TURIZËM

Artikull

Lufta në Lindjen e Mesme ushtron një ndikim të ndjeshëm mbi sektorin turistik

Bordi Kombëtar i Turizmit shënon 20-vjetorin e tij me ngjarje që promovojnë turizmin e qëndrueshëm

Premte, 3 Prill 2026, 07:00

Lufta në Lindjen e Mesme ushtron një ndikim të ndjeshëm mbi sektorin turistik

FOTO: Pixabay

Madhësia e shkronjave

Bordi Kombëtar i Turizmit, që bashkon shoqatat turistike, komunat, investitorë të mëdhenj në fushën e industrisë turistike dhe sektorët ekonomikë të lidhur me të, shënon 20-vjetorin e tij me një iniciativë jubilare nën moton “Katër çelësat për turizëm të qëndrueshëm – Kulturë, Natyrë, Ushqim dhe Inovacione”. Në vitin e shpallur nga Ministria e Turizmit si Viti i turizmit kulturor, megjithatë, sektori përballet me sfida serioze për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe humbjes së tregut të rëndësishëm izraelit.

“Roli ynë është të bashkojmë gjithë ekspertizën, kreativitetin dhe mundësitë tona, për të ecur përpara”
, thotë drejtoresha ekzekutive e bordit, Polina Karastojanova. Sipas saj, pas Covid-19, luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, së bashku me paqëndrueshmërinë politike, sektori turistik ndodhet në një gjendje të vazhdueshme emergjence. E gjithë kjo do të thotë se është i nevojshëm një model i ri konsolidimi i sektorit, formulimi i qëllimeve të mëdha, një koncept për markën “Bullgaria” dhe mjete që ta bëjnë vendin tonë konkurrues dhe tërheqës në një mënyrë të re bashkëkohore.

FOTO: BTA

Në fjalën e saj përshëndetëse në ngjarjen e parë jubilare – konferencën “Kulturë. Turizëm. Komunikime”, ministrja e përkohshme e turizmit Irena Georgieva paraqiti rezultatet e vitit të kaluar në sektor. Sipas të dhënave të agjencisë sociologjike “Trend”, 76% e bullgarëve kanë udhëtuar me qëllim turistik, 37% kanë udhëtuar vetëm në Bullgari, 31% kanë kombinuar udhëtime brenda vendit dhe jashtë tij, ndërsa vetëm 8% kanë udhëtuar vetëm jashtë vendit. Kjo do të thotë se për shumicën e bashkatdhetarëve, turizmi ndërkombëtar është shtesë, jo zëvendësues i atij të brendshëm.

Irena Georgieva

FOTO: Ani Petrova

“Bullgarët jo vetëm që udhëtojnë, ata kërkojnë dhe gjejnë në mënyrë aktive përvoja të ndryshme në vendin e tyre – theksoi ministrja. – Bashkatdhetarët tanë synojnë përvoja, kulturë, natyrë dhe larmi dhe gjithnjë e më shpesh i gjejnë këto tek ne. Detyra jonë si ministri përgjegjëse për sektorin turistik është ta kthejmë këtë kërkesë në një politikë të qëndrueshme.”

FOTO: tourismboard.bg

Sot, për fat të keq, gjithnjë e më shpesh flasim për turizmin në kushte krize.

“Nuk mund ta dinim se konflikti ushtarak në Lindjen e Mesme do të shpërthente para syve tanë fjalë për fjalë brenda 24 orëve – deklaroi Polina Karastojanova, duke hedhur vështrim edhe drejt Vitit aktual të turizmit kulturor. – Ne bëjmë një lexim të ri të situatës përtej sezoneve standarde klasike. Ne, 365 ditë në vit, tregojmë historinë tonë, paraqesim kulturën tonë me të gjitha burimet e disponueshme – minerale, të lidhura me traditat lokale, zakonet, festivalet moderne të reja. Kështu që kultura shfaqet si një mekanizëm tjetër i fuqishëm për të tërhequr interesin e turistëve që kanë drejtuar vëmendjen drejt vendeve të Lindjes së Mesme.”

Sipas drejtoreshës së Bordit Kombëtar të Turizmit, masat antikrizë kanë tre elemente të rëndësishme. I pari lidhet me gatishmërinë e ministrisë përkatëse për të ridrejtuar mjete nga buxheti për reklamë aktive drejt turistëve bullgarë, si dhe drejt tregjeve kyçe si Gjermania, Polonia, Çekia, Mbretëria e Bashkuar, Italia – përfshirë edhe në kontekstin e Giro d’Italia.

Polina Karastojanova

FOTO: BTA

“Masë e dytë në lidhje me operatorët turistikë është nevoja urgjente për të vendosur një mekanizëm që u jep mundësi klientëve, të cilët nuk mund të udhëtojnë, të marrin një kupon brenda gjashtë muajve për një destinacion alternativ – shton Polina Karastojanova. – Dhe e treta është vendosja e TVSH-së 9% për restorantet. Kjo nuk është një masë për uljen e çmimit përfundimtar, por për krijimin e qëndrueshmërisë së biznesit, mundësi për sipërmarrësit të ruajnë modelin në kushtet e çmimeve gjithnjë në rritje të furnizuesve dhe të japin paga pak më të larta për punonjësit e tyre. Është e rëndësishme të themi se Bullgaria është i vetmi vend në eurozonë që nuk zbaton normë të diferencuar për të gjitha elementet e produktit turistik.

FOTO: tourismboard.bg

“Lufta në Lindjen e Mesme tashmë ushtron ndikim të drejtpërdrejtë dhe të ndjeshëm mbi sektorin turistik – vazhdon ministrja Irena Georgieva. – Humbja ose tkurrja e fortë e tregjeve si Izraeli godet segmente të tëra të biznesit – hotele, operatorë turistikë, kompani ajrore, restorante, ekonomi lokale. Sektori turistik shpreh qartë shqetësimet dhe kërkesat e tij për mbështetje shtetërore në marketing, kompensim për tregjet e humbura, diversifikim të përshpejtuar të flukseve turistike, ulje të barrës administrative.”

Ministrja e turizmit theksoi disa hapa që institucioni i saj ka ndërmarrë si mbështetje për sektorin turistik gjatë mandatit të qeverisë së përkohshme. Ajo nënvizoi se tregu i brendshëm shihet si motori kryesor dhe stabilizues për sektorin. Fushata të synuara reklamuese për SPA, turizëm kulturor, urban dhe ekologjik, si dhe ridrejtimi i reklamës drejt tregjeve alternative dhe premtuese të jashtme janë vetëm disa nga masat.

FOTO: tourismboard.bg

“Më e rëndësishmja nuk është thjesht të ndërrojmë tregun, por të ndryshojmë mënyrën se si ofrohet Bullgaria – me fokus te siguria, autenticiteti, kultura, natyra, traditat, përmes promovimit të produkteve turistike të kombinuara me vlerë të lartë të shtuar si turizmi i verës, kulinar dhe mjekësor – thekson Irena Georgieva. – Dhe meqë zhvillojmë turizëm në epokën e inteligjencës artificiale, algoritmet gjithnjë e më shpesh janë pika e parë e kontaktit mes turistit dhe destinacionit. Ky është një sinjal se produktet tona turistike duhet të jenë të strukturuara qartë, të aksesueshme digjitalisht, të dukshme dhe tërheqëse. Është gjithashtu e rëndësishme të theksojmë se turizmi nuk është biznes sezonal, por sektor strategjik.”

FOTO: tourismboard.bg

Turizmi bullgar ka të gjitha burimet e nevojshme për sukses, por vetëm me përpjekje të përbashkëta mes shtetit, biznesit dhe shoqërisë mund të tejkalohet kriza dhe të dalim më të fortë dhe më të përgjegjshëm ndaj imazhit të përsosur të destinacionit turistik Bullgaria, është kategorike Irena Georgieva. Një nga këto mënyra është edhe promovimi i vendit në ngjarje si iniciativa jubilare e Bordit Kombëtar të Turizmit.

FOTO: tourismboard.bg

Ju presim më 21 prill në Universitetin Pyjor, ku natyra me diversitetin e saj do të jetë në fokus – fton Polina Karastojanova. – Më 11 qershor do të shënojmë 20-vjetorin tonë me një ngjarje, të cilën për momentin do ta mbaj sekret, për të pasur efektin e saj befasues dhe mbresëlënës. Në tetor do të jemi në Universitetin e Teknologjive Ushqimore në Plovdiv, ku ushqimi dhe vera do të jenë theksi kryesor. Mendojmë se Bullgaria ka ndoshta potencialin më të madh për ta paraqitur në mënyrë tërheqëse këtë pasuri për turistët e saj, sipas shembullit të Italisë, Francës, Spanjës dhe Greqisë fqinje.”

FOTO: tourismboard.bg

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski