U nda nga jeta legjenda e folklorit bullgar Janka Rupkina

Martë, 7 Prill 2026, 16:01

Janka Rupika

Janka Rupika

FOTO: BTA - arkiv

Madhësia e shkronjave

Në moshën 87‑vjeçare u nda nga jeta një nga interpretueset më të njohura të këngës popullore bullgare – Janka Rupkina. 

Këngëtarja e dashur e publikut të gjerë në Bullgari dhe e adhuruesve të folklorit bullgar në mbarë botën ka lindur në vitin 1938 në fshatin Bogdanovo, rajoni i Burgasit (Bullgaria Juglindore). Ajo përfundoi shkollën e mesme për infermiere në Burgas, por shumë shpejt fati e çoi në një tjetër rrugë, atë që ia hapi dashuria e saj e madhe për këngën popullore bullgare.

Sofje (7 qershor 2012) Presidenti Rosen Plevneliev i dorëzoi këngëtares popullore Janka Rupkina urdhrin “Shën Kirili dhe Metodi”

FOTO: Presfoto–BTA; Asen Tonev/arkiv

“Fillova të këndoja që e vogël – rrëfen këngëtarja në një intervistë për redaktoren muzikore Valja Bozhillova nga Radio Bullgaria në vitin 2013. – Paraqitesha në skena të ndryshme të garave të këngës në krahinën tonë dhe kështu deri te pjesëmarrja ime në festivalin në fshatin Gramatikovo në vitin 1960, ku mora Çmimin e Parë. Në juri ishin folkloristët Boris Petrov nga Radioja Kombëtare Bullgare dhe Mihaill Bukureshliev. Më ftuan në një dëgjim në Sofje. Nga 400 këngëtarë nga e gjithë Bullgaria më zgjodhën soliste të Ansamblit të Këngëve Popullore të Radios Kombëtare Bullgare.” Këngëtarja ishte si soliste në Ansamblin e Këngëve Popullore për tre dekada. Gjatë viteve ajo realizoi shumë incizime për fondin e Radios Kombëtare Bullgare dhe publikoi disqe në “Balkanton”. 

FOTO: Jaka Rupika - arkiv personal

Në fund të viteve ’70 krijoi trion “Bëllgarka” së bashku me këngëtaret Eva Georgieva dhe Stojanka Boneva. Me këtë trio Janka Rupkina fitoi famë botërore dhe e prezantoi këngën popullore bullgare në mbarë botën. Ajo, si soliste dhe si pjesë e trios, realizoi projekte të përbashkëta me muzikantë botërorë si Kate Bush, Chris de Burgh, Linda Ronstadt, Transglobal Underground… Muzikanti i famshëm George Harrison nga grupi “The Beatles” i dhuroi një nga disqet e tij me dedikimin: “Për këngëtaren më të madhe në planet.”  Gjatë rrugës së saj të gjatë krijuese, Janka Rupkina u nderua me shumë çmime. 

Shpesh e quanin “bilbilin e Stranxhës” për shkak të dashurisë me të cilën kërkonte dhe regjistronte qindra këngë nga rajoni i Stranxhës. Dhe kjo nuk është e rastësishme. Specifikat e interpretimit të këngëve të Stranxhës ajo i mësoi që në fëmijëri nga gjyshja e saj. 

Kënga e saj “Kalimanku Denku”, në përpunimin e Krasimir Kjurkçijski, magjepsi producentin zviceran Marcel Cellier, i cili e përfshiu ndër titujt e tij të preferuar në serinë e albumeve “Misteri i Zërave Bullgarë”, na kujton redaktorja muzikore Diljana Traçeva. 

Nderim për kujtimin e kësaj artisteje të madhe. Ajo do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona përmes këngëve të saj.

Shihni më shumë në koleksionin e Radio Bullgarisë:


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva