SHOQËRI

Artikull

A do të vendosim produkte bullgare në tryezën e Pashkëve?

Mërkurë, 8 Prill 2026, 20:20

A do të vendosim produkte bullgare në tryezën e Pashkëve?

FOTO: Facebook/Në kuzhinën e Snezhit

Madhësia e shkronjave

Tryeza tradicionale bullgare e Pashkëve është e pasur, simbolike dhe shënon fundin e agjërimit të Pashkëve. Elementet e domosdoshme që simbolizojnë ringjalljen dhe jetën e re janë vezët, mishi i qengjit dhe sallata e freskët pranverore. Por a është i mjaftueshëm prodhimi i tyre në Bullgari dhe a do të mund të shijojmë produkte cilësore bullgare për festën?

Qengji – prodhim i pamjaftueshëm dhe çmime të larta për konsumatorin

Rritja më e ndjeshme e çmimeve vërehet te mishi i qengjit. Shuma që paguajmë për një kilogram peshë të gjallë mbetet afër niveleve të vitit të kaluar, por çmimet në treg pothuajse dyfishohen.

FOTO: BTA

“Në ferma çmimi është mes 5 dhe 7 euro për kilogram peshë të gjallë – shpjegon Simeon Karakolev, bashkëkryetar i Shoqatës Kombëtare Bullgare të Blegtorisë së Dhenve dhe Dhive. – Por në rrjetin e dyqaneve vërejmë një diferencë shumë të madhe – nga 13 deri në 18 euro për kilogram, duke arritur në disa vende deri në 20 euro për kilogram, gjë që është spekulim. Shtrenjtimi krahasuar me vitin e kaluar, veçanërisht në ditët e fundit me rritjen e mprehtë të çmimit të karburanteve,  është pothuajse 30%. Kjo shkakton pakënaqësi në shoqëri dhe ul konsumin.”

Pas bumit të vitit të kaluar të shapës te bagëtitë e imta dhe asgjësimit të tyre pasues, blegtorët në vend tani presin të mund të plotësojnë vetëm rreth 40% të tregut të brendshëm.

FOTO: BTA

“Kërkesa për mish qengji bullgar është e lartë dhe për këtë arsye mungesa e qengjave bullgare këtë vit është rreth 70 000. Për këtë arsye presim një import të konsiderueshëm prej rreth 800 tonësh – parashikon Simeon Karakolev. – Ky mish do të jetë më i lirë, në varësi të llojit të tij: mishi i ftohur nga Maqedonia e Veriut dhe Rumania do të jetë rreth 10–20% më i lirë se ai bullgar. Mishi i ngrirë nga Zelanda e Re, i cili më pas shkrin, do të kushtojë 30% më pak. Njerëzit janë të tronditur nga rritja e çmimeve në çdo fushë të konsumit dhe me siguri do të kërkojnë më të lirën.”

FOTO: BTA

Me një pagë minimale në vend prej 620 euro dhe pension minimal prej 322 euro, llogaria e thjeshtë tregon se një pjesë e madhe e bullgarëve nuk do të mund të përballojnë mish qengji për tryezën e Pashkëve. Situata është e ngjashme edhe me perimet bullgare.

Perimet – praktika të pandershme dhe mungesë politikash në sektor

FOTO: BGNES

“Është jashtëzakonisht e vështirë të thuhet se sa për qind do të jenë perimet bullgare në treg, por shpresoj që të paktën për Pashkë të ketë më shumë produkte bullgare. Megjithëse aktualisht nuk është sezon as për frutat e perimet e serrave, përveç kastravecëve, shoh mjaft mallra ku shkruhet se janë me origjinë nga Bullgaria, gjë që për mua është mjaft e dyshimtë” – thotë Mark Cekov, sekretar i përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Frutave dhe Perimeve, për Radio Bullgarinë.

Ai vëren një rritje të pjesshme të çmimeve të perimeve të serrës për shkak të çmimeve më të larta të energjisë – karburanteve dhe energjisë elektrike. Megjithatë, ai parashikon se prodhimet e para vendase të serrës, që do të dalin në treg për Pashkë, do të ulin çmimet e frutave dhe perimeve të importuara. Një problem serioz, megjithatë, mbeten praktikat e pandershme:

FOTO: BTA

“Ato që prekin konsumatorët janë shënimet në etiketë, të cilat shpesh i ngatërrojnë – disa produkte shiten me copë, disa me peshë neto; ka edhe raste të ndryshimit të origjinës dhe ripaketimit të frutave e perimeve të importuara, duke u paraqitur si bullgare – thekson Mark Cekov. – E vërteta është se absolutisht të gjitha produktet, pavarësisht si janë paketuar, duhet t’u përmbahen kritereve të caktuara, të cilat shpesh mungojnë në etiketat e dyqaneve. Kjo do të vazhdojë derisa të bëjmë kompromise me politikat në sektorin ‘Fruta dhe perime’.

Vezët – rritje e papërfillshme e çmimit dhe kontroll i rreptë

FOTO: Ergul Bayraktar

Gjendja e tregut të vezëve në Bullgari sot është dukshëm më optimiste. Ivajllo Gëllëbov, kryetar i Unionit të Fermerëve të Shpendëve në Bullgari, është kategorik se prodhimi vendas është plotësisht i mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën për Pashkë.

"Nuk do të thoja se duhet të presim një rritje të çmimit të vezëve. Në javët e fundit, çmimet e vezëve në Bullgari dhe në të gjithë BE-në kanë mbetur të qëndrueshme. Sipas statistikave të Eurostat-it, norma mesatare vjetore e rritjes për BE-në është 19% dhe në vendin tonë çmimi është afër kësaj statistike", tha Ivajllo Gëllëbov për Radio Bullgarinë.

FOTO: arkiv

Sipas kryetarit të Unionit të Fermerëve të Shpendëve në Bullgari, vezët bullgare janë ndër më të lirat në BE. Gjithashtu nuk ka importe (që vijnë nga një vend i tretë, me përjashtim të Ukrainës, e cila lejohet të hyjë në treg).

“Kemi vezë edhe nga vende të tjera anëtare – Polonia ose Rumania, por këto do të jenë sasi të kufizuara, më së shumti vezë të bardha, të cilat në Bullgari janë më pak të preferuara jashtë festave të Pashkëve. Mund të them me bindje se, me masat që merr Agjencia Bullgare e Sigurisë Ushqimore, edhe vezët e importuara me origjinë evropiane do të jenë me cilësi të lartë. Prandaj konsumatorët mund të jenë të qetë dhe të blejnë pa hezitim, sigurisht gjithmonë nga marka të njohura dhe nga vende të licencuara për tregti me pakicë” – thekson Ivajllo Gëllëbov.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva