DX-legjenda Ivo Ivanov: Edhe pse në internet, tregoni për Bullgarinë!

Mërkurë, 1 Prill 2026, 20:05

DX-legjenda Ivo Ivanov

DX-legjenda Ivo Ivanov

FOTO: Desisllava Semkovska

Madhësia e shkronjave

Transmetimet e rregullta në valë të shkurtra të programit të Radio Sofjes për jashtë vendit – sot Radio Bullgaria – fillojnë në prill të vitit të largët 1936. Gjatë viteve, numri i gjuhëve ndryshon, frekuencat zëvendësohen, fillon dhe ndërpritet shkëmbimi radiofonik me stacione të tjera, emisionet për jashtë vendit ndalen dhe rifillojnë, por zërat e përkthyesve dhe spikerëve më të mirë fluturojnë në eterin radiofonik deri në cepat më të largët të botës për të treguar për Bullgarinë tonë të vogël, por të bukur. Që nga viti 1974, ato arrijnë te dëgjuesit përmes qendrës së transmetimit “Pëdarsko” pranë Plovdivit.

 

Qendra e transmetimit radio “Pëdarsko”

FOTO: predavatel.com

Që nga viti 1992, emisionet për jashtë vendit të Radios Kombëtare Bullgare transmetohen me emrin Radio Bullgaria, duke u përhapur në valë të shkurtra për mbarë botën përmes qendrave të transmetimit “Kostinbrod” dhe “Pëdarsko”, si dhe në valë të mesme për Ballkanin – përmes transmetuesve në Petriç dhe Vidin.

Antena e stacionit radiotransmetues në Vidin

FOTO: Bozhidar Cvetanov

Dhe në vitin 1994, pranë Redaksisë Bullgare të Radio Bullgarisë fillon punën Ivo Ivanov, i cili fillimisht me honorar nis të regjistrojë në gjuhën bullgare një emision të specializuar për radioamatorët dhe shpejt shndërrohet në një legjendë të valëve të shkurtra.

"Hyra në radio në vitin 1995 – më 1 prill, në Ditën e Shakasë – kujton ai. Falë drejtorit të atëhershëm të Radio Bullgarisë, Angell Nedjallkov, këmbëngula që në Redaksinë e sapoformuar të Gjuhës Ruse të kishte një program për radioamatorët, sepse çdo radio që e respektonte veten dhe transmetonte në valë të shkurtra kishte një program të tillë."

FOTO: Radio Bullgaria

Emisioni DX MIX (nga kodi radiofonik DX – “lidhje e largët”, DX‑er është një person që specializohet në dëgjimin e stacioneve të largëta ose të rralla të huaja të radios – shën. i red.) shndërrohet në një pjesë të rëndësishme të historisë së valëve të shkurtra të Radios Kombëtare Bullgare. Në të, menaxheri i frekuencave Ivo Ivanov, në gjuhën ruse dhe bullgare, jep informacion për ndryshime frekuencash, stacione të reja radiofonike, si dhe oraret verore dhe dimërore të radiostacioneve ndërkombëtare. Emisioni ekziston edhe në gjuhën angleze, por nuk transmetohet me zërin e Ivo Ivanovit. Dy herë në vit publikohet edhe orari i frekuencave të Radio Bullgarisë.

Për vite me radhë, sinjali i njohur identifikues, i famshëm në mbarë botën, tërhiqte vëmendjen dhe mblidhte para radiomarrësve një audiencë prej mijëra  radioamatorëve dhe dëgjuesve të radios.

Çfarë kujtimesh i sjell sot ky sinjal Ivo Ivanovit?

"Një nostalgji e madhe – pranon drejtuesi dhe autori shumëvjeçar i emisionit, duke vënë në dukje me hidhërim: – Në vitet e fundit kaq shumë radiostacione kanë ndërprerë ekzistencën e tyre... Asgjë nuk mbeti. Eteri është bosh. Nëse marrim Evropën si kontinent, kanë mbetur vetëm në Turqi, Rumani, Spanjë, Francë dhe shërbimi botëror i BBC‑së – kaq! Të gjitha transmetimet e tjera u ndalën gradualisht."

Edhe Radio Bullgaria ndaloi së dëgjuari në eter në gjuhë të ndryshme. Më 1 shkurt 2012 (31 janar 2012, në orën 22:00 sipas kohës së koordinuar universale – UTC) emisionet për jashtë vendit u transmetuan për herë të fundit në valë të shkurtra. Më vonë gjatë vitit u çmontuan edhe pajisjet e antenave të qendrës së transmetimit në Pëdarsko.

"Në minutat e fundit të transmetimit të Radio Bullgarisë në përgjithësi, unë isha në qendrën e transmetimit në Pëdarsko dhe u falënderova kolegëve atje. Njerëzit ishin të dëshpëruar. Pas disa vitesh, qendra u shkatërrua plotësisht. Në vitet e fundit, Radio Bullgaria transmetonte falë faktit që u mor vendimi të ndaleshin të gjithë transmetuesit me valë të mesme në Bullgari, në mënyrë që të kishte para për valët e shkurtra. Kisha llogaritur se do të zgjatnim 5 vjet, por zgjatëm 7, gjë që nuk është aspak pak," thotë Ivo Ivanov.

Orari i frekuencave – 70 vjet Radio Bullgaria

FOTO: Radio Bullgaria

Në emisionin e fundit në histori të DX MIX – nr. 863, Ivo Ivanov u thotë lamtumirë fansave të tij me fjalët:

"Me këtë përfundoi edhe edicioni i sotëm, i fundit, i DX MIX. Gjatë 17 viteve e gjysmë të kaluara çdo javë kam qenë me ju, dëgjuesit besnikë të Radio Bullgarisë. Tashmë e dini se nga 1 shkurti Radio Bullgaria ndërpret transmetimet e saj në valë të shkurtra. Ndalohet edhe transmetimi i programit DX. Nderim për të gjithë ju që na keni mbështetur ndër vite. Ju uroj shumë shëndet, lumturi dhe 73 /73 është kodi universal i radioamatorëve për “Me përshëndetje të përzemërta”. Përdoret nga operatorët pavarësisht nga gjuha e tyre amtareshën. i red./

A i mungon?

"Oh, më mungon jashtëzakonisht shumë! – pranon Ivo Ivanov. – Me DX‑ing vazhdova edhe për ca kohë. Edhe tani vazhdoj të dëgjoj. Por… nuk është e njëjta gjë. Ndarjen time me radion e përjetova shumë rëndë. Megjithatë, jeta duhet të vazhdojë. Madje tani nuk kam më as antenë për radion time me valë të shkurtra, u këput gjatë një prej reshjeve të mëdha të borës para 5–6 vitesh. Por tani ka SDR (radio e përcaktuar nga softueri) – marrës të largët, të cilët mund t’i dëgjosh përmes kompjuterit. Ato janë shumë më moderne dhe nuk kushtojnë asgjë për të dëgjuar çfarë të duash. Por kjo nuk është DX në kuptimin e vërtetë të fjalës. DX do të thotë të kapësh një stacion që është në anën tjetër të botës, që nuk transmeton për zonën ku je ti, por ti arrin ta kapësh me atë që ke si marrës dhe me antenat që mund t’i ndërtosh vetë."

FOTO: Radio Bullgaria

Në vitin 2026 Radio Bullgaria shënon 90‑vjetorin e saj, megjithëse zërat e saj prej kohësh nuk dëgjohen më në eter, duke mbetur vetëm në hapësirën e internetit. Çfarë i uron Ivo Ivanov Radio Bullgarisë dhe njerëzve që, pavarësisht gjithçkaje, vazhdojnë të krijojnë radio në 11 gjuhë?

"Ju uroj shëndet. Luftoni sa të mundeni. Por, edhe pse vetëm në hapësirën e internetit, tregoni për Bullgarinë! Dëgjuesit tanë kanë çfarë të mësojnë. Arrini sa të mundeni. Vazhdoni me këmbëngulje!"

Dhe ta përfundojmë me fjalët më të pritura në eterin e valëve të shkurtra – për sinjal të pastër dhe urimet më të mira: "Shumë DX ose 73!"

"Edhe 73! – thekson Ivo Ivanov dhe shton: – Edhe 88 /88 është një përshëndetje përfundimtare më e butë, që do të thotë “Dashuri dhe puthje”. Në botën e hershme të radios, e dominuar nga burrat, kjo ka qenë një mënyrë e ngrohtë për të përshëndetur familjen ose kolegët e afërt – shën. i red./ Dashuri dhe puthje!"

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva