur Bullgaria u bë mbretëri e pavarur, u vendos modeli për t’i rindërtuar banjat në ndërtesa shumë më të mëdha, si Banja Qendrore Minerale në Sofje, Bankja ose Ovça Kupell.”



Banja e rimëkëmbur në Bankja

FOTO: BTA

Për fat të keq, sot gjendja e një pjese të madhe të objekteve termale është më shumë se shqetësuese – shumë prej tyre janë të braktisura, të tjera po shndërrohen në komplekse luksoze spa, dhe herë pas here bëhen përpjekje, edhe pse jo të plota, për t’u rikthyer funksioni i tyre fillestar.

“Banja e thjeshtë në lagjen Pançarevo është e vetmja që funksionon sipas modelit tradicional, nga gjithsej 12 banjat e dikurshme të kryeqytetit, dhe është jashtëzakonisht e popullarizuar mes të huajve, vëren ark. Zahariev dhe shton:”

Banja minerale "Rupite"

FOTO: thermalassociation.bg

“Nëse shikoni hartën që kemi bërë, do të shihni se në Bullgarinë Jugore ka shumë më tepër burime sesa në atë Veriore dhe shumica e resorteve balneologjike janë atje. Ka shumë rreth Hisarjas. Por për fat të keq, atje nga gjashtë banjat në vetë qytetin, vetëm një funksionon sot. Në Strellça, Starosell, Krasnovo ose në fshatin Banja pranë Karllovos, mirëmbajtja e banjave lokale është në nivel të mirë dhe ato përdoren aktivisht.


Kompleksi mineral - fshati Jagoda

FOTO: maglizh.bg

Në rajonin e Stara Zagorës të bën përshtypje banja e restauruar e fshatit Jagoda, e shndërruar në një stoli të vërtetë arkitekturore nga fillimi i shekullit të kaluar. Në jug dallohen edhe Banjat Minerale të Haskovos, gjithashtu të rinovuara dhe të mirëmbajtura. Tradita të forta termale ka edhe rreth Velingradit, ku gjashtë objekte funksionojnë pothuajse tërësisht, si edhe në rajonin e Mellnikut dhe Petriçit – me objekte funksionale në Marikostinovo, Kresna, Simitli dhe Jakoruda. Për fat të keq, shteti ka qëllime dhe premtime të mira, por realisht vetëm një pjesë e vogël e banjave minerale të braktisura kanë plane konkrete për zhvillim dhe rikthim,” – përfundoi ark. Zahariev.

Banja bashkiake në fshatin Minerallni Bani

FOTO: mineralnibani.bg

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva