Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
“Është gjallëruar pylli” – një kryevepër folklorike nga Krahina e Pirinit
Kryevepra të kulturës muzikore bullgare
Premte 20 Mars 2026 20:00
Premte, 20 Mars 2026, 20:00
FOTO: arkiv
Madhësia e shkronjave
Bullgarët jetojmë në një vend të vogël, por jemi krenarë për folklorin tonë jashtëzakonisht të pasur, i cili bart mençurinë e kombit dhe e transmeton brez pas brezi. Larmia e krijimtarisë sonë popullore, përveç gjenisë bullgare, i detyrohet edhe faktit që Bullgaria është e ndarë në shtatë rajone të veçanta folklorike: Krahina e Pirinit, Rodopet, Trakia, Krahina e Shopëve, Krahina Veriore, Dobruxha dhe Krahina e Stranxhës, secila prej tyre me veçori dhe specifika unike.
Rajoni më i vogël etnografik i Bullgarisë – ai i Pirinit, i vendosur në pjesën jugperëndimore të vendit, është shumëngjyrësh dhe plot karakter.
Në rajonin e Pirinit janë të përhapura gjerësisht temat e lidhura me luftërat për çlirim, dhe një nga veprat më të njohura me një subjekt të tillë është kënga lirike “Villa sej gora” (“Është gjallëruar pylli”). Në të, motivi klasik folklorik – “gjallërimi” (lëkundja, zhurmimi) i pyllit – lidhet me vetëflijimin dhe vuajtjet e një të riu luftëtar për liri. Subjekti prekës i “Villa sej gora” ka frymëzuar kompozitorë të mëdhenj bullgarë si Dobri Hristov dhe Panço Vlladigerov për versione autoriale korale dhe solo të këngës.
Grujço Doçev
FOTO: arkiv
Shpesh e interpretuar nga këngëtarë të njohur nga krahina folklorike e Pirinit, si Ruska Stoimenova apo Ilija Argirov, kënga hyn edhe në repertorin e interpretuesve të shquar nga rajone të tjera folklorike. Një nga shembujt më të spikatur është i famshmi Grujço Doçev, i lindur në Harmanli, i cili për dekada me radhë ka qenë njëkohësisht këngëtar, valltar dhe daullxhi në ansamblin “Filip Kutev”. Në versionin e Grujço Doçevit – përfaqësues i rajonit trak – nën të vetmin dru në të gjithë pyllin që nuk është gjallëruar, shtrihet një trim me nëntë plagë të rënda, por e dhjeta i dhemb më shumë dhe ajo do t’i marrë jetën.
Interpretimi më i njohur i këngës për pyllin e gjallëruar dhe heroin e ri të plagosur është përpunimi koral emblematik i kompozitorit, dirigjentit, studiuesit dhe veprimtarit të shquar – prof. Kirill Stefanov. I lindur në vitin 1933 në Bllagoevgrad, ai që fëmijë luante në violinë. Në vitin 1956 përfundon me rezultate të shkëlqyera Konservatorin (sot Akademia Kombëtare e Muzikës “Prof. Panço Vlladigerov”), me specializim në dirigjim koral, dhe menjëherë emërohet drejtues artistik kryesor dhe dirigjent i korit në Ansamblin Shtetëror për Këngë dhe Valle Popullore “Pirin”, i themeluar dy vjet më parë në qytetin e tij të lindjes.
Me këtë ansambël, Kirill Stefanov realizon mbi 6000 koncerte në më shumë se 50 vende në të gjitha kontinentet. Publiku i tyre tejkalon 6 milionë shikues dhe dëgjues, ndërsa vlerësime entuziaste për paraqitjet e tyre janë botuar në mbi 100 media nga Anglia, Italia, Gjermania, Rusia, Libani, Tunizia, SHBA, Argjentina, Australia, Japonia, India...
Prof. Kirill Stefanov
FOTO: Facebook/Pirin.Ensemble.Blagoevgrad
Kirill Stefanov është profesor i dirigjimit koral. Puna e
tij e larmishme përfshin këngë origjinale për ansamble të ndryshme vokale, nga
të cilat mbi 750 janë aranzhime për korin popullor; pjesë për orkestër; suita
të mëdha mbi motive popullore për kor, orkestër dhe ansambël vallëzimi;
aranzhime këngësh popullore për solistë dhe orkestër; muzikë teatri. Ai është
artisti që prezantoi spektaklin shumëzhanëror si një formë për prezantimin e
folklorit bullgar para publikut. Puna e tij në ansamblin "Pirin"
është një pikë referimi për sa i përket punës së kompozitorëve bashkëkohorë
bullgarë për ansamblet folklorike.
FOTO: Facebook/Pirin.Ensemble.Blagoevgrad
Në parathënien e përmbledhjes "Këngë popullore nga rajoni i Pirinit" të përpiluar prej tij, Kirill Stefanov shprehet: "Këngët e Pirinit! A nuk janë ato një zjarr i gjallë nga shpirti popullor i përjetshëm!"
Në to tingëllojnë me kambanat e tyre burimet e kthjellëta të dashurisë kristalore për familjen dhe atdheun, për gjithçka bullgare...".
Dashuria e pastër për gjithçka bullgare tingëllon në aranzhimin e perlës së Pirinit nga Kirill Stefanov "Villa sei gora" me zërat e vajzave të mrekullueshme nga kori i ansamblit "Pirin".
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva