Autor
Ivo Ivanov
Artikull
Enjte 2 Prill 2026 07:00
Enjte, 2 Prill 2026, 07:00
FOTO: Instituti Kombëtar Arkeologjik me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave
Madhësia e shkronjave
Me rastin e 14 shkurtit – Ditës së Arkeologjisë Bullgare – për të 19-in vit radhazi Instituti Kombëtar Arkeologjik me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave (BAN), së bashku me 19 muze të tjerë në vend, hapën ekspozitën tradicionale “Arkeologjia Bullgare”. Ajo shfaq rezultatet më të rëndësishme nga kërkimet arkeologjike të sezonit 2025.
FOTO: BGNES
Ekspozitat, në aspekt kronologjik, përfshijnë periudhën nga prehistoria deri në mesjetën e vonë. Gjetjet vijnë nga vendbanimet prehistorike të njohura si Provadia dhe Junacite, nga qytetet antike Raciaria, Eskus, Dimum dhe Heraklea Sintika, nga kryeqytetet mesjetare Pliska, Tërnovo dhe Kaliakra, si edhe nga vende më pak të njohura për publikun, të lidhura me kërkime të ndryshme shpëtuese.
Doc. Dr. Hristo Popov
FOTO: BTA
“Pak ose shumë, hapësira është e kufizuar dhe nuk mund të paraqesë gjithçka,” – deklaroi gjatë prezantimit Doc. Dr. Hristo Popov, drejtor i Institutit Kombëtar Arkeologjik me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.
FOTO: BGNES
Më shumë se 300 artefakte nga 31 vende të ndryshme në vend mund të shihen në Muzeun Arkeologjik Kombëtar në Sofje deri më 7 qershor.
FOTO: Ivo Ivanov
“Ndër theksat e ekspozitës është një riton prej qelqi në formën e bririt të bollëkut – një gjetje jashtëzakonisht e rrallë, me mbetje shumë mirë të ruajtura dhe gjithashtu shumë mirë të restauruara, pasi nuk është gjetur i tëri,” – tregoi Doc. Dr. Kamen Bojaxhiev. – “Do të thosha se përbën një sfidë mjaft serioze nga pikëpamja e restaurimit. Por, pavarësisht afateve jo të gjata, sot mund ta shihni të përfunduar dhe të ekspozuar në sallë,” – shtoi studiuesi.
Doc. Dr. Kamen Bojaxhiev
FOTO: BTA
Edhe pse është gjetur në një kontekst të parëndësishëm, pranë furrave për shkrirjen e hekurit dhe afër gropave rituale romake, briri prej qelqi nga zona e fshatit Bllëskovo në Varna është një raritet madje edhe për botën romake në Evropë.
FOTO: BTA
“Me shumë gjasë i përket periudhës së vonë romake, kur fillojnë shpërnguljet e mëdha të popujve dhe sulmet e gotëve, por në çdo rast ky objekt është importuar në Traki,” – shpjegoi për Radio Bullgarinë Doc. Dr. Gergana Kabakçieva. – “Riton prej qelqi këtu nuk kemi, asnjë fragment deri tani. Kjo më çon në mendimin se, me shumë gjasë, ritoni e ka origjinën nga punishtet e Këlnit, i cili deri në fund të shekullit IV dhe më vonë mbetet një nga qendrat më të mëdha dhe më jetëgjata të prodhimit të qelqit në Evropën Perëndimore.”
Doc. Dr. Gergana Kabakçieva
FOTO: BTA
Si arkeologe nga Instituti Kombëtar Arkeologjik, Doc. Gergana Kabakçieva studion sistematikisht limesin romak përgjatë bregut bullgar të Danubit. Gjatë sezonit arkeologjik të vitit 2025, ajo dhe ekipi i saj vazhduan kërkimet në pallatin perandorak në Ulpia Eskus, ku në verën e vitit 328 perandori Konstandini i Madh qëndroi në kryeqytetin e Dakisë së Poshtme për të inauguruar një urë të re mbi lumin Danub. Gjatë studimit të fortesës Dimum, në bregun pranë Belenes, arkeologët zbuluan një objekt të çuditshëm, të cilin fillimisht e menduan si një bilbil të bërë nga briri.
Artefakte nga Dimumi pranë Belenes, në mes është briri i dhisë me formë të gojës së krokodilit
FOTO: Ivo Ivanov
“Pjesa e përparme e këtij briri është formuar si koka e një krokodili. Prej
vitesh kërkojmë emrin e njësisë ushtarake që ka qenë e stacionuar në Dimum –
këtë kështjellë antike në Danubin e poshtëm. Të dhënat e deritanishme na i jep
një pjesë vulë, ku janë ruajtur 3 shkronja. Lexohet vetëm sol, që epigrafistët
e interpretojnë si solensium, domethënë ‘diellorja’. Duket se një njësi
ushtarake ka ardhur nga vise më të ngrohta dhe këtë gjetje, të cilën e zbuluam
në vitin 2025, sipas mendimit tim mund ta lidhim realisht me informacionin që
ajo mbart,” thotë Doc. Kabakçieva.
Fibulë e hijshme për veshje nga faltorja e Apolonit në majën Alamura në rajonin e Stara Zagorës Dr. Filip Petrunov
FOTO: Ivo Ivanov
Në vitin 2025 kërkimet në Rezervatin Kombëtar Arkeologjik dhe Natyror “Kaliakra” kanë vazhduar për dy muaj. Në këtë kep shkëmbor të Detit të Zi tashmë është zbuluar një dëshmi e pakundërshtueshme për një vendbanim të qëndrueshëm që nga Koha e Parë e Shtetit Bullgar, tregon Dr. Filip Petrunov.
Dr. Filip Petrunov
FOTO: Ivo Ivanov
“Gjatë këtyre 2 muajve mblodhëm mbi 400 objekte prej ari, argjendi, bronzi dhe plumbi. Ndoshta më përfaqësuesit për momentin janë pjesë e ekspozitës së 19-të ‘Arkeologjia Bullgare’ të Institutit Kombëtar Arkeologjik.
Artefakte nga Kaliakra, të zbuluara gjatë sezonit 2025
FOTO: Ivo Ivanov
Ndër to duhet të veçojmë një statujë romake të Fortunës me bririn
e bollëkut, materiale nga Shteti i Parë Bullgar, unaza me pentagram dhe
shqiponjë, si dhe dy ampula plumbi – kotruvë, të cilat janë përdorur për
ruajtjen e vajit të shenjtë që pelegrinët e sillnin nga tokat e shenjta, si
edhe materialet nga shekulli XIV.
Vathë të artë femërore nga Kaliakra
FOTO: Ivo Ivanov
Nga ato kemi një medaljon të mrekullueshëm me
mbishkrim, dy palë vathë të artë dhe një diademë të punuar nga pllaka bakri të
veshura me ar, mjaft luksoze,” tregoi arkeologu për Radio Bullgarinë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Ivo Ivanov, Instituti Kombëtar Arkeologjik me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, BTA, BGNES