KULTURË

Artikull

Japonezët dinë gjithnjë e më shumë për Bullgarinë

Në Bullgari më e rëndësishmja është të mendosh “jashtë kutisë”, thotë Cvetan Dimov, i rritur mes dy kulturave

Martë, 24 Mars 2026, 07:05

Japonezët dinë gjithnjë e më shumë për Bullgarinë

FOTO: Facebook /Cvetan Dimov

Madhësia e shkronjave

Ji pozitiv, çfarëdo që të të ndodhë – në këto fjalë është rrënjosur optimizmi i bashkatdhetarit tonë Cvetan Dimov, jeta e të cilit deri tani është e denjë për një roman ose film. I lindur në Sofje, ai jeton në Bullgari deri në moshën 12vjeçare, kur së bashku me prindërit e tij, mjekë, shpërngulet në Japoni. Përveç shokut kulturor që përjeton duke hyrë në një shkollë plotësisht japoneze, Cvetani duhet të mësohet edhe me mënyrën e re në të cilën е trajtojnë atë. E quajnë Cubetan, sepse në gjuhën japoneze mungon shkronja “v” dhe japonezët nuk mund ta shqiptojnë.

"M’u deshën tre-katër muaj që të mësoja dy alfabetet që përdor gjuha japoneze – hiragana dhe katakana. Gabimi ishte se fillova të mësoj nga katakana, e cila përdoret vetëm për fjalë të huaja dhe emra të huaj," – kujton Cvetani. – "Në një moment kuptova se nuk mund të lexoja asgjë, përveç emrit tim dhe mbishkrimit mbi kavanozët e kosit – ‘Burgaria’. Kur më pyesnin nga vija, unë përsërisja këtë fjalë dhe të gjithë qeshnin, sepse nuk mund ta imagjinonin që vija nga kavanozi i kosit."                                                                                                          

FOTO: Pixabay

Për të mësuar gjuhën japoneze, duhet të kuptosh kulturën dhe mënyrën e të menduarit të njerëzve. Një nga gjërat e para me të cilat përballet një bullgar janë dy “fytyrat” e japonezëve, të cilat ata i quajnë me emra të ndryshëm – “tate mae” dhe “hom ne”. “Tate mae” është mënyra se si duhet të sillesh para shoqërisë, në mënyrë që të mos ofendosh askënd, ndërsa “hom ne” është ajo që mendon realisht për personin përballë.

Nga Cvetan Dimov mësojmë se në kryeqytetin japonez me miliona banorë ka interes për gjuhën dhe kulturën e vendit tonë të vogël ballkanik. Po shtohen gjithnjë e më shumë japonezët që mësojnë gjuhën bullgare, e cila me siguri nuk është nga më të lehtat për të huajt. Në vendin aziatik madje organizohen edhe konkurse të oratorisë në gjuhën bullgare.

 

FOTO: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Japoni

Nga Cvetan Dimov mësojmë se në kryeqytetin japonez me miliona banorë ka interes për gjuhën dhe kulturën e vendit tonë të vogël ballkanik. Po shtohen gjithnjë e më shumë japonezët që mësojnë gjuhën bullgare, e cila me siguri nuk është nga më të lehtat për të huajt. Në vendin aziatik madje organizohen edhe konkurse të oratorisë në gjuhën bullgare.

“Që nga viti i kaluar, ambasada bullgare në Tokio ka filluar të organizojë konkurse të oratorisë në gjuhën bullgare për japonezët. Ka dy universitete – në ishullin verior Hokkaido dhe në Tokio – ku mësohet gjuha bullgare, dhe japonezët tashmë kanë filluar të studiojnë më në detaje kulturën tonë, gjuhën dhe mënyrën e të menduarit. Ata e duan të vijnë për vizitë në Bullgari, dhe ka edhe nga ata që tashmë jetojnë tek ne. Vendet e tyre të preferuara në Bullgari janë Shkëmbinjtë e Bellogradçikut, Manastiri i Rillës, Kisha e Bojanës, Varna, Burgasi, Smoljani dhe Rodopet. Por konkursi i oratorisë në gjuhën bullgare është unik.”

FOTO: Facebook /Cvetan Dimov

Meqenëse Bullgaria ndodhet në të njëjtin paralel me ishullin verior Hokkaido, japonezët e dinë se edhe tek ne mund të bëhet ski, dhe madje shumë mësues skish në vendin e tyre janë bullgarë.

Për një periudhë kohe në Tokio, Cvetani punoi si shitës i produkteve bullgare nga trëndafili – vaj, ujë, raki dhe verëra. Ai pranon se japonezët mbeten të impresionuar nga produktet tona natyrale dhe prej kohësh dinë më shumë për Bullgarinë, përtej kosit, verës dhe legjendës së sumos, Kallojan Mahljanov Kotooshu.

Nga ana e tij, Cvetani bëhet mjeshtër i kaligrafisë dhe madje mund të japë mësim. Ai thotë se të jesh mësues është një mision. 

FOTO: Pexels

“Përballja ime e parë me letrën e orizit ishte në shkollë – më thanë të mbaja dorën në kënd 90 gradë në ajër, të mos shqetësohesha që do bëja gabime dhe të isha i përqendruar. Furça nuk mbahet si stilolaps dhe vizatohet me një lëvizje të lirë. Përveç kësaj, gjithmonë shkruhet në anën e lëmuar të letrës së orizit, sepse në anën e ashpër gjithçka njolloset. Prandaj, para se të shkruash, gjithmonë duhet të prekësh anën e letrës përpara teje,” – na këshillon Cvetani dhe shton: – “E rëndësishme është që njeriu të vizatojë me zemër. Mua, kur mësoja në Bullgari, më shkonte mbarë arti figurativ. Vetë gjuha japoneze i ngjan artit figurativ me kaq shumë hieroglife.”



FOTO: Joan Kolev

Në vitin 2020, Cvetan u kthye në atdheun e tij dhe vendosi t'i ndihmojë fëmijët bullgarë që jetojnë në Japoni të ruajnë lidhjen e tyre me Bullgarinë. Kështu u shfaq shkolla online "Slladkopojna Çuçuliga", e cila ekzistonte deri në shfaqjen e Shkollës së të Dielës "Vasill Levski" pranë Ambasadës Bullgare në Tokio.

Sot Cvetani jeton në Sofje, punon me të dyja gjuhët – bullgarishten dhe japonishten – dhe nuk e fsheh se ka arritur relativisht lehtë të gjejë realizim profesional, përfshirë edhe me ndihmën e nismës “Bulgaria wants you”, e cila vitet e fundit kontribuon për lidhjen mes punëdhënësve në vend dhe të rinjve bullgarë jashtë shtetit.


FOTO: Bulgaria Wants You

Megjithatë, pas kthimit të tij gjashtë vjet më parë, ai përjetoi shokun e kundërt kulturor. Çfarë e habiti atë në Bullgari?

“Ndonjëherë unë mund të dukem më i freskët dhe më i buzëqeshur se të tjerët që takoj, dhe njerëzve mund t’u dukem i çuditshëm. Përveç kësaj, në Japoni nuk ka mace dhe qen endacakë – bashkitë i marrin dhe kujdesen për ta. M’u desh kohë të mësohesha edhe me trafikun, sepse atje makinat kanë timon në të djathtë dhe lëvizin në korsinë e majtë, ndërsa këtu kemi timon në të majtë dhe lëvizim në korsinë e djathtë. Por kuptova se në Bullgari më e rëndësishmja është të mendosh ‘jashtë kutisë’, të kesh më shumë imagjinatë dhe të mos kesh frikë. Megjithatë, mendoj se në Sofje është më e vështirë të ngasësh makinë sesa në Tokio.”

Lexoni më tepër në arkivin e Radio Bullgarisë:

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva