POLITIKË

Artikull

Ngjarjet me adresë ballkanike

Premte, 10 Prill 2026, 17:35

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Tavolina e Pashkëve në Ballkan është shtrenjtuar krahasuar me vitin 2025

 

Në sfondin e një inflacioni vjetor prej 3,3% dhe Pashkëve të para me euro, konsumatorët bullgarë e presin festën me një tavolinë 15–20% më të shtrenjtë krahasuar me vitin 2025, transmeton BTA. Çmimi i mishit të qengjit është mesatarisht 16,10 euro për kg. Para festave u shtrenjtuan perimet e serës. Vezët klasa M kushtojnë 29 centë për copë. Vezët organike arrijnë deri në 53 centë për copë.

Federata e Përgjithshme e Konsumatorëve në Greqi pret një shpenzim familjar prej 412 eurosh për tavolinën e Pashkëve. Kjo është rritje prej 14 deri në 20% krahasuar me vitin 2025 – rreth 50 euro më shumë. Një kilogram mish qengji në provincë kushton 14–16 euro, ndërsa në Athinë dhe Selanik deri në 18 euro. Gatimi tradicional grek kokoreci, i përgatitur nga brendësitë e qengjit ose kecit, kushton rreth 24 euro për 1,5 kg. Sallata jeshile është 1 euro, domatet 3,20 euro/kg, kastravecat 0,90 euro/kg, qepa e njomë 0,95 euro.

Në Rumani, vezët janë shtrenjtuar me 14% krahasuar me Pashkët e vitit të kaluar. Një vezë kushton 20–45 centë. Kulaçi më i lirë është 2,55 euro. Një kilogram mish qengji kushton 10,79–12,75 euro. Sallata jeshile është 49 centë, një tufë qepë të njomë 29 centë. Rumunët do të shpenzojnë për tavolinën festive 98 deri në 196 euro, shkruan adevarul.ro.

FOTO: BTA

Në Maqedoninë e Veriut, çmimi i mishit të qengjit është 12–17 euro për kilogram. Me çmim 4 euro për peshë të gjallë, fermerët preferojnë ta eksportojnë në BE. Këtë vit 80% e qengjave janë dërguar në Kroaci, Itali dhe Shqipëri. Një vezë në dyqane kushton 18–19 centë, ndërsa vezët shtëpiake 32 centë për copë. Domatet në hipermarkete janë 3–5 euro/kg, kastravecat 1,8 euro/kg, sallata jeshile 0,8–1,3 euro.

Në Serbi, tradicionalisht për Pashkë në tryezë vendoset mish derri, jo mish qengji. Çmimi i tij është 5,11–7,24 euro/kg. Mishi i qengjit është rreth 4 euro për peshë të gjallë. Vezët në supermarkete kushtojnë rreth 11 centë, por në treg arrijnë deri në 26 centë. Disa nga gatimet e Pashkëve përfshijnë edhe peshk, i cili konsumohet tradicionalisht në Serbi të Premten e Madhe. Në tregjet e qytetit, skumbria e freskët është 7,67 euro/kg, krapi 11 euro, ndërsa somi i freskët mbi 15 euro.

FOTO: rthess.gr

Një plan grek kërkon nga BE të ndalojë qasjen e fëmijëve në rrjetet sociale

Një plan për kufizimin e qasjes së të miturve në mediat sociale u paraqit nga qeveria e Greqisë. Masa konsiderohet historike sipas standardeve greke dhe evropiane, transmeton për BTA agjencia ANA-MPA. “Greqia jo vetëm ndjek zhvillimet, por formëson axhendën evropiane. Në një letër drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Kryeministri Kiriakos Mitsotakis e ngriti çështjen në zemër të BE-së. Ne propozojmë 5 shtesa konkrete në Ligjin për Shërbimet Dixhitale për verifikim të detyrueshëm të moshës në të gjithë Evropën dhe qasje në shërbimet dixhitale nga mosha 15 vjeç e lart”, tha Ministri i Shtetit Akis Skertsos.

23% e 15‑vjeçarëve në Greqi deklarojnë se ndjejnë pasiguri dhe irritim kur nuk kanë qasje në telefonat e tyre. “Kjo është shenja e parë e varësisë”, paralajmëroi Ministri i Shëndetësisë Adonis Georgiadis.

FOTO: mostarski.ba

Që nga 10 prilli për Serbinë hyn në fuqi sistemi i ri evropian i kontrollit kufitar

 

Shoqata Kombëtare e Turizmit të Serbisë paralajmëroi serbët që planifikojnë të udhëtojnë jashtë vendit gjatë ditëve rreth festave të Pashkëve të presin kolona të mëdha në kufijtë me BE‑në. Që nga 10 prilli hyn plotësisht në fuqi Sistemi Evropian i Hyrje/Daljes (EES). Kështu, që nga e Premtja e Madhe ortodokse, sistemi EES regjistron emrat dhe të dhënat biometrike dhe shënon datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes së qytetarëve nga vendet që nuk janë anëtare të BE‑së dhe nuk i përkasin zonës Shengen, siç janë qytetarët serbë, transmeton televizioni shtetëror RTS.

FOTO: basilica.ro

Në Bukuresht do të pritet Zjarri i Shenjtë nga Jerusalemi

 

Pavarësisht krizës në Lindjen e Mesme, Zjarri i Shenjtë nga Jerusalemi për Pashkë do të sillet në Rumani të Shtunën e Madhe. Këtë e raportojnë mediat lokale, duke iu referuar përfaqësuesit të Patriarkanës Rumune në Tokat e Shenjta, arkimandritit At Ioan Meiu. 

“Falë ndërhyrjes së Ambasadës Rumune në Izrael, morëm një itinerar fluturimi nga Ministria e Jashtme e Izraelit nga aeroporti Ben Gurion në Tel Aviv. Me ndihmën e Zotit do të vijmë me një fluturim të posaçëm në Bukuresht të Shtunën e Madhe”, informoi arkimandriti dhe shtoi: “Shpresoj që situata të mos përshkallëzohet dhe të mund ta përmbushim me sukses këtë mision të bukur dhe këtë bekim të madh për besimin ortodoks rumun.” Që nga viti 2009, Zjarri i Shenjtë sillet në Rumani çdo vit, njofton digi24.ro.


Përpiloi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva